Plagosja në shëtitoren e Shëngjinit/ 24 vjeçari rrezikon të humbasë veshkën

207
Sigal

24-vjeçari Markelian Pepa ndodhet ende i shtruar në Spitalin e Traumës, në gjendje jo të mirë shëndetësore pas plagosjes me thikë të dielën e kaluar në Shëngjin nga persona ende të paidentifikuar. Ora News mëson se ai rrezikon të humbasë njërën veshkë ndërsa ka marrë dëmtime serioze në të dyja. Pepa pretendon se nuk i njeh autorët, dhe se policia ka qenë hermetike sa i përket bashkëpunimit me familjarët e tij.

Ai thotë se në zonën ku ka ndodhur ngjarja, ka kamera sigurie që mund të zbërthenin dinamikën e ngjarjes por në informacionet që ka, nuk kanë qenë funksionale. Për Ora News, familjarët e Markelianit jashtë kamerës, thonë se disa lokale në zonë si dhe shëtitorja ka kamera siguria.

“Çfarë ka ndodhur ne e dimë në bazë të thënave. Nuk dimë as se kush ka qenë as nuk kemi informacion nga policia.  Ne dimë se në vendin që ka ndodhur ka plot kamera. Por  me sa informacion na kanë dhënë kamerat nuk kanë qenë në punë. Të paktën ky është informacioni që kemi marrë nga policia. Sa është e vërtetë ne nuk e dimë. Tani e vetmja gjë që na intereson për momentin është që të shërohet Markeliani. Është i dëmtuar në dy veshkat dhe organe të tjera. Ka gjak në veshka, është i intubuar për shkak se ka probleme edhe me frymëmarrjen. Ka qenë në shëtitore me shokë, nuk e di saktësisht çka ndodhur, se kam lodhur pasi është rëndë me shëndetin dhe e kemi menduar ta diskutojmë në një moment të dytë.”