Qeveria, “gogël” e bixhozit “Australin Lottery”

546
Sigal

E Majta, kur ishte në opozitë, e quajti kriminale shitjen e Lotarisë Kombëtare nga qeveria “Berisha”. Sot në pushtet, ‘harruan’ çfarë kishin thënë

Në vitet e “lavdishme” të luftës opozitare, “ushtarët” socialistë dhe shumica e shqiptarëve, u shkonin pas këtyre që sot përbëjnë “pushtetin popullor” dhe “byronë politike” të PS, duke i besuar në të gjitha përbetimet për luftë kundër korrupsionit, për ndëshkimin dhe zhdukjen e çdo monopoli, të instaluar në ekonominë dhe shërbimet publike në Shqipëri. Ata që janë ngjirur e janë përbetuar për të vendosur drejtësi ligjore e sociale, sot janë në pushtet. Kanë kaluar 13 muaj nga qeverisja e tyre absolute. Fakti po tregon se prej ish-luftës së “ndershme” opozitare, kanë mbetur vetëm fjalët, regjistruar me zë e me figurë në kaseta posterash elektoralë, mitingje, kronika e debate televizive. Në çdo “rrokje” të ish-krerëve të opozitës së djeshme, ka pasur vetëm një vendim: “Do shkulim monopolet që ka marrë nën kontroll banda mafioze politike e familjare qeveritare “Berisha”. A janë shkulur këto monopole e akte krimesh ekonomike? Jo! Monopolet vazhdojnë dhe madje, më fuqishëm, më lirshëm, të krijuara prej ish-qeverisë “Berisha” dhe të lëna në qetësi të plotë prej qeverisë “Rama”. Edhe sikur të ishin rrënoja cunami, brenda 1 viti do të ishin shkulur e pastruar krejt, kur në fakt janë 10-15 copëra letrash defterë bakalli, të cilat mund të anulohen brenda 5 minutash me një vendim qeverie, si akte të paligjshme e madje anti-kushtetuese. Ka kaluar 1 vit pushtet dhe nuk po veprohet ndaj tyre. Ministrat që kanë në juridiksion qeverisës këto monopole ekonomike e financiare, gjatë opozitës deklaronin se monopolet ishin “letra paçavure” dhe do të hidheshin në koshin e plehrave brenda ditës së parë të pushtetit. Tani që janë ministra e deputetë dhe duhet të veprojnë, dalin e thonë pa pikë turpi, se “heqja e këtyre monopoleve dëmton ekonominë kombëtare”! Nuk e di nëse qëndrimi i tyre ka qenë demagogji palaçosh opozitarë, apo është pisllëk që sot në pushtet i ka zhytur në afera, por shqiptarët kanë përballë mosveprimin e tyre deri në tallje.

“Australin Loçery”, Lotari Kombëtare, apo bixhoz i një bande monopolistësh?

Një nga rastet më tipike të monopoleve mafioze që nuk po shkulet siç u premtua nga e majta gjatë kohës së opozitës, instaluar gjatë ish-pushtetit “Berisha” me klientelizëm e skema mafioze dhe që po zhvillon aktivitet po në mënyrë mafioze është monopoli i ashtuquajtur fiktivisht “Lotaria Kombëtare”, por që na fakt është bixhoz privat i grupi mopolistësh në logon “Australin Loçery”, individët e të cilës kanë nën kontroll monopole të tjera edhe në sektorë të të tjerë strategjikë të ekonomisë, shërbimeve e burimeve natyrore shqiptare mbi e nëntokësore. Kjo lotari vazhdon aktivitetin. Një skandal i fillimit të aktivitetit të saj abuzues me shqiptarët, u kap nga mediat me zë e me figurë gjatë hedhjes së shortit me gogla “6 nga 39”, por që luhej me 37 e 38 gogla, duke mos futur në lojë disa numra, që të shpalleshin fitues ata numra që kishte inskenuar grupi drejtues i kësaj lotarie. Ky skandal i përket ligj zbatuesve. Ajo që i përket qeverisë është heshtja dhe mosveprimi ndaj monopolit të kësaj lotarie. Kujtojmë, se pak ditë përpara ardhjes në pushtet, të majtët kanë deklaruar me “ulërima”, se lotarinë do t’ua kthejmë shqiptarëve, duke ua marrë banditëve të lidhur me mafien rajonale dhe me familjen politike të Berishës. Sot e 13 muaj në pushtet, jo vetëm nuk po ua kthen lotarinë shqiptare, shqiptarëve, por përkundrazi bënë sikur ka “harruar” që ka një të tillë lotari anti-ligjore e abuzuese. Madje, ministrat e Rilindjes që e kanë si aktivitet të linjës qeverisëse, kanë bërë fakt “aministinë” ndaj “Australin Loçery”, duke deklaruar se “nuk anulohet monopoli, mbasi ka interes ekonomia”. Po a ka realisht interes ekonomia nga kjo lotari monopol që kontrollohet nga një grup e jo nga shteti? Ekspertët financiarë, që nën urdhra pushtetarësh të sotëm, bëjnë sikur kontrollojnë aktivitetin e kësaj lotarie dhe specialistët, thonë se realisht ekonomia shqiptare humbet shumë prej monopolit të saj dhe ka humbur miliona euro, që prej praktikës abuzive mafioze me çmimin e shitjes së aktivitetit, që inskenoi ish-qeveria shqiptare në favor të kësaj kompanie e cila rezulton e penalizuar edhe në shumë shterte të tjerë lidhur me aktivitetet e saj të bixhozit e më aktivitete të tjera.

Malta e shiti lotarinë 39 milionë euro, Shqipëria 3.5 milionë lekë

Qeveria shqiptare, gjatë kohës së opozitës, ka denoncuar aktin dhe vlerën e shitjes së kësaj lotarie. Ajo ka denoncuar gjithashtu edhe praktikën skandaloze e antiligjore klenteliste, të ndjekur nga ish-qeveria shqiptare në tenderin e “Lotarisë Kombëtare”. Për të bërë këtë denoncim, drejtuesve të së majtës, i janë referuar në atë kohë provave të publikuara kompania turke “Inteltek” e cila ka qenë e interesuar për të marrë pjesë në blerjen e “Lotarisë Kombëtare” në Shqipëri, por u skualifikua për shkak të procedurave abuzive që inskenoi dhe zbatoi ish-qeveria “Berisha” në favor të klientit të saj. Këtë denoncim e bëri më 15 korrik 2012 edhe kompania greke “Intralot”, po e spostuar me makinacione nga procedura e tenderimit. Si u shpall “fituese” kompania “Australin Lottery”? Metodologjia e vlerësimit shmangu elementin bazë që ishte çmimi shitjes së të drejtës së aktivitetit, duke e vendosur atë në shifër minimale. Qeveria u mohoi garimin kompanive të tjera, duke lejuar si “të kompletuar” vetëm kompaninë “Australin Lottery”, duke e hapur tenderin me fshehtësi dhe urgjencë, pa afat kohor ligjor për garimin e firmave të tjera. Por paracaktimi i firmës, pra shpallja fituese pa filluar gara, është vetëm një pjesë e aferës. Shifra që merr buxheti, pra qytetarët, nga ky aktivitet është vetëm 500 milionë lekë, ose rreth 3.5 milionë euro, pra e “falur”. Një lotari e tillë, vetëm 2 muaj përpara shitjes në Shqipëri është shitur në Maltë në vlerën 39 milionë euro. Për të përligjur çmimin e shitjes sa një “akullore”, procesi u shoqërua me makinacione e mafiozllëqe në procedura, praktika që bien ndesh në metodologjinë strikte botërore e europiane të këtyre lloj shitjeve.

…Për “shkuljen” e monopolit të lotarisë ”Austrian Lottery”…

Lotaria Kombëtare është një lojë që e organizon shteti, por jo për të fituar një fatlum e për të dalë i humbur tërë populli me qëllimin që miliona e miliona euro të kalojnë në xhepat e menaxherëve të lojës. Në asnjë mënyrë! Paratë e përfituara nga organizimi i lojës shteti duhet t’ua kthejë qytetarëve në formë shpenzimesh kapitale për politika të natyrës sociale. Ne vetë do t’i kalojmë për sportin dhe rininë. Ndërsa kompania që do ta menaxhojë Lotarinë Kombëtare, do të marrë fitimin që i takon po kurrën e kurrës fitimin që i takon popullit siç parasheh për fat të keq procedura mirëfilli klienteliste e qeverisë shqiptare ku lexohej qysh në nisje se kush do ishte fituesi në fund. Janë kusuret e një grabitjeje të realizuar përmes vënies së qeverisë së republikës në shërbim të interesave të qeveritarëve dhe përmes rrënimit të institucioneve të shtetit. Ne nuk kemi asnjë ndroje, përkundrazi e ndjejmë për detyrë të shpallim publikisht qëllimin për të rishikuar nën dritën e Kushtetutës, ligjit dhe interesit publik, çdo shitje apo transferim të dyshimtë të pasurisë së publikut në duart e të privilegjuarve të pushtetit të sotëm. Askush përveç shitësve të Shqipërisë nuk duhet t’i ndruhet kësaj transparence. Asnjë kompani apo individ që ka nënshkruar një kontratë koncesionare me shtetin apo ka përfituar një pasuri publike përmes një procesi privatizimi nuk duhet t’i trembet transparencës nëse nuk e ka shkelur kontratën apo nuk ka përfituar nga shkelja e ligjit…

Taulant Balla në Parlament, për lotarinë…

Vetëm 8 ditë pas licencimit monopol të lotarisë kombëtare, shitur kompanisë “Australin Lottery”, deputeti Taulant Balla, ka bërë një deklaratë denoncim dhe paralajmërim në parlament për heqjen e kësaj licence menjëherë pas ardhjes në pushtet, duke e cilësuar Pazar të mafies dhe familjes “Berisha”. Ja deklarata: “…I them sot Sali Berishës, që licencën e Lotarisë Kombëtare, për të cilën more më shumë ti ‘cash’ në Vjenë se sa do të marrë Ministria e Financave në shtator, ne do t’ia kthejmë shqiptarëve. “Austrian Lottery” është nën hetim për korrupsion në vendin e vet, ndërsa në Shqipëri blen të njëjtën licencë, 100 herë më lirë se sa në Austri. Pra, këtu jo vetëm që duhet hetuar, por kjo duhet bllokuar me çdo kusht. Dua t’i drejtohem sot edhe kësaj kompanie dhe them se ne do të kërkojmë një hetim për korrupsion, ndaj këtij subjekti, një hetim të plotë në Shqipëri dhe në Austri dhe kudo gjetkë ku janë zhvilluar biseda, ku janë bërë pagesa ‘cash’ dhe ku janë dhënë ryshfete. Do të zbardhim të gjitha pazaret, të gjitha para kontratat. I them sot kompanisë “Australin Lottery”, që tender-komedia e Ridvan Bodes, nuk vlen, ndërsa licencën që kanë rënë dakord me Zenin, ne do ta anulojmë dhe do t’ia kthejmë atë shqiptarëve. Nuk mund të lejojmë që shqiptarëve t’ju merret për 3 milionë euro një pronë publike, prej më shumë se 100 milionë eurosh, se kështu ka rënë dakord Zeni në Austri“.

Përparim HALILI