Një vit nga vrasja e policit Ibrahim Basha dhe metastazat e Lazaratit

463
Sigal

Miltiadh
M. Muçi- jurist – ekspert kriminalist i pavarur


Më 23 qershor 2016 bëhet një vit nga vrasja e policit Ibrahim Basha në Lazarat. Ai iu shtua më se 250 policëve, të vrarë në 25 vite tranzicion. Jam i sigurt se, nuk është bërë ndonjë studim i kujdesshëm, për mos të pasur numër më të madh. Jo pak ndodhën prej gabimeve njerëzore të drejtuesve të policisë, pse jo dhe të viktimave si i katër efektivave në plazhin “Iliria” të Durrësit. Vrasja më e fundit me Ibrahim Bashën, është e ndryshme nga vrasjet e tjera të efektivave të policisë, “sepse u organizua nga grupe kriminale, duke aktivizuar moshat e reja”, por identifikimi dhe hetimi i plotë i tyre do të sqaronte, se çfarë ka ndodhur në të vërtetë me Lazaratin, lidhjet me personat kryesorë në të gjithë vitet me fijet e politikës dhe politikanëve, të vjetra dhe të reja të të dy krahëve të saj, në dy dekadat e fundit. Por fatkeqësisht si për çështjet e tjera, ku ata kanë qenë të implikuar, nuk shpresova se do hetoheshin. Veç pikërisht se kjo vrasje ishte ndryshe nga gjithë rastet e tjera, efektivit të policisë Ibrahim Basha iu bënë nderimet krejt ndryshe, nga shqiptarët dhe të gjithë miqtë e huaj. 

Sa herë ndodhin ngjarje të tilla politikanët përplasen mes tyre, mediat mbushin faqet e shtypit dhe ekranet televizive. Disa prej politikanëve bëjnë punën e specialistit të fushës së policisë, dhe të habisin kur paraqesin njëri-tjetrin “investigues profesionist”, dhe pse nuk kanë punuar apo të jenë shkolluar në një nga fushat e policisë. Kështu ndodhi dhe për vrasjen e fundit, pas operacionit të madh të forcave të policisë në Lazarat, të njohur në të kaluarën jashtë kufijve shtetërorë, banorët si kultivuesit masiv të kanabis sativës dhe përpunuesit e tregtuesit e grupeve kriminale më të mëdha, vendase e ndërkombëtare, si kancerin malinj që sjell vetëm vdekjen e shpejtë të njeriut, edhe pse kinoterapia mund t’i shtoj jetën për pak kohë. Dhe vërtetë, Lazarati i ka shtrirë metastazat në të gjithë vendin, në jug e juglindje, në veri e verilindje, sikurse në Shqipërinë e Mesme. Ja që fajtorë nuk kanë qenë banorë të këtij fshati, por të gjithë të tjerët anëtarë të organizatave kriminale, brenda dhe jashtë vendit, grumbulluesit dhe shpërndarësit në të gjithë Europën, sikurse e treguan dhe arrestimet më të fundit në dhjetë ditët e para të qershori 2016, në Itali dhe Angli, të më shumë se 70 trafikantëve të drejtuar nga kapot e lidhur dhe garantuar prej segmenteve e pushtetarëve të të gjithë rotacioneve.

 Ndërsa nga policia bëhet sikur autorët zbulohen, bile asgjësohen me dhjetëra mijë rrënjë, por qindra mijë kanabis sativa të tjerë mbulojnë tregun nga shpërndarësit e saj kudo nëpër Europë. Edhe këtu ekziston konkurrenca, goditet kushdo që paguan pak ose aspak, ndërsa mbështeten e nxiten vetëm ata që kanë paguar më shumë se gjithë të tjerët. Këta janë ato metastaza që bëjnë përpjekje dhe hedhin idetë për kanabis mjekësor, kur për kancerin malinj nuk ka medikament që të mund ta shëroj. Kurse policia, si në fushat e tjera kundër krimit e kriminelëve nuk ka strategji, si mund të parandalohet para se të korret, aq më tepër kur thuhet se kultivarët e rinj nuk të lenë kohë t’i zbulosh sipërfaqet e mbjella. Dhe shpresat mbeten tek avionët e miqve italianë, shumë të interesuar të mos iu shkoj prodhimi atje, edhe pse më shumë se 2/3 mbërrin në Itali. Ka kohë që kërkohet krijimi i policisë zbuluese private, përballë asaj shtetërore për kërkimin, zbulimin, dokumentimin ligjor të autorëve të krimeve ndaj jetës e shëndetit, pronës së personit, e detyruar me ligj të bashkëpunoj ndaj metastazave të kancerit të kanabis sativës, zbulimit të autorëve të dhjetëra vrasjeve të ndodhura, të personave në kërkim, parandalimin e vrasjeve të tjera, sikur kanë ndodhur nga grupe të Tiranës, Durrësit, Tepelenës, Elbasanit, Vlorës, etj. Në dhjetëra-qindra hektar të mbjellë me kanabis sativa, pronari apo personi që ka marrë sipërfaqen nga shteti apo individi si mall pa zot, nuk vihet para përgjegjësisë, por është arrestuar kryeplaku, sepse nuk e denoncoi autorin kur nuk e ka detyrim të tij, ndërsa kriminologë të Drejtorisë së Përgjithshme dhe Akademisë së Policisë që mund t’i ndërtojnë strategjitë, nuk lenë Universitete për ligjërim…!