Krimi në Pogradec, flet vëllai i viktimës: Mendova se i kishin vrarë, si i gjeta fëmijët e mitur

480
Konflikti mes një çifti bashkëshortësh është kthyer në një tragjedi të rëndë në një familje në fshatin Velçan të Pogradecit. Në sherr e sipër, gruaja 23 vjeçe ka goditur burrin e saj 26 vjeç me dru pas koke, duke e lënë të vdekur në vend dhe më pas i ka dhënë fund jetës duke u vetëhelmuar.
Trupat e pajetë të Fatbardha dhe Erzen Tora janë gjetur të pajetë në mesnatë rreth orës 00:10 në një kasolle pranë banesës së tyre, duke lënë jetimë dy fëmijët e tyre të mitur.

Ngjarja është zbuluar nga i vëllai Erzen Torës, i cili ishte lajmëruar me një SMS nga i vëllai që të shkonte ta merrte tek toka bujqësore e familjes, ndërsa pasi nuk e ka gjetur atje, ai është përballur me skenën kriminale. Menjëherë i riu ka sinjalizuar banorët, ndërsa ka lajmëruar edhe policinë për të sinjalizuar krimin.

Policia pasi ka ndërtuar skenën e ngjarjes, është përqendruar te zbardhja e shkakut që ka shtyrë 23-vjeçaren drejt aktit të rëndë. Pas marrjes së deklarimeve, është ngritur edhe dyshimi se ngjarja mund të ketë lidhje me grindjet mes bashkëshortëve për shkak të konsumit të alkoolit nga ana e Erzenit.

Duket se Erzeni shpesh pas pune shkonte i dehur në shtëpi dhe kjo gjë e mërziste bashkëshorten e tij. Prindërit e një vajze 3 vjeçe dhe një djali vetëm 9 muajsh sipas të njohurve dhe personave më të afërt me ta nuk kishin shfaqur probleme të theksuara në çift dhe jetonin në kushte të mira ekonomike, përveç zënkave për shkak të alkoolit, të cilat duket se kanë bërë që 23-vjeçarja të shkaktojë një tragjedi.

Burime të policisë bënë me dije se grindja në çift ka nisur disa orë para ngjarjes së rëndë, ndërsa ka qenë pikërisht vëllai i Erzenit, ai i cili ka zbuluar skenën e krimit.

Faktet rreth mënyrës se si ka ndodhur krimi kanë ngritur edhe dyshimet se ngjarja ka qenë e paramenduar nga ana e 23-vjeçares, e cila ka lënë vajzën 3-vjeçare tek fqinja dhe foshnjën në gjumë në banesë, ndërsa nuk përjashtohet që SMS-në e dërguar nga telefoni i Erzenit ta ketë shkruar vetë ajo.

Erzeni në fshat njihej si një djalë shumë punëtor dhe marrëdhënia e tij me bashkëshorten nga jashtë është parë si një marrëdhënie e lumtur, pasi të gjithë banorët thonë se çifti shkonte shumë mirë, ndërsa Fatbardha nënë e dy fëmijëve, e cila u kthye në vrasëse përshkruhet si një e re shumë e sjellshme dhe mikpritëse.

“Gjithmonë kur shkonim, na priste shumë mirë. Ishte jo vetëm bujare, por edhe e dashur e nikoqire. Me Erzenin dukeshin të lumtur, lindjen e dy fëmijëve e pritën me gëzim të madh, nuk u mungonte asgjë. Të gjithë e respektonim dhe na respektonte. Nuk e di çfarë ndodhi që e bëri këtë gjë”, – shprehet Zilije Lushka, kushërira e Erzenit.

Mes tronditjes nga ngjarja e rëndë, vëllai i Erzenit, Aurest Torra ka treguar momentin kur ai është thirrur nga i vëllai që ta shkonte ta merrte dhe kur është përballur me skenën ku kishte ndodhur krimi.

Çfarë ndodhi me vëllain tuaj dhe nusen e tij?
Kisha dalë në fshat me disa shokë dhe sapo iu afrova shtëpisë. Me sa kujtoj, ishte ora 18:10 kur më erdhi një SMS në telefon nga numri i Erzenit. “Hajde më merr tek toka” më shkruante dhe unë u nisa. Tokën e kemi lart në kodër dhe nga shtëpia, në këmbë mban gati dy orë larg, ndaj sapo lexova mesazhin, u nisa direkt.

Në shtëpi çdo gjë dukej e qetë. Kur arrita atje, nuk e gjeta tim vëlla dhe as kunatën dhe mendova që mund të ishim shkëmbyer rrugës. Nisa të kthehem për në shtëpi, nuk mendova që mund të kishte ndodhur diçka e tillë. Sapo arrita këtu, hyra brenda dhe nisa t’i kërkoj. Nipi im ishte në krevatin e tij në gjumë, por në shtëpi nuk kishte njëri.

Çfarë bëre më pas?
Dola jashtë dhe nisa t’i kërkoj. U thirra në emër dhe po shikoja sa andej-këtej. Ishte errësirë në oborr dhe shkova të kontrolloj njëherë tek hauri i lopës. Sa hapa derën, pashë tim vëlla të mbuluar në gjak dhe pak më tej ishte edhe nusja e tij. Ishte diçka që më shokoi, nuk po u besoja syve. Iu afrova tim vëllai, por e pashë që ai nuk kishte shenja jete, fillimisht mendova mos kunata ime kishte humbur ndjenjat, por kuptova që edhe ajo ishte e vdekur.
Mendova se dikush i kishte vrarë…

Çfarë bëtë më pas?
Dola jashtë, kërkova ndihmë, thirra komshinjtë dhelajmëruam policinë, çfarë të bëja tjetër?! Nuk pashë edhe vajzën dhe nisa të dyshoj se ç’mund të kishte ndodhur. Në atë kohë mora vesh që vajza ishte tek komshia. E kishte lënë Fatbardha atje.

Si shkonin me njëri-tjetrin ata, a kishin probleme në çift?
Jo, shkonin shumë mirë me njëri-tjetrin. Unë jetoja me ta, sepse prindërit janë në Amerikë, por nuk kishim probleme. Si çdo çift ndodhte që të mos ishin dakord për diçka, por asgjë që të të çonte deri në një ngjarje të tillë. Kurrë nuk më shkonte ndërmend që ajo mund të arrinte deri këtu.

Po nga ana ekonomike kishit vështirësi?
Jo, përkundrazi. Vërtetë ky është një fshat i varfër, por Erzeni kishte traktorin dhe punonte shumë. Kjo na sillte të ardhura, ndërsa kunata ime merrej me punët e shtëpisë, kujdesej për fëmijët dhe kur kishte punë tek toka jonë, ndihmonte me sa mundej.

A mendoni se kjo ngjarje mund të ketë ndodhur nga dikush tjetër?

Jo, nuk kemi pasur asnjë konflikt. Unë në fillim dyshova, s’dija ç’të mendoja, por pastaj na tha policia sesi kishte ndodhur. Tani fëmijët i kemi lënë tek daja, ku t’i mbanim këtu.
Sigal