I dënuar me dy vite burg për mashtrim, arrestohet 32-vjeçari

Policia ka vënë në pranga një 32-vjeç, i cili ishte në kërkim për veprën penale mashtrimi.

Ndaj të riut, që u arrestua në zonën e Komunës së Parisit, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, e ka dënuar me 2 vjet burgim.

Sigal

Njoftimi i policisë:

Në zbatim të masave të përcaktuara në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit” u finalizua nga Sektori i Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në DVP Tiranë, operacioni policor i koduar “Fraud”.

Kapet dhe ndalohet një 32-vjeçar i dënuar me 2 vjet burgim, për mashtrim.

Shërbimet e Sektorit për Operacionet Speciale dhe Kërkimin në DVP Tiranë, në zbatim të masave të hartuara në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat, në lagjen “Komuna e Parisit”, u kap shtetasi R. H., 32 vjeç, banues në Tiranë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, e ka dënuar me 2 vjet burgim për veprën penale “Mashtrimi”.

Materialet i kaluan Prokurorisë.