Shpërthimet me telekomandë, kapen tre tritolvënësit, dy në kërkim

475
Sigal

Policia: Akuzohen për vrasje e shpërthime me tritol të kryera në bashkëpunim gjatë dy viteve të fundit

Ditën e djeshme, tre pjesëtarë të bandës që vinte tritol ndaj biznesmenëve dhe zyrtarëve janë arrestuar nga policia, ndërsa dy janë shpallur në kërkim. Në prangat e policisë ka rënë edhe Marion Mitro, biznesmeni nga Vlora i dyshuar si porositësi i vendosjes së tritolit në automjetin e prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi. Banda dyshohet se është përgjegjëse për vrasjen e dy biznesmenëve, si dhe vendosjen e tritolit ndaj Ardian Kollozit. Drejtues të policisë së Tiranës, pas operacionit theksuan se: “Ngjarjet e rënda për të cilat akuzohet grupi kriminal, baza e të cilit u zbulua në afërsi të Gjykatës së Tiranës, datojnë nga 2 vite më parë e deri në ditët e sotme”.

ARRESTIMI NË RINAS
Mësohet se 42-vjeçari Marion Mitro është inspektor i Inspektoratit Ndërtimor Vendor në Vlorë dhe u arrestua gjatë operacionit “Mega Operacion”, kur po tentonte të largohej nga Rinasi pasi kishte dijeni që ishte në ndjekje nga policia. Policia e kryeqytetit bën me dije se, për Marion Mitro, nga qyteti i Vlorës, Gjykata e Krimeve të Rënda kishte dhënë masën e arrestit burg në mungesë dhe në fshehtësi të plotë për arsye të hetimit. Njëkohësisht, Policia e Shteti publikon dhe personat e tjerë pjesë përbërëse e grupit kriminal, përfshi dhe vendosjen e lëndëve plasëse në automjetet e disa personave në vend. Në prangat e policisë u vunë J.S, 31 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Vlorë; N.Gj 30 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë dhe Marion Mitro, 42 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë. Ndërsa janë shpallur në kërkim Genis Mëhillaj 43 vjeç lindur dhe banues në Vlorë dhe Andon Mëhillaj 39 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë. Banda dyshohet se është përgjegjëse për vrasjen e dy biznesmenëve, si dhe vendosjen e tritolit ndaj Ardian Kollozit.
AKUZAT: TERROR  DHE VRASJE

Nga hetimet e deritanishme, janë përcaktuar dhe disa nga krimet që dyshohet të ketë kryer ky grup kriminal. “Nga veprimet hetimore procedurale të kryera ka rezultuar se shtetasit e lartpërmendur në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë autorët e dyshuar të një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, ndër të cilat: Vrasja e shtetasit Sokol Veizi, më datë 26 gusht 2012 në Orikum të Vlorës; vrasja e shtetasit Agron Çela, në datë 20 gusht 2013 në Vlorë, vendosje e lëndës plasëse në banesën e shtetasit Ardian Kollozi, më datë 1 qershor 2013 në Vlorë, vendosje e lëndës plasëse në automjetin e Prefektit të Vlorës Besnik Dervishi, në datë 13 dhjetor 2013 në Tiranë, vendosje e lëndës eksplozive në motoçikletën e shtetasit E.B. në rrugën Transballkanike në Vlorë më datë 24 tetor 2013, vendosje e lëndës eksplozive në automjetin e shtetasin E.B. në Vlorë në datë 31 gusht 2013….

REAGIMET

Një nga objektet e atentatit me tritol, prefekti i Qarkut të Vlorës, Besnik Dervishi, ka reaguar pas operacionit të policisë për arrestimin e grupit kriminal, duke aluduar për lidhje të tij me nivele të larta… “Nuk e njoh dhe nuk kam pasur asnjë kontakt me të arrestuarin… Në Vlorë, e njohin se i kujt klani i përket dhe i shërben. Kam pasur besim tek policia dhe shteti në tërësi. Kam besim se kësaj çështjeje do t’i shkohet deri në fund. Kjo ngjarje dëshmoi se, krimi i organizuar mund të prekë edhe nivele të larta”. Një nga të arrestuarit gjatë operacionit me emrin e koduar “Mega Operacion”, Marjon Mitro, mësohet se aktualisht kryente detyrën e inspektorit të Inspektoratit Ndërtimor Vendor në qytetin e Vlorës. Ai ka një biznes të tij në zonën e Ujit të Ftohtë, bar kafe dhe restorant. Në arrestuarve dhe dy të shpallurve në kërkim, u është bërë kontroll dhe në banesa. Po sipas policisë, me këtë operacion ka lidhje dhe arrestimi i Ilir Kupa dhe Julian Sinanit… Gjatë kontrollit në banesën ku rrinte Mitro në Tiranë, u gjetën dhe një sërë arsenali luftarak, mina me telekomandë, armë automatike, armë me silenciator, bomba  luftarake, C-4 të përgatitur për shpërthim, një sasi celularësh, etj… Konfirmohet zyrtarisht se, operacioni po vazhdon në Tiranë e disa qytete të Shqipërisë, për të ndaluar dhe persona të tjerë të përfshirë në këto akte terroriste.

Shkatërroi me tritol makinën e kreut të Arsimit, arrestohet

KORÇË- Ditën e djeshme, një person është vënë në pranga pasi dyshohet të jetë autori i vendosjes së eksplozivit në automjetit e Drejtorit të Drejtorisë Arsimorë të këtij qyteti. Sipas policisë, i arrestuari si i dyshuar për këtë krim, është arrestuar 36-vjeçarin Oltion Kondi. “Pas hetimeve të kryera nga strukturat e policisë, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes së ndodhur rreth 10 ditë më parë, ku u shkatërrua mjeti i Drejtorit të Drejtorisë Rajonale Arsimore Korçë. Pasditen e së mërkurës, u bë ndalimi i shtetasit Oltion Irakli Kondi, 36 vjeç , i dënuar më parë. Bazuar në provat e grumbulluara, ky shtetas rezulton të jetë autori i dyshuar i shkatërrimit të mjetit me zjarr, në pronësi të shtetasit K.G., Drejtor i Drejtorisë Arsimore Rajonale Korçë, ngjarje kjo e ndodhur më datë 18 janar 2014”,- thuhet në komunikatën zyrtare të policisë. I arrestuari u dërgua në mjediset e paraburgimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Korçës dhe pritet që në ditët e ardhshme të përballet në gjykatë me akuzat në ngarkim.

   Falsifikoi vula edhe dokumente, arrestohet

TIRANË- Policia ka vënë në pranga për falsifikimi dokumentesh një person ndaj të cilit më herët ishte lëshuar masa e sigurisë arrest me burg. Pas hetimeve policia ka vënë në pranga Xhelil Toshin. Toshi u arrestua tek “Zogu i Zi” nga efektivët e policisë së Krujës. Xhelil Toshi akuzohet për falsifikim të vulave dhe stampave. Toshi akuzohet edhe për mashtrim. Burime nga policia bëjnë më dije se, masa e sigurisë arrest me burg është lëshuar nga Gjykata e Tiranës. Ai akuzohet për falsifikim të vulave dhe stampave dhe për mashtrim. Vazhdojnë hetimet për kapjen e personave të tjerë të cilët mund të kenë bashkëpunuar me Toshin.

 Këputet kavoja e vinçit, aksidentohet metalurgia

ELBASAN- Një 30-vjeçare është aksidentuar ndërsa transportonte disa materiale hekuri me vinç nga një vend në një vend tjetër. Burime të Policisë bënë të ditur se, “ngjarja ka ndodhur në Uzinën 12, ose siç njihet ndryshe Uzina Mekanike në fshatin Katund i Ri, brenda kompleksit të ish-Metalurgjikut në Elbasan”. Mësohet se 30-vjeçarja A.H, në momentin e aksidentit ka qenë duke transportuar me vinç materiale hekuri, por fatkeqësisht është shkëputur kavoja dhe ajo ka rënë nga një lartësi e konsiderueshme. 30- vjeçarja është dërguar në spitalin kirurgjik të Elbasanit, ku është jashtë rrezikut për jetën.

  Ekstradohet nga Holanda i dënuari me 8 vite burg

TIRANË- Rreth orës 20:00 të ditës së mërkurë, nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Helsinki, Finlandë drejt Shqipërisë i 37-vjeçarit Edmond Rexhep Ulaj, nga Shkodra.

Gjykata e Apelit Shkodër, me Vendimin nr. 193, datë 12.05.2010, e ka dënuar shtetasin Edmond Ulaj, me 8 vjet burg për kryerjen e veprave penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe largimit nga vendi i aksidentit”, parashikuar nga Kodi Penal të Republikës së Shqipërisë. Më datë 07.06.1999 në Shkodër, si pasojë e një parakalimi të gabuar shtetasi Edmond Ulaj,  ka aksidentuar 2 fëmijë, të cilët ndodheshin në anën e rrugës duke ngarë biçikletat e tyre. Fëmijët kanë vdekur në vend dhe shtetasi Edmond Ulaj është larguar nga vendi i aksidentit.

Tiranë, eksploziv një makine te rruga e “Kavajës”, s’dihen shkaqet

 Shpërthen nga eksplozivi makina, terrorizohen banorët

 TIRANË- Në orën 22:05 të mbrëmjes së djeshme, një automjet ka shpërthyer nga lënga eksplozive duke terrorizuar banorët e “Rrugës së Kavajës”. Policia konfirmon se mjeti i shpërthyer është tip “Fiat Punto” me targë AA501IC. Fatmirësisht, nuk ka persona të lënduar. Motivet për ngjarjen ende nuk dihen. Ekspertët xhenierë, efektivë të policisë gjyqësore dhe drejtuesit më të lartë të policisë së Tiranës dhe prokurorë ndodhen në vendngjarje. Automjeti ka qenë i parkuar në një rrugë dytësore në zonën përballë xhamisë. Eksplozivi është vendosur në krahun e shoferit dhe nga shpërthimi ka dëmtime të shumta. Fatmirësisht në kohën e shpërthimit nuk ka pasur kalimtarë në rrugë. Kanë qenë banorët e pallateve përreth ata që kanë telefonuar policinë pasi kanë dëgjuar zhurmën e shpërthimit.