Në 2014-n, qeverisja qendrore 541 punonjës me kontratë të përkohshme

767
Sigal

Vendime të Këshillit të Ministrave, miratuar në mbledhjen e datës 29 janar 2014

Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën, gjatë mbledhjes së radhës, një numër vendimesh të rëndësishme. Ndër to veçohen disa vendime që lidhen me mjedisin, një fushë që shihet si prioritet kryesor nga qeverisja aktuale. Kështu me rëndësi është vendimi për një ndryshim në ligjin ”Për mbrojtjen e mjedisit”, që përcakton rregulla të hollësishme për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe të agjencive rajonale mjedisore, si dhe ndarjen e organizimin e punës, statusin e punonjësve dhe marrëdhëniet e saj me institucione të tjera. Një tjetër vendim është ai për krijimin e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave (në vijim ISHMPU), si një institucion qendror publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për mjedisin. Misioni i këtij institucioni është garantimi dhe respektimi i kërkesave ligjore në fushën e mbrojtjes së mjedisit, pyjeve dhe ujërave. Në mbledhjen e sotme të qeverisë u vendos dhe krijimi i Drejtorisë së Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, misioni i së cilës është përmbushja e të gjitha shërbimeve të nevojshme shtetërore që lidhen me menaxhimin e infrastrukturës dhe të dhënave të peshkimit e të Akuakulturës, si dhe garantimi e respektimi i kërkesave ligjore në mbrojtjen e peshkimit dhe Akuakulturës në Republikën e Shqipërisë. Qeveria gjithashtu miratoi dhe një propozim të ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, që lidhet me shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i landfillit “Bajkaj”.

Një tjetër vendim i rëndësishëm i qeverisë ishte dhe miratimi në parim i marrëveshjes shtesë të financimit të marrëveshjes së financimit dhe projektit, nënshkruar më 13 dhjetor 2007, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave e Ujësjellës-Kanalizime Shkodër, dhe KFW Frankfurt AM Main, për financimin e programit “Mbrojtja mjedisore e liqenit të Shkodrës”, me një shtesë granti prej 3.000 000 (tre milionë) eurosh. Mbledhja e sotme e qeverisë miratoi dhe disa vendime me natyrë ekonomike, si kalendarin e menaxhimit të shpenzimeve publike për vitin 2014, miratimin e kuadrit makroekonomik e fiskal për periudhën 2015-2017.

 541 punonjës me kontratë të përkohshme

 Këshilli i Ministrave vendosi të mërkurën që numri i punonjësve me kontratë të përkohshme në njësitë e qeverisjes qendrore, për vitin 2014, të jetë 541 punonjës.

Sipas vendimit, përjashtimisht, për punonjësit e përkohshëm për Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale dhe për 4 punonjësit e Drejtorisë së Dëmshpërblimit të Ish-të Përndjekurve Politikë në Ministrinë e Financave, nuk zbatohet pika 3, e vendimit nr.1703, datë 24.12.2008, “Për vendosjen e standardeve të shërbimeve dhe aktiviteteve sezonale/të përkohshme për ministritë dhe institucionet buxhetore”. Përjashtimisht, për qendrat e transferimit të teknologjisë në Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, për shkak të veçorisë së punës, pagesa e punonjësve të kontraktuar përllogaritet sipas volumit të punës së kryer dhe paguhet sipas preventivit përkatës. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi përballohen nga shpenzimet korente të miratuara në buxhetin përkatës të njësive të qeverisjes qendrore për vitin 2014. Përjashtimisht, për ALUIZNI-n, QTTB-të, për punonjësit e SHISH-it (Shtëpitë e Pushimit) dhe të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar efektet financiare përballohen vetëm nga të ardhurat e vetë institucionit. Efektet financiare për pozicionet e kontraktuara për periudhën kohore vjetore fillojnë më 1 janar 2014.

 “Mbrojtja mjedisore e Liqenit të Shkodrës”, qeveria miraton marrëveshjen shtesë të financimit

 Marrëveshja parashikon një shtesë granti prej 3 milionë eurosh. Marrëveshja është nënshkruar më 13 dhjetor 2007 dhe pala shqiptare përfaqësohet nga Ministria e Financave dhe Ujësjellës-Kanalizime Shkodër.

 P/ligj për marrëveshjen me KFW për linjën e transmetimit Shqipëri-Kosovë

 Këshilli i Ministrave propozoi p/ligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huasë dhe projektit ndërmjet Shqipërisë, të përfaqësuar  nga Ministria e Financave, e operatorit të sistemit të Transmetimit, SH.A., si agjenci e zbatimit të projektit, dhe KFË Frankfurt Am Main për financimin e projektit “Linja e transmetimit 400 kv Shqipëri-Kosovë (Tiranë-Prishtinë)”. Projektligji do t’i përcillet për shqyrtim dhe miratim, me procedurë të përshpejtuar, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

 20 734 735 lekë për shpronësimin e pronarëve që preken nga ndërtimi i landfillit “Bajkaj”

Këshilli i Ministrave miratoi disa ndryshime në Vendimin nr.541, dt.13.6.2013, të Këshillit të Ministrave “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i landfillit “Bajkaj”.

Në vendimin nr.541, datë 13.6.2013, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

a)   Pikat 3, 4 dhe 6 ndryshohen, si vijon: “3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për tokë bujqësore, me një vlerë të përgjithshme prej 20 734 735 (njëzet milionë e shtatëqind e tridhjetë e katër mijë e shtatëqind e tridhjetë e pesë) lekësh.  4. Shuma e përgjithshme e shpronësimit prej 20 734 735 (njëzet milionë e shtatëqind e tridhjetë e katër mijë e shtatëqind e tridhjetë e pesë) lekësh, të përballohet nga “llogaria e veçantë” e Ministrisë së Financave në Bankën e Shqipërisë”, “Fondi i shpronësimeve”. 6. Shpronësimi të fillojë në datën 29.1.2014.”.