Përgjaken rrugët, 2 të vdekur e 4 të plagosur në aksidente

398
Sigal

KORÇË-ELBASAN- Dy viktima dhe katër të plagosur rëndë është bilanci i dy aksidenteve automobilistike të ditës së djeshme, ndërkohë, me aksidentin e ndodhur një ditë më parë, numri i viktimave shkon në katër dhe i të plagosurve rëndë në 6. Aksidenti i rëndë që u regjistrua mbrëmë vonë në Korçë, ka si bilanc dy viktima dhe dy të plagosur, ndërsa ai që ndodhi paraditen e së enjtes në Elbasan, ka bilancin me 3 të plagosur. Mësohet se, ngjarja ka ndodhur në orët e vona të së enjtes. Dy personat e plagosur janë dërguar me urgjencë në spitalin e Korçës për ndihmën e parë mjekësore. Policia bën me dije se, aksidenti ka ndodhur në vendin e quajtur Drithas, ndërsa mjeti me të cilin udhëtonin personat ka rënë nga një urë. Kurse në orët e para të ditës së djeshme, kreu i Komunës Qendër në Elbasan është përfshirë në një aksident rrugor, ku makina ka dalë nga rruga, por fatmirësisht i ka shpëtuar vdekjes. Enver Shkurti udhëtonte në makinë bashkë me një gazetar, i cili gjithashtu është jashtë rrezikut për jetën. Automjeti ka dalë nga rruga gjatë tentativës për të shmangur përplasjen me një kamion në aksin Elbasan – Komuna Qendër. Por sipas policisë, shkak dyshohet edhe shpejtësia tej normave të lejuara rrugore me të cilën udhëtonte makina. Në një aksident të dy ditëve më parë humbi jetën kreu i komunës Lenie në Gramsh, ku makina me të cilën ai udhëtonte ra në humnerë në 50 metra lartësi në aksin Moglicë-Lozha. Policia Rrugore është e paaftë të parandalojë këto tragjedi, po mjaftohet vetëm me gjoba.