I vjedh makinën kushërirës dhe më pas tenton ti vejë flakën

266
Sigal

Një 40-vjeçar është vënë në prangat e policisë së shtetit për shkak se akuzohet se i ka vjedhur makinën kushërirës së tij dhe ka tentuar më pas që ta djegë.

I arrestuari është Astrit Gjergji, 40 vjeç, banues në Kamzë.

Sipas policisë, ky person, në vendin e quajtur ‘Casa Italia’, rreth orës 17:30 të pasdites së djeshme, në një parkim vodhi makinën e  B. Gjergji, bazuar dhe në pamjet filmike.

Ky person u kap në tentativë për ta djegur mjetin, pasi e kishte lyer me lëndë djegëse (benzinë), por falë ndërhyrjes së shpejtë dhe në kohë të shërbimeve të Policisë u bë i mundur parandalimi i djegies së mjetit.

Njoftimi i policisë:

Vodhi automjetin e kushërirës së tij, kapet dhe prangoset nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në tentativë për ta djegur automjetin.

Gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasit, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, me marrjen e njoftimit se në vendin e quajtur ‘Casa Italia’, rreth orës 17:30 të pasdites së djeshme, në një parkim ishte vjedhur automjeti në pronësi të shtetases B. Gj., bazuar dhe në pamjet filmike, menjëherë organizuan punën për kapjen e autorit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Si rezultat e veprimeve të shpejta dhe profesionale, pas disa orësh kërkimesh u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Gj., 40 vjeç, banues në Kamzë.

Ky shtetas u kap në tentativë për ta djegur mjetin, pasi e kishte lyer me lëndë djegëse (benzinë), por falë ndërhyrjes së shpejtë dhe në kohë të shërbimeve të Policisë u bë i mundur parandalimi i djegies së mjetit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti, për veprime të mëtejshme hetimore. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale ‘Vjedhja’ dhe ‘Armëmbajtja pa leje’.