Një 23-vjeçar, i dënuar më parë për vjedhje, është arrestuar nga Policia e Tiranës pas një serie vjedhjesh të kryera brenda 48 orëve. Operacioni policor, i koduar “Repeater”, u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të hetimeve për goditjen e veprimtarisë kriminale ndaj pronës dhe pasurisë.
Sipas njoftimit zyrtar, i riu O.T. u identifikua dhe u vu në pranga pasi dyshohet se më 8 prill ka kryer tre vjedhje me thyerje në markete dhe dyqane të ndryshme në kryeqytet. Një ditë më pas, më 9 prill, ai ka vjedhur pesë biçikleta në rrugë dhe në ambiente banimi, pronë e katër qytetarëve.
Operacioni u bazua në informacione të siguruara nga inteligjenca policore dhe kallëzimet e qytetarëve të dëmtuar. Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse i arrestuari është i përfshirë në vjedhje të tjera.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.