Mimoza Hafizi për Lindita Nikollën: E paaftë, arrogante, e papërgjegjshme!

649
Përgjigjet e Ministres së Arsimit, Lindita Nikolla për skandalin në kopshtin Diren, sipas deputetes Mimoza Hafizi hedhin terr dhe shpërndajnë përgjegjësinë tek ata që nuk u takon. Në një status në rrjetet sociale Hafizi kërkoi llogari nga Lindita Nikolla për kontrollet që ka ushtruar ministria e saj mbi kopshtet pa licensë. E bindur se nuk do të marrë përgjigje, Hafizi flet për paaftësi, papërgjegjshmëri dhe arrogancë nga Lindita Nikolla, e cila u shpreh se janë vetë prindërit ato që duhet të kontrollojnë, licensimin e kopshteve.
REAGIMI I MIMOZA HAFIZIT
Skenat e dhunës mbi një të mitur na kanë drithëruar edhe pse ndodhën në një institucion, ku prindërit kanë dorëzuar me besim fëmijët e tyre. Kanë dorëzuar fëmijët, duke menduar se shteti e ka ushtruar seriozisht kontrollin e ligjshmërisë dhe të cilësisë. Pasi bëhet fjalë për jetën e fëmijëve të vegjël, të pafuqishëm e të pazotë për t’u vetëmbrojtur. 
Por duket qartë se shteti nuk e ka bërë detyrën, ndonëse deklarata e Ministrisë së Arsimit hedh terr, duke shpërndarë përgjegjësi tek ata që nuk u takon.
A i ka ushtruar me përgjegjësi Ministria e Arsimit kontrollet që ia kërkon ligji? Këtë ka nevojë ta dijë çdo shqiptar. Se nga kjo varet siguria në institucionet e arsimit.Po kush mund ta verifikojë? Kush do të japë llogari? Vetë Ministria? Kjo s’ka për të ndodhur.
Para një muaji, i kam kërkuar një informacion të rëndësishëm Ministrisë së Arsimit, në rrugë zyrtare dhe mbështetur në statusin tim si deputete. Informacioni bazohej mbi dy pyetje: Si e ka ushtruar Ministria e Arsimit kontrollin e detyrueshëm financiar mbi universitetet publike? Si e ka ushtruar Ministria e Arsimit kontrollin e ligjshmërisë në universitete? Letra ime kërkon vetëm transparencë, të cilën dua ta ndaj me pedagogët dhe studentët.
Kjo Ministri duhej të më kthente përgjigje brenda dy javësh. E thotë ligji. Por unë nuk kam marrë asnjë përgjigje! Ia kam apeluar çështjen ballazi ministres, në parlament, para dy javësh. Deklarime dhe premtime boshe nga tribuna e parlamentit, por asnjë përgjigje! I kam dërguar letër kryeministrit. Kështu ma kërkon ligji. Ende nuk kam asnjë përgjigje! Kam ndjekur të gjitha rrugët ligjore që më japin të drejtën e këtij informacioni, të kësaj transparence. Por ministrja dhe kryeministri thyejnë ligjin, duke heshtur me arrogancë.
Beteja vazhdon, sigurisht, unë nuk kam ndërmend të stepem.Por imagjinoni, miq, se çfarë transparence dhe përgjigje do të marrim për kontrollet në kopshte? Imagjinoni se çfarë përgjigje do të marrin qytetarët për kontrollet e shtetit në shkolla, në universitete, kontrolle të domosdoshme për sigurinë publike. Për të cilat ne paguajmë me paret tona, nga mundi ynë, me mijra njerëz. Asnjë përgjigje! Me arrogancën më të papranueshme.
Kjo paaftësi, kjo papërgjegjshmëri, kjo arrogancë janë po aq ulëritëse sa dhe britmat e vogëlushit të dhunuar, që na kanë rrënqethur si komb.
Sigal