Krimi dhe atentatet terrorizojnë vendin, dy të vrarë në fundjavë

440
Sigal

Krimi që tashmë i ka bërë sfidë policisë, ka shënuar viktimat e radhës dhe në fundjavën që shkoi. Sipas statistikave zyrtare, në harkun e më pak se 24 orë, janë ekzekutuar në atentate dy persona, njëri prej të cilëve biznesmen. Viktimat e atentateve janë biznesmeni Aurel Zenga dhe 39-vjeçari Nikolin Rrapaj, i sapokthyer nga emigracioni. Njëkohësisht, në një nga këto atentate, ka pasur dhe të plagosur të tjerë. Nga i njëjti burim mësohet se për vrasjen e biznesmenit, janë arrestuar disa persona, ndërsa për vrasjen e emigrantit, personat vazhdojnë të jenë anonimë. Po gjatë fundjavës, konfirmohet se është bërë arrestimi i një personi tjetër në Vlorë pasi kërcënonte kreun e Komunës së Bratajt me jetën, nëse nuk i jepte para… Ndërkohë, qytetarët kërkojnë nga titullarët e policisë, kreu i Ministrisë së Brendshme që të rrisin forcën goditëse për parandalimin e krimeve të rënda, e jo të mjaftohen me evidentimin e pasojave, qoftë dhe me arrestimin e një apo disa të dyshuarve.

VRASJA E BIZNESMENIT

Vrasja e biznesmenit Aurel Zenga, pronar i një lokali në zonën e ish-“Bllokut” në orët e vona të së premtes dhe dyshohet të jetë bërë për çështje borxhesh, paraprirë me konflikt fizik. Mësohet se Agron Goxhaj ishte personi me të cilin Zenka ishte konfrontuar fizikisht në grindjen e mesditës së të premtes, ndaj fill pas krimit uniformat blu ishin fokusuar kryesisht në kapjen e 40-vjeçarit. Orë më vonë, policia ndaloi në Durrës disa persona si të dyshuar për atentatin ndaj biznesmenit. Të arrestuarit janë: Agron Goxhaj, Enton Ibrahimi, Alket Halitaj, Artan Hasani dhe Andi Veshi. “Në bashkëpunim Drejtorinë e Policisë Qarku Durrës dhe Forcat Speciale RENEA bënë të mundur kapjen e autorëve të dyshuar të vrasjes së shtetasit Ariel (Aurel) Zenga. Pas marrjes së informacioneve, u organizua puna mbi lokalizimin e vend ndodhjes së tyre, të cilët u kapën në afërsi të vendit të quajtur ‘Kali i Trojës’ në qytetin e Durrësit”,-konfirmojnë burimet zyrtare të policisë. I njëjti burim shton se  “shtetasit e sipërpërmendur në bashkëpunim me njëri tjetrin së bashku me shtetasin Edison Kajtazi (i shpallur në kërkim), janë autor të vrasjes së shtetasit Ariel Zanga e ndodhur dy ditë më parë në rrugën “Ali Demi” Tiranë. Nga hetimet e kryera dyshohet se motiv i kësaj ngjarje është një llogari e pashlyer përmes viktimës dhe autorëve. Shtetasit u arrestuan për veprat penale të ‘Vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim’ dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake’”. Në vrasjen e Zenës ka pasur dhe të tjerë të plagosur.

VRASJA NË PATOS

Në Patos, është ekzekutohet në pritë babai i tre fëmijëve. Viktima Nikolin Rrapaj është qëlluar për vdekje me 5 plumba pistolete në hyrje të pallatit të tij. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit bënë me dije se ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë në lagjen “29 Marsi” të qytetit të Patosit. Mësohet se 39-vjeçari kishte vetëm 3 javë që ishte kthyer nga Greqia, ku kishte emigruar prej shumë vitesh. Paraprakisht dyshohet që ngjarja ku mbeti i vrarë 39-vjeçari të ketë ndodhur për shkak të ndonjë konflikti që ai mund të ketë pasur me persona të tjerë. Ndërkohë që po hetohet dhe e kaluara e tij jashtë vendit. Sipas informacioneve 39-vjeçari ka precedent penal për vjedhje me dhunë në Itali dhe kohët e fundit hetohej edhe për shfrytëzim prostitucioni. Mësohet se babai i tre fëmijëve të mitur banonte në katin e 4 të pallatit 5-katësh. Në momentin që ai ndodhej në hyrje të pallatit, agresorët e kanë qëlluar me 5 plumba pistolete, duke e lënë të vdekur në vend. Krismat e armës kanë shkaktuar panik tek banorët e lagjes si dhe kanë alarmuar policinë. Blutë kanë mbërritur shpejt në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet. Brenda një kohe të shkurtër policia ka ngritur postblloqe të shumta në hyrje dhe dalje të qytetit të Patosit dhe të Fierit me qëllim kapjen e agresorëve. Por, megjithëse është bërë krehja e gjithë zonës, nuk është bërë i mundur identifikimi dhe kapja e vrasësve.

 ARRESTIMI

“Dje në mesditë u konfirmua arrestimi i 31-vjeçarit Ermal Rrapaj banues në lagjen “Uji i Ftohtë” Vlorë pasi prej disa muajsh e kërcënonte me mesazhe telefonike kreun e Lomunës Brataj duke i kërkuar një shumë të madhe parash”