Kërkonte 1.000 euro për “nderin” e kushërisë, 29-vjeçari para gjykatës

450
Prokuroria për Krime të Rënda ka përfunduar hetimin dhe ka dërguar për gjykim çështjen ndaj Koxha Ismailaj, nga Berati, i akuzuar për veprën penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie”.
Ngjarja për të cilën akuzohet Ismailaj ka ndodhur në gusht 2014, kur i akuzuari ka kërcënuar shtetasin R.N se duhet t’i jepte 1 mijë euro, në të kundërt “do t’i fustë plumbin kokës”.
Sipas hetimit, rezulton se shkak për këtë kërcënim ka shërbyer dyshimet që i 29-vjeçari Ismailaj ka pasur për një lidhje të mundshme intime ndërmjet të dëmtuarit R.N dhe kushërirës së të akuzuarit.
Gjatë konfrontimit të fundit më 18 gusht 2014, mes 29-vjeçarit Koxha Ismailaj dhe të dëmtuarit R.N, ky i fundit ka mbetur i plagosur në krah me thikë.
Historia, nga kërcënimi te plagosja me thikë
Më datë 18 gusht 2014 rreth orës 22.30 është paraqitur në Drejtorinë e Policisë Qarkut Berat, shtetasi R.N, i cili ka kallëzuar veprën penale të “ shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë ”, ku ai akuzonte shtetasin Koxha Ismailaj i cili e kishte kërcënuar duke i kërkuar shumën prej 1.000 euro. Në rast se i dëmtuari nuk ia jepte shumën e kërkuar ai do ta vriste.
Për këtë problem i dëmtuari ka biseduar më shtetasin V.S., i cili kishte njohje me të dy palët si të dëmtuarin edhe me të dyshuarin.
Sipas tij, i pandehuri Koxha ia kërkonte këtë shumë të dëmtuarit si shpërblim pasi i dëmtuari, sipas të dyshuarit kishte marrdhënie intime me një kushërirë të të dyshuarit. I dëmtuari ka biseduar edhe me një punonjës të lokalit të tij të quajtur E.S., të cilit ia ka shpjeguar problemin që kishte dhe së bashku kanë shkuar për të takuar të dyshuarin Koxha.
Ata janë takuar ne datë 18.08.2014 rreth orës 21.30 në rrugë ku i dëmtuari i ka kërkuar shpjegime të dyshuarit se përse i kërkonte 1.000 euro. I pandehuri i është përgjigjur se i linte tri ditë kohë ndryshe do ti fuste plumbin kokës. I dëmtuari i ka thënë se nuk kishte lindur akoma ai që i vendoste atij gjobë dhe është nisur për tu larguar. Në atë moment i pandehuri ka nxjerrë nje thikë dhe e ka goditur të dëmtuarin i cili është mbrojtur, por ka marrë vetëm një plagë në krahun e majtë. Menjëherë i dëmtuari është drejtuar për në polici ku dhe ka bërë kallëzimin për veprën penale që i kishte ndodhur.
Oficerët e Policisë Gjyqësore i kanë marrë kallëzimin me shkrim të dëmtuarit dhe kanë pyetur edhe personat të cilët ai i përmend në kallëzim si dhe kanë marrë vendim për kryerjen e ekspertimit mjeko ligjor lidhur me dëmtimet që i ishin shkaktuar atij. Kështu është arrestuar Koxha Ismailaj si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të penale “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” të parashikuar nga neni 109/b i K.Penal. Ndaj tij, Gjykata me vendimin nr . 411 datë 21. 08.2014 ka caktuar masën e sigurimit përsonal “arrest në burg” të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale. 
Sigal