Pronari i kontenierit ku u gjetën 613 kg kokainë kërkon azil politik në Gjermani

391
Sigal

Në një kohë kur Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet të dorëzojë në gjykatë dosjen për 613 kilogramët e drogës që u gjetën në një kontejner me banane në Portin e Durrësit, pronari i mallit Arbër Çekaj, i cili u arrestua në Gjermani, ka kërkuar azil politik në këtë vend.
Kërkesa për azil është bërë gjatë shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën e Essiel, e cila po shqyrton kërkesën e palës shqiptare për ekstradimin e tij.
Të arrestuar për këtë ngjarje janë shoferi i kamionit Armando Pezaku dhe menaxheri i kompanisë, Donaldo Lushaj.
Pak ditë para sekuestrimit të sasisë së kokainës ai u largua nga Shqipëria për të humbur gjurmët për disa ditë. Më pas, ai u prangos nga policia gjermane në bashkëpunim me atë shqiptare dhe prej 8 muaj Shqipëria kërkon ekstradimin e tij. Ky ekstradim ende nuk ka marrë një përgjigje pozitive nga drejtësia gjermane ndërsa është në proces vlerësimi i kërkesës së Ministrisë shqiptare të Drejtësisë për ta ekstraduar. Çekaj është marrë në pyetje edhe nga prokurorët shqiptarë në Gjermani por ende nuk ka një deklarim nëse ai pranon apo jo përfshirjen në rrjetin e trafikut të kokainës.
Në shkurt të një viti më parë në një operacion me Doganat, Policinë e Shtetit dhe partnerët ndërkombëtar në kontenierin me banane që vinte nga Kolumbia për llogari të “Arbër Garden” u sekuestruan 613 kg kokainë.