Mesazhi, ‘hajde se mbaroi’, ja si i ndanë lekët anëtarët e bandës pas grabitjes në Rinas

456
“Hajde se mbaroi”. Kjo ka qenë telefonata e bërë mes dy të pandehurve Neim Avdulaj dhe Admir Çerpja, vetëm dy ditë pas grabitjes së 3.8 milionë dollarëve më 3 dhjetor 2015. Më datë 5 dhjetor, në banesën e Neimit kishte shkuar një person i quajtur A. (pa gjeneralitete të plota) dhe i ka dhënë 5 çanta me lekë.

Menjëherë pas kësaj, nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se Neim Avdulaj ka marrë në telefon Admir Çerpjan dhe i ka thënë “Hajde se mbaroi”. Këto para, Neimit i ishin dhënë që ai t’ua shpërndante personave që e kishin ndihmuar atë dhe “grupin” që të jepnin informacione për lëvizjet e blindave me para që do të bëheshin në drejtim të Rinasit.

Burime pranë hetuesve të çështjes bënë me dije se në të dyja grabitjet, atë të 3 dhjetorit 2015 dhe 9 shkurtit të këtij viti, Admir Çerpja ka pasur rolin e “sekserit”.

Fillimisht, u dyshua se Çerpja dhe personi tjetër që vijon të jetë në kërkim nga policia, Admir Murataj, ishin në rolin e organizatorit, por në bazë të deklarimeve të personave nën hetim, ka rezultuar se detyra e Çerpjas ishte ndërmjetës mes informatorëve dhe ekzekutorëve.

Kjo pasi, ditën e ngjarjes, më datë 03.12.2015, shtetasi Neim Avdulaj ka qenë në shtëpi kur i ka ardhur një mesazh nga shtetasi Ditjon Memlika, me tekstin “Kemi lëvizje sot”.

Një mesazh ditën e ngjarjes, Neim Avdulajt i ka ardhur edhe nga Fation Xhyliu, i cili e njoftonte për lëvizjen e mjeteve për në Rinas. Pas kësaj, Neim Avdulaj ka vënë në dijeni me SMS, personin që në celular e kishte të shënuar me emrin “shoku”. Neim Avdulaj nuk e dinte se kush ishte ky person që atë ditë kishte numrin celular ku ka nisur SMS-në.

Nga “shoku” i është kthyer përgjigjja “OK, në rregull”. Më pas, ndërsa ka qenë në banesë, Neim Avdulaj ka marrë vesh nga televizioni për vjedhjen e të hollave në aksin Qafë-Kashar – Rinas. Duke u nisur nga kronologjia e ngjarjes, edhe mbi faktin se dy ditë pas grabitjes së parave, Avdulaj ka telefonuar Çerpjan, dyshohet se ky i fundit ka qenë ndërmjetës në dhënien e informacioneve. Ndërsa, në lidhje me grabitjen e datës 09.02.2017, Avdulaj kishte si detyrë që informacionet që kishte t’ia kalonte Çerpjas.

Kështu, nga hetimet ka rezultuar se Avdulaj, përgjatë një periudhe prej 8 muajsh, ka qëndruar në një kafe të ndodhur në “E…” (qendër tregtare), nga ku ka parë lëvizjet e mjeteve të blinduara të bankës, me drejtim për në Rinas. Këtë informacion, personi nën hetim ia kalonte Admir Çerpjas Ditën e ngjarjes, informacioni është përcjellë me tekst “Doli vajza”.

Për të çuar SMS-në, Neim Avdulaj ka marrë dy numra te tregu i dollarit, nga të cilët njërin e kishte mbajtur vetë dhe tjetrin ia ka dhënë shtetasit Admir Çerpja. 
Sigal