Plagosja në burgun e Vaqarrit, policia arreston 2 persona

560
Policia arrestoi dy autorët e dyshuar të atentatit me armë në burgun e Vaqarrit, ku një ditë më parë mbeti i plagosur një 40-vjeçar nga Kosova. Lili Dulaj u plagos në këmbë, por ai nuk ishte shënjestra e atentatit.  Ai ishte i arrestuar për dhunë në familje dhe aktualisht ndodhet në Spitalin Ushtarak jashtë rrezikut për jetën. Polica njofton se nga hetimet ka rezultuar se ky person është goditur nga një distancë e konsiderueshme jashtë mureve rrethuese të këtij burgu. Nga hetimet e kryera rezultoi se shënjestër ishte Gazmir Daci, i cili ndodhet në masën arrest në burg për vrasje me dashje, vrasje e ngelur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. 
Daci akuzohet për vrasjen e Valmir Kolaverit dhe plagosjen e vëllait tij Robert Kolaveri, i cili aktualisht është i paralizuar. Në një njoftim zyrtar, policia thotë se ka arrestuar vëllain tjetër të tyre, Ergys Kolaverin dhe kushëririn e tij, Enea Cekën, 24 vjeç. Atentati i së shtunës dyshohet të jetë bërë për hakmarrje, ndërsa autorët kanë gabuar shënjestër. Gjatë kontrollit të mjetit të tyre janë gjetur një palë dylbi, ndërsa hetimi vazhdon për të tjerë persona që mund të jenë përfshirë në këtë ngjarje. 
Sigal