Agron Duka: “Administrata publike që ndërtohet është politike, jo profesionale”

608
Sigal

Deputeti i PR-së, Agron Duka, në intervistën për “Telegraf”, duke iu referuar shkarkimeve dhe emërimeve të deritanishme në administratën publike, thotë se, maxhoranca e re, nuk duhet të justifikohet se kështu ka bërë edhe PD-ja në 2005-s, pasi kjo, sipas zotit Duka, do të thotë që nuk kemi bërë progres. Ndërsa, duke vlerësuar hapat e parë të qeverisë “Rama 1”, zoti Duka, gjykon se, nuk ka as strategji, as prioritete, por veprimet mbeten akoma në sferën e premtimeve. Përsa i përket çështjes së statusit kandidat, zoti Duka, thotë që ky është një proces gjithëpërfshirës, nuk mund të bëhet çështje merite apo edhe e disfate vetëm për maxhorancën. Ish-deputeti i zgjedhur me PR-në, Duzha, i dha maxhorancës mundësinë që të plotësonte 84 vota në miratimin e Aktit Normativ “Për nëpunësin civil”, dhe zoti Duka, fenomenin e kalimit të deputetëve në kahe të kundërta politike nuk e quan “trafikim deputetësh”, por një të metë të Kodit Zgjedhor, pasi deputeti nuk zgjidhet si përfaqësues i votuesve, por si i zgjedhur i partive, nëpërmjet listave. 

– Zoti Duka, në debatin e deputetëve të minorancës, për Aktin Normativ të ndryshimit të buxhetit 2013, sidomos të atyre që ishin ministra, ata flisnin vetëm për arritje. A nuk duhej që ata vetë, të bënin edhe një autokritikë, meqë humbën zgjedhjet, pikërisht, për mosrealizimin e objektivave ekonomike?

– Unë nuk mund të gjykoj përgjigjet e tyre në seancën e fundit në Kuvend, por mund t’i vlerësoj ato në dy aspekte. E para, për pozicionin ku jam bashkë me ta në opozitë, ne kemi si armë përballë pozitës  fjalën dhe vetëm fjalën dhe, e dyta, Politikat Ekonomike gjithnjë kanë qenë, janë dhe do të jenë  të ndara midis palëve dhe  raportet diametralisht  në kundërshtime, supozime dhe ekspozime. Megjithatë, e rëndësishme është edhe fjala e pozitës qeverisëse, madje më shumë se ajo e opozitës, sepse është qeveria që do të menaxhojë këtë buxhet, prandaj në disa raste më duken të tepruara batutat e thëna nga ministrat, thjesht për efekt të çastit, sepse nesër ata do te gjykohen nga puna dhe jo nga fjalët.
Duke gjykuar nga hapat e para të qeverisë “Rama 1”, gjykoni se ka strategji, ka prioritete, që do të përmbushin pritshmërinë e votuesve?

– Të japësh premtime është fare e lehtë, por t’i mbash ato, vështirësia të provon, të lodh e, në fund, të hedh. Si natyrë, unë jam shpërthyes, por, në rastin konkret,  unë kam thirrur në ndihmë qetësinë qytetare,  maturinë e politikanit dhe luftën e opozitarit. I mbështetur tek to, besoj se do ta jap, siç duhet vlerësimin tim në të ardhmen për Qeverinë “Rama”.
– 2 aktet normative të qeverisë “Rama 1”, për shtyrjen e ligjit për nëpunësin civil dhe për disa ndryshime në buxhetin e 2013-s, përse ju i kundërshtuat? Thjesht për opozitë? Thelbi i tyre a nuk ka të bëjë me votën “Kundër” që dha elektorati qeverisë “Berisha”, si për administratën tërësisht militante dhe jo profesionale e jofunksionale, por edhe për buxhetin e mjerueshëm?

– Aktet Normative nuk janë zgjidhja më e mirë për pozitën e re. Ne duhet të mësohemi se të bësh politikë duhet thelbësisht e parimisht marrëveshje me të gjitha forcat politike, sigurisht kur veprimet janë të rëndësishme dhe larg precedentit që do ta bëjnë edhe ty nesër. Sipas meje, nuk mund të justifikohen shkarkimet dhe emërimet në administratë me faktin se kështu ka bërë edhe PD-ja kur erdhi në pushtet në 2005, sepse ne pretendojmë të bëjmë hapa para në këtë drejtim. Unë nuk jam kundra shkarkimeve të njerëzve të rekrutuar, jo për aftësi, por vetëm për kontribute partiake,  por jam absolutisht kundra emërimeve po për të njëjtën meritë për të cilën shkarkohen të parët, që do të thotë duhet punës t’i gjejmë njeriun sipas aftësive dhe jo njeriut punën sipas shkallës së militantizmit. Fatkeqësisht, në emërimet e bëra kohët e fundit, po vërehet i njëjti fenomen. Në krye të AKU-së vihet një oficer këmbësorie, drejtorë  që nuk kanë arsimin përkatës, madje, në disa raste, edhe pa arsim fare, vetëm e vetëm se kanë dhënë kontribute në fushata elektorale në mbështetje të forcave politike në pushtet. Ky është një dëm shumë i madh që i bëhet vendit, i cili besoj do të ndëshkohet me votë në të ardhmen.   
– Mendoni se kjo klimë politike konfliktuale do të dëmtojë procesin e integrimit të mëtejshëm të Shqipërisë në BE?
– Nuk mendoj se ka ndonjë politikan shqiptar, i cili kërkon të pengojë procesin e Integrimit Europian.

– Mos vallë ka një paramendim nga politika jonë, se me marrjen e statusit, u arrit gjithçka, ndaj parësore këtej e tutje, për ata, do të jenë interesat e ngushta partiake të dominojnë mbi kundërshtarin?

– Kush mendon kështu është një politikan i dobët dhe me një të ardhme të shkurtër, sepse, pikërisht, aty nis beteja e madhe në të cilën duhet gjithëpërfshirje e të gjithë shqiptarëve, forcave politike, madje e çdo individi të përgjegjshëm.
– Është strategji politike e maxhorancës dhe e opozitës që konfliktualiteti ekstrem, që pamë që në ditët e para të sezonit të ri politik, të karakterizojë marrëdhëniet e tyre, apo mendoni se në të ardhmen, do të ndërtohen të tjera raporte bashkëpunimi, të paktën për çështje të integrimit të Shqipërisë?

Shumë marrëdhënie varen nga sjellja e maxhorancës. Në përgjithësi, është ajo që monitorohet dhe  vlerësohet, por, megjithatë,  integrimi në Europë nuk është vetëm meritë apo disfatë  për atë forcë politike që është në pushtet, por është një çështje jo vetëm e politikës, por e të gjithë kombit.
Atëherë, kur më në fund, palët politike duhet të reflektojnë, që mbi interesat e tyre partiake, të ndërtojnë strategji politike në shërbim të integrimit?

– Për Integrimin Europian MENJËHERË!
Duhet t’i japim kohëbesimi maxhorancës, në nismën e saj politike se do të ndërtojë një administratë publike apolitike dhe profesionale, apo reformat, që ajo pritet të ndërmarrë në administratë, janë të paragjykuara?

– Edhe për kohën që kërkohet, edhe për paragjykimin e provokuar në pyetje, ne, opozita e tanishme, nuk do rreshtim  se luftuari për një politikë më të drejtë në Shqipëri, për një ekonomi më të mirë për të gjithë shqiptarët, për një vend që të ardhmen e meriton ta ketë përkrah Europës së zhvilluar. Jam i detyruar të përsëris, që administrata publike që po ndërtohet në përgjithësi nuk është apolitike  dhe profesionale, me përjashtime të pakta.

 Ky nuk është paragjykim, por fakt.

Kalimi i deputetëve në kahun tjetër politik, është pasojë e Kodit Zgjedhor

 – Si kjo maxhorancë, por edhe maxhoranca e kaluar, nëse i duhen 2-3 vota, që të ketë një shumë në Kuvend, për të kaluar çfarëdo projekti politik që dëshiron, i gjen votat me çfarëdo mekanizmi. Përse ndodh dhe çfarë shpreh në politikën tonë ky fenomen?

– Politika është e bazuar gjithnjë në numra, që po ta përkthesh i takon të jetë një llogari e thjeshtë matematikore me mbledhje dhe zbritje të rëndomta. Por unë mendoj se të udhëheqësh një komb, të drejtosh një qeverisje dhe të vendosësh për ligje në Parlament, nuk do të thotë se mjafton të bësh numrat që të kërkohen, sepse pikërisht këtu vëmendja dhe ndërgjegjja  kombëtare dhe ndërkombëtare nisin  vlerësimin e vërtetë, nga ku varet e ardhmja dhe fati për të gjithë ne shqiptarët. Sipas meje, ky fenomen vjen edhe si pasojë e Kodit Zgjedhor, sepse deputetët e fshehur në listat e partive, e kanë më të lehtë të lëvizin nga një krah në tjetrin, se sa ata që kanë  dalë nga  përballje direkte maxhoritare.
– Ju si politikan dhe ne si elektorat duhet ta paragjykojmë këtë fenomen trafikimi të deputetëve në kahe të kundërta politike, nga ai votëbesim që i ka dhënë elektorati?

– Nuk kam dëshirë ta quaj trafikim, por lëvizje për arsye të ndryshme, në kohë dhe momente të kërkuara. Këto ndodhin edhe në vende të tjera, por tek ne e dënueshme është mënyra dhe shpeshtësia e fenomenit, lëvizje të tilla, megjithëse nuk ndalohen juridikisht, duhet të dënohen moralisht, ndoshta media dhe opinioni publik duhet të jenë më aktiv në këtë drejtim.