Gradohet polici që rrahu për vdekje taksistin durrsak

520
Sigal

E ndërsa Prokuroria e Durrësit ka nisur procedimin penal ndaj shtetasit Arian Çali, me detyrë polic në grupin e gatshëm në Drejtorinë e Policisë Durrës, për “dhunë me pasojë jete” ndaj një qytetari, taksist në linjën Durrës-Spitallë”, dhunuesi  këto  ditë është rritur në gradë. Ngjarja e ndodhur para pak ditësh, në një prej akseve rrugore periferike të Durrësit, ka tronditur gjithë qytetarët e ndodhur aty pranë, tek kanë parë skena dhune nga dy policët e patrullës, ndaj shtetasit Bashkim Dragonji, shofer i një furgoni taksie. Bashkimi, atë ditë po çonte taksi, disa familjarë në varrezat e qytetit, kur është ndalur  qëllimisht nga dy policët, të cilët papritur e kanë sharë e kanë nisur ta dhunojnë derisa e kanë lënë pa ndjenja. Ai është dërguar me urgjencë në spitalin e Durrësit, në gjendje të rëndë për jetën, nga rrahja barbare, e cila u ushtrua nga dy uniformat e shtetit. Policët Ilir Vrioni dhe Arian Çali, janë dy policët e Drejtorisë Policisë Durrës, që aktualisht akuzohen nga Bashkim Dragonji, për “dhunë fizike me rrezik jete”, dhe çështja prej disa ditësh po ndiqet nga organi akuzës në qytetin bregdetar. Sapo kanë marrë denoncimin, Prokuroria e Durrësit ka caktuar oficerin e Policisë Gjyqësore Halil Ahmeti të mbledhë faktet dhe të marrë hollësira të tjera nga i plagosuri shoferi taksisë furgon Bashkim Dragonji.  Por si për ironi të kësaj ngjarje, sapo ka marrë lajmin e denoncimit, edhe polici Arian Çali, ka nisur të mbrohet nga ligji dhe fillimisht ka marrë 9 ditë raport mjekësor, (dhe jo ligjor) dhe ka pretenduar se, “edhe unë jam goditur nga shoferi furgonit”. Sa qesharake aq edhe e turpshme. Dhunojnë  qytetarin, dhe kthehen dhe akuzojnë për dhunë. Oficeri Policisë Gjyqësore  Ahmeti u shpreh se “jemi akoma në fazën e mbledhjes së fakteve, nga të dy personat, pasi edhe polici pretendon se është goditur, ndërkohë që shoferi Dragonji ka plagë të rënda, kemi nisur hetimin”. Organi akuzës në  Durrës, duhet  të jetë kompetent  në  hetimin  e kësaj  ngjarje e  cila tmerroi qytetarët e Durrësit, kur panë skenat e dhunës  makabre ndaj një  shoferi që po u shërbente disa familjarëve për hallin e tyre. Drejtoria e Policisë Durrës, vetëm 48 orë pas kësaj ngjarje e ka rritur në gradë policin Arian Çali, duke pretenduar se  “ e ka marrë gradën nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Shtetit”.  Policia e Shtetit, duhet të ketë norma dhe kritere  profesionale dhe ligjore  kur veçanërisht  gradon  dhe ç’ gradon në  detyrë punonjësit e saj. Nuk mundet kurrsesi të gradohet një polic apo zyrtar tjetër policie, kur ai ndodhet nën hetim, kur ai ka një denoncim nga  qytetari  apo institucioni, apo kur ai kryen veprime flagrante në kundërshtim me ligjin aq më  tepër  në publik. Polici është figura e shtetit dhe shërbëtor  i  ligjit, kurse në rastin konkret , polici ka dëmtuar imazhin e shtetit dhe ka shkelur ligjin. Bashkim  Dragonji, ky shofer furgoni taksi, nuk është kriminel, nuk është person  kontingjent i policisë, apo person që ka probleme me drejtësinë,  ndaj dhe është dhunuar publikisht. Kjo sepse policët, shpesh kur  atakohen me persona kontingjent të krimit, rrinë urtë, bëjnë shoqëri me ata, apo edhe marrin favore prej tyre.  Akti i dhunimit të shoferit Bashkim Dragonji, ka sensibilizuar  qindra qytetarë durrsakë, që duan nga organet e drejtësisë dhe Drejtoria e Policisë, të mbajnë qëndrim  ligjor dhe profesional  ndaj dy dhunuesve me uniforma. Qytetarët dhe familjarët e Dragonjit, kërkojnë nga hetuesit dhe SHKB, të hetojë veprimet  antiligjore të dy policëve, dhe të dalin me propozime konkrete dhe ndëshkime  ndaj tyre. Dhunimi i Bashkim  Dragonjit, është  dhuna  ndaj qytetarëve  të pambrojtur, është  dhuna ndaj atyre që  po shohin tek polici jo njeriun e ligjit, por njeriun e dhunës verbale dhe fizike, duke përdorur si mburojë “ligjin dhe uniformën”. Njërës të tillë nuk i duhen asnjë minutë policisë, pasi duke dhunuar  të pambrojturit dhe të pafajshmit, u jepet zemër elementëve kriminalë, të cilët shpesh bëjnë të fortin edhe kur qëllon t’i ndalojë ndonjë prej uniformave të shtetit.