I konsideroi shqiptarët terroristë, Haradinaj shkarkon ministrin serb

491
Sigal

Një ditë pasi i konsideroi shqiptarët terroristë dhe masakrën e Reçakut një trillim, Ministri i Administratës së Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviç është shkarkuar nga detyra nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.

Haradinaj deklaroi se gjuha që ka përdorur ministri është e papranueshme dhe se në qeverinë e tij nuk do të tolerohet asnjë lloj fyerje ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Sot kam marrë vendim për shkarkimin e Ministrit të Administratës së Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviç. Është e patolerueshme një gjuhë e tillë e urrejtjes nga ministri në fjalë. Është e pakuptimtë se si një deri sot kolegë i yni shprehet me aq injorancë, urrejtje dhe fyerje për viktimat e Reçakut dhe viktimat e tjera të regjimit të Millosheviçit. Kjo nuk justifikohet. Në Qeverinë që unë e drejtoj nuk do të ketë vend për askënd që fyen qytetarët e Kosovës në baza etnike ap fetare. Vendimi hyn në fuqi menjëherë”, shkruan Haradinaj në rrjetin social Facebook.

Vendimi erdhi pasi ministri serb nuk ka ngurruar t’i quajë shqiptarët terroristë.

“Arsyeja për agresion në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi. Masakra e Reçakut ishte trillim, janë terroristët shqiptarë atë që trilluan tw gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi. Për këtë, sot askush nuk ka dhënë përgjegjësi. Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë serbë të mirë dhe policë në vendin e tyre të punës. Gjakpirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit dhe pas ardhjes së misionit të ashtuquajtur paqësor në Kosovë e Metohi”, deklaroi ai.

Këto deklarata ish-ministri serb i bëri për Zërin e Amerikës, seksionin serb, nga Zveçani. Ky është rasti i dytë që një anëtar i kabinetit të Haradinajt bën deklarata të tilla. Dy javë më parë kreu i qeverisë shkarkoi Vesna Mikiç nga posti i zëvendësministres së drejtësisë për shkak të qëndrimeve të saj ndaj bombardimeve të NATO-s.