“Mendoj se Gjykata Kushtetuese të gjejë kurajën që t’i shfuqizojë sërish disa dispozita të këtij ligji”

560
Sigal

INTERVISTA/Ish-Kryetari i GjK Fehmi Abdiu: “Akti normativ i qeverisë për lirimin e banesave, veprim kundër Gjykatës Kushtetuese”

Fehmi Abdiu, ish-Kryetari i Gjykatës së Lartë, i cili shfuqizoi dy herë ligjin për lirimin e banesave të ish-pronarëve, në intervistën për “Telegraf” vlerëson se, akti normativ që miratoi Parlamenti është  kundër Gjykatës Kushtetuese dhe diskriminon familjet që banojnë në ato banesa.

– Zoti Abdiu, ministri Olldashi në debatin parlamentar për aktin normativ “Për lirimin e banesave të ish-pronarëve”, duke përmendur emrin tuaj, tha se, Gjykata Kushtetuese, në 2005 dhe 2007,  e rrëzoi aktin normativ të qeverisë, sepse kishte konflikt interesash. Është e vërtetë kjo?

– Unë jam çuditur se kam dëgjuar ndër të tjera ministrin Olldashi ishte përgatitur “mirë” me shpifje dhe mjaft trillime,  për të sulmuar e dëmtuar kundërshtarët e tij dhe eksponentë të së majtës. Ai  është shprehur se mua, PS-ja, që ishte në pushtet kur unë isha Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, më kishte vendosur në një banesë të ish-pronarëve. Më përmendi mua, siç përmendi edhe mjaft emra të tjerë, që i quajti ish-bllokmenë, partiakë, etj.. Nuk jam në gjendje të shpjegoj se si mund të arrijë një  ministër, të shpifë kaq shumë e kaq keq. Para së gjithash, në vitet që Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar ligjin në fjalë, unë kam qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

– Përse ju, faktet e ministrit i cilësoni shpifje?

– Sipas tij,  edhe Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar  2 herë ligjin përkatës për këtë problem, për lirimin e banesave të ish-pronarëve, sipas ministrit, Gjykata  Kushtetuese ishte shprehur në këtë mënyrë, sepse ish-Kryetari i Gjykatës kishte patur interes konflikti. Kjo mënyrë e të shprehurit dëshmon për formimin e tij të karakterit të dobët si shpifarak. Unë nuk kam qenë asnjëherë në banesë pronë e pronarëve të tillë.  Ky ministër  flet krejtësisht në mënyrë  mjaft të njëanshëm dhe  donte të thoshte që dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk kanë qenë të bazuara. Për të mos dalë hapur kundër autoritetit vendimmarrjes të këtij institucioni, që 2 herë me radhë ka shfuqizuar aktin normativ të qeverisë,  do t’i duhej  të bënte autokritikë në emër të ministrisë dhe Kryeministrit.

– Përse thoni që ministri duhet të bëjë autokritikë edhe në emër të Kryeministrit?

–  Qeveria ka krijuar mjaft probleme me atë ligj! Ajo deklaratë e ministrit është për të denigruar institucionin e Gjykatës Kushtetuese, aktivitetin e saj, vendimmarrjen e saj, detyrimin për të respektuar e zbatuar vendimin e saj. Së dyti, ajo deklaratë është bërë enkas për të më dëmtuar mua si ish-kryetar i asaj gjykate. Edhe sikur unë të isha në banesë të ish-pronarëve, asgjë nuk më fajësonte mua, sikurse nuk ka asnjë rrethanë fajësimi për ata familjarë që ende banojnë në shtëpitë e ish-pronarëve. Ashtu,  sikurse nuk i tha kurrkush këtij ministri, që të fajësojë gjyshin e  tij,  i cili, me sa di, ka banuar jo në një banesë, por në vilë të ish-pronarëve, brenda në ish- Bllok. I them këtij ministri, të mendohet mirë para se të flasë në Parlament, të maturohet para se të shpifë, të thellohet për nevojën dhe domosdoshmërinë e autokritikave të rasteve të tilla.

– Përse ishte shfuqizuar më përpara ligji në fjalë?

– Neni 9 i ligjit nr 9235, datë 29.07.2004 është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese me vendimin nr 26 datë 02.11.2005 si i papajtueshëm me Kushtetutën e Shqipërisë, duke e arsyetuar, ndër të tjera se: kjo dispozitë dhe ligji në tërësi bëjnë ndryshime esenciale tek të drejtat e qiramarrësve. Kështu, ndërsa në dispozitat e mëparshme shteti merrte përsipër të zgjidhte strehimin duke i bërë kërkuesit pronarë mbi të njëjtat kritere që përfitoi pjesa tjetër e popullit, dispozita e kontestuar nuk parashikon këto detyrime të shtetit. Qiramarrësve u imponohen zgjidhje të reja, haptazi të pafavorshme e cilësisht të dallueshme nga ato të mëparshme.  Ligji parashikon edhe masa të tjera, të cilat e keqësojnë në një shkallë të ndjeshëm pozitën e qiramarrësve. Gjykata Kushtetuese, gjithashtu, është shprehur se ka shkelje me karakter konceptual, të cilat cenojnë parimin e sigurisë juridike, si pjesë përbërëse dhe e rëndësishme e shtetit të së drejtës. Më pas, Gjykata shprehet se ligji favorizon pronarët e banesave, por nga ana tjetër ajo diskriminon një grup tjetër, duke ia cenuar të drejtën minimale për të jetuar, atë të pasjes të një strehe. T’u mohosh të drejtën shtresës së qiramarrësve për t’u bërë pronarë, t’u ndërpresësh kontratën e qirasë pa garantuar srtehë tjetër, janë veprime që nuk përligjen me interesin publik.  Më vonë, me vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese, prapë e ka shfuqizuar ligjin nr 9583, datë 17,07.2006, si të papajtueshëm me Kushtetutën, sepse: Rregullimi ligjor i bërë nëpërmjet nenit 9, të ligjit ofron po ato alternativa që ofronte neni 3 i shfuqizuar, të cilat janë konsideruar jokushtetues. Më poshtë gjykata arsyeton se një pjesë e qiramarrësve të banesave ish-pronë private kanë përfituar banesë, Për pasojë, një trajtim më i pafavorshëm i pjesës tjetër të qiramarrësve, të cilët janë në të njëjtat kushte me të parët, përbën një diskriminim jo kushtetues.

– Këtë akt normativ të qeverisë, e cila sapo u miratua në Parlament, për herë të tretë, ju do ta vlerësonit të përmirësuar, nga të parat, që u rrëzuan në Gjykatën Kushtetuese?

– Gjykata Kushtetuese e ka vlerësuar maksimalisht  të drejtën e ish-pronarëve. E ka nënvizuar në vendimmarrjen e saj domosdoshmërinë e lirimit të atyre banesave.  Në pjesën arsyetuese të vendimmarrjes është shprehur me qëndrim kritik ndaj organeve përkatëse që nuk u kanë kthyer pronën atyre. Ajo nuk mund të pranonte, që një padrejtësi, siç ishte dorëzimi i banesave të ish-pronarëve të zgjidhej me një padrejtësi tjetër. Ky është gabimi i madh në demokraci. Demokracia kërkon që çdo padrejtësi të zgjidhet në rrugë të drejtë kushtetuese, ligjore, të drejtë. Por ekzekutivi, jo vetëm që nuk zbatoi vendimin e Gjykatës, detyrim ligjor dhe kushtetues, por ka shpikur një zgjidhje tjetër, duke vepruar enkas, kundër vendimit të Gjykatës, për të politizuar problemin, një qëndrim “të ri”, duke vepruar nëpërmjet aktit normativ.

– Cili është argumenti juaj kundërshtues?

– Së pari, kjo maxhorancë e ka çuar dy herë në Parlament. Së dyti, është autoriteti i Gjykatës Kushtetuese që ka urdhëruar legjislativin të plotësojë boshllëkun e krijuar dhe ligji i përmirësuar të çohet në Parlament, me standarde kushtetuese. Dhe së treti, maxhoranca, kjo dhe të mëparshme, asnjëherë nuk e kanë vlerësuar seriozisht, ta konsideronin  këtë problem si shumë urgjent, me pasoja shumë të pariparueshme, me probleme shumë emergjente, që edhe këto të kërkohen konform nenit 101 të Kushtetutës. Ky qëndrim, nëpërmjet Aktit Normativ, është i qëllimshëm i bërë enkas kundër banorëve që banojnë në ato banesa të ish-pronarëve. Në thelb mendoj se me aktin normativ që miratoi Parlamenti, i vë familjet që jetojnë në banesat e ish-pronarëve në kushte diskriminimi, në kushte mjaft të vështira ekonomike, sepse këto familje janë ekonomikisht shumë dobët, në pamundësi për të shlyer kreditë që u ofrojnë.

– Qeveria, -ju thatë, -nuk ka zbatuar detyrimet që përcakton Gjykata Kushtetuese në vendimet e saj?

– Kjo është ideja më themelore e këtij problemi. Pas vendimit të parë, qeveria dhe gjithë organet ishin të detyruar të vepronin konform vendimit, e në mënyrë të veçantë,  domosdo, pas vendimit të dytë, të merrnin masat politike ekonomike, juridike, që të zbatonin rigorozisht vendimin. Për mua është e pafalshme, që një maxhorancë, sidomos pas vendimit të dytë, të mos dojë ta njohë vendimin, e për më tepër të veprojë në kundërshtim me frymën dhe përmbajtjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

– Ju faleminderit!