INTERPOL-i zbarkon në Shqipëri, ‘zgjon’ policinë shqiptare e bllokon laboratorin gjigand të drogës

512
Sigal

Mes të arrestuarve dhe nipi i Enver Hoxhës e 2 kolumbianë. Operacioni pas 6 muajve hetim nga ndërkombëtarët. Bllokohen 120 kg heroinë, 4 ton përzjerës, 300 mijë euro, armë e municione

Europa, e shqetësuar nga aktiviteti kriminal në Shqipëri dërgon me urgjencë INTERPOL-in dhe EUROPOL-in për të zbuluar një nga laboratorët më të mëdhenj të drogës e për të arrestuar bandën ndërkombëtare të trafikantëve, duke ‘zgjuar nga gjumi’ dhe policinë shqiptare, e cila, me sa duket, nga dita në ditë po humbet terren përballë krimit që vazhdon të sofistikohet. Fakti(sipas burimeve jo zyrtare) që organizatorët e operacionit që hetonin rreth 6 muaj e vënë në dijeni policinë shqiptare në momentin e operacionit, le të kuptohet se fqinjët kanë vepruar në këtë mënyrë për të evituar ndonjë dekonspirim të operacionit e dështim të tij. Mësohet se në këtë operacion të ndërkombëtarëve janë arrestuar 20 vetë, dy shtetas të huaj, e dy shqiptarë mes tyre të shoqëruar si të dyshuar si bashkëpunëtorë në këët aktivitet kriminal. Mes të arrestuarve është dhe Ermal Hoxha, nipi i udhëheqësit komunist. Janë bllokuar drogë, pajisje laboratori, mbi 120 kg heroinë, 4 tona përzierës, mbi 300 mijë euro cash, armë, municione, mbi 120 celularë, disa automjete, etj….

OPERACIONI

Një operacion ndërkombëtar i INTERPOL-it dhe EUROPOL-it ka çuar në shkatërrimin e një laboratori droge ditën e djeshme në Labinot-Fushë të Elbasanit, ku janë sekuestruar 121 kg lëndë narkotike e llojit kokainë, ku mes tyre 100 kg ishte kokainë e përpunuar, ndërsa janë vënë në pranga 8 persona, të dyshuar si pjesë e një rrjeti të mirë organizuar trafikantësh. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Xibraku” janë arrestuar 6 shtetas shqiptarë, dhe 2 shtetas kolumbianë, ndërsa janë shoqëruar edhe Ferdinand dhe Kastriot Imeri të dyshuar si bashkëpunëtorë. Gjithashtu në aksionin ndërkombëtar të policisë janë zbuluar dhe sekuestruar ndër të tjera 3 kg lëndë narkotike e papërpunuar, 3-4 ton përzierës, rreth 300 mijë euro cash si dhe armë zjarri.

AKTIVITETI KRIMINAL

Nga informacionet e marra nga policia bëhet e ditur se koka e grupit kriminal ishte Ilir Hyseni, i cili mësohet se është përgjuar i pari nga ana e autoriteteve të rendit. Më pas pista e përgjimeve është shtrirë edhe në personat e tjerë, ku i dyti është përgjuar edhe Hoxha, çka ka çuar më pas në zbulimin e grupit të trafikantëve. Mësohet se laboratori i drogës gjendej brenda një ish-magazinave të rezervave të shtetit të braktisura dhe jofunksionale që në vitet 1997, në zonën e Labinotit-Fushë, dhe ku operonte një firmë e cila grumbullonte bimë medicinale. Dyshohet se në mesin e këtyre bimëve medicinale, të cilat vinin nga vendet e Amerikës Latine, transportohej edhe lëndë narkotike e cila më pas përpunohej në këtë laborator dhe më pas për t’u eksportuar drejt vendeve të Europës.
LABORATORI I DROGËS

​Burime nga vendi i ngjarjes, bëjnë të ditura se në këto magazina, operonte një ndër firmat më të mëdha grumbulluese të bimëve medicinale në vend, por që më pas atë e eksportonte vetëm në Gjermani. Dhe pikërisht, po të njëjtat burime saktësojnë se sinjalizimi për këtë laborator droge është dhënë nga ana e autoriteteve gjermane ndërsa i gjithë operacioni i zbulimit të këtij laboratori droge është bërë i mundur falë hetimeve prej të paktën 6 muajsh të kryera nga ana e INTERPOL dhe EUROPOL. Por nga ana tjetër operacioni për shkatërrimin e tij mësohet se është kryer nga ana e policisë gjermane. Sipas burimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pohuan se organizata kriminale ka investuar 20 mln euro pasuri të patundshme në qytete të ndryshme të Shqipërisë, të cilat bëhet e ditur se do të sekuestrohen. Ndërkaq, hetimi për zbulimin e rrjetit të trafikut dhe të personave të tjerë të përfshirë, është shtrirë edhe në qytetet Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Vlorë. Në vendin e ngjarjes janë forca të shumta policie, ku po bëhen analiza për të kryer investigime lidhur me sasinë e drogës e cila është zbuluar në këtë laborator droge në Labinot-Fushë

DËSHMITË

Banorët thonë se dy magazinat iu dhanë me qira të njëjtit person, në të punonin 4 femra dhe një mashkull. Nga dëshmitë e marra nga vendi i ngjarjes, nga pohimet e banorëve mësohet se ish-magazinave të rezervave të shtetit është privatizuar, ndërsa ambientet e tyre, i janë dhënë me qira një personi. Sipas tyre, në magazinën e bimëve medicinale, brenda të cilit operonte firma, banorët kishin parë të punonin 4 femra dhe një mashkull. Sipas të dhënave, dy magazinat, përdoreshin njëra për bimët medicinale, dhe tjetra përdorej për përpunimin e drogës. Po ashtu bëhet e ditur se punëtorët, nuk dinin se çfarë bëhej në magazinën ku përpunohej droga pasi ata nuk lejohej që të hynin brenda saj, por vetëm të punonin në magazinën ku grumbulloheshin bimët medicinale. Nga ana tjetër, ambienti i laboratorit të drogës është i survejuar me kamera në të gjitha këndet, çka bën të mendosh se bëhet fjalë për një rrjet të mirë organizuar të trafikut të lëndëve narkotike.

 DETAJE DHE SHIFRA

-Zbulimi i laboratorit të drogës droge është bërë i mundur falë hetimeve 6 muajor të kryera nga ana e INTERPOL dhe EUROPOL.

-Policia shqiptare nuk ka pasur dijeni, po mbrëmë është vënë në dijeni të operacionit.

-Në laboratorin e drogës u sekuestruan 121 kg kokainë, ku mes tyre 100 kg ishte kokainë e përpunuar.

-U sekuestruan gjithashtu dhe 3 kg lëndë narkotike e papërpunuar, 4 ton përzierës, rreth 300 mijë euro cash, armë zjarri e municione

-Janë arrestuar 6 shtetas shqiptarë, shtetas kolumbianë dhe dy shqiptarë të tjerë janë shoqëruar si bashkëpunëtor.

-Janë shoqëruar për dëshmi deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme mbi 15 persona.

-Në Shqipëri, aktiviteti kriminal i bandës shtrihej ën Elbasan, Durrës, Tiranë, Vlorë…

-Ilir Hyseni është koka e grupit kriminal. Mes të arrestuarve është dhe Ermal Hoxha, nipi i Enver Hoxhës

-Droga sillej nga Amerika Latine, përpunohej në Elbasan dhe destinacioni ishte Gjermania e vende të tjera në Europë.

-Organizata kriminale ka investuar 20 mln euro pasuri të patundshme në qytete të ndryshme të Shqipërisë

TË ARRESTUARIT

-Ilir Hyseni nga Elbasani, arrestuar
-Gentian Gjonaj nga Elbasani, arrestuar
-Arian Dalipi nga Elbasani, arrestuar
-Klemend Dalipi nga Elbasani, arrestuar
-Ermal Hoxha nga Tirana, arrestuar
-Sajmir Batku nga Tirana, arrestuar
-Cezar Avila nga Kolumbia, arrestuar
-Ëalther Morena nga Kolumbia, arrestuar

-Ferdinand Ymesi, shoqëruar, bashkëpunëtor

-Kastriot Imeri, shoqëruar, bashkëpunëtor

***

Agron LIKU