Përsëri tritol. Përsëri në Sarandë. Vetëm pak kohë pas ndryshimit të orës, tritoli ka përshëndetur ndryshimin e orës (ishalla nuk është edhe ndryshimi i orës për policinë në zbulimin e krimit). Shpërthimi i fundit i eksplozivit tmerrues për qytetin ka ndodhur mëngjesin e së dielës, ndaj një oficeri të policisë gjyqësore. Fatmirësisht, vetëm dëmtimi i automjetit personal të oficerit. Mendojmë se ky ka qenë edhe vetë qëllimi i autorëve, për të nxjerrë jashtë loje këtë shërbim të shtetit. Policia punon, ashtu siç ka punuar për dhjetëra raste tritoli në këtë qytet dhe rezultati dihet, por opinioni publik shprehet tek bashkëpunimi i policisë me persona të kontingjentit keqbërës. Saranda brenda dy muajsh është kthyer në një qytet problematik: Shpërthime tritoli në godina biznesi, në automjete, vrasje njerëzish, plagosje të rënda, vjedhje banesash e njësive tregtare dhe….mos zbardhje të autorëve. Terrori i Sarandës, si në asnjë qytet tjetër të Shqipërisë, ka domethënie, por askush nuk e vë dorën në zjarr! Kush e ka radhën?! Prokuroria është e dyta herë që hidhet në erë, policia (oficerët) e disata herë. Asnjë gjë që të tregohet se terrori do ketë përfundim. Jo. Krimi dhe terrori vepron, derisa policia e shtetit është e paaftë, për të mos thënë, që është e inkriminuar me botën e krimit të organizuar.