Kosovë, shkon në pesë numri i viktimave nga koronavirusi

298
Sigal

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKPSHK) njoftoi të martën mbrëma edhe për 19 raste të reja me koronavirus, në tre grupe testimesh që janë bërë në Kosovë.

Ndërkohë që numri i viktimave ka shkuar në pesë. Bëhet e ditur se, gjithashtu, gjashtë të infektuar tashmë janë shëruar nga pandemia COVID-19.

Në komunikatën e lëshuar për media, IKPSHK-ja tha se gjithsej janë testuar 259 mostra.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, shtatë prej tyre me vendbanim në Smrekonicë-Vushtrri, tre me vendbanim në Prishtinë, dy me vendbanim në Senik-Malishevë dhe nga një rast nga vendbanimet Llashkadrenovc-Malishevë, Sazli-Ferizaj, Ujmir-Klinë, Gjakovë, Gjilan, Topanicë- Kamenicë dhe Vushtrri”, thuhet në njoftim.

IKPSHK-ja po ashtu bëri të ditur për shërimin e gjashtë pacientëve, që e çojnë në 30 numrin total të të shëruarve nga koronavirusi në Kosovë.

Nga radhët e komunitetit serb në Kosovë janë infektuar 33 persona, ndërsa një ka humbur jetën. Komuniteti serb i raporton rastet në Serbi.