Ministria e Drejtësisë përplaset me KLD-në për anëtarët e gjykatës

461
Sigal

MD: Rishkelet ligji. KLD: Kemi respektuar Kushtetutën!

 Vazhdojnë përplasjet midis Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku gjatë mbledhjes së djeshme ka pasur debate të forta midis këtyre institucioneve. Ministria e Drejtësisë akuzoi dje Këshillin e Lartë të Drejtësisë se gjatë mbledhjes së djeshme vijoi të shkelë ligjin me marrjen e një vendimi që përmbyll një proces të nisur në mënyrë të kundërligjshëm. Përmes një deklarate për mediat, MD shprehet se, ky proces i antiligjor i nisur që me shpalljen e vendeve vakante në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe i përfunduar me votimin e ditës së djeshme, përveçse është në kundërshtim me ligjin, mbetet thellësisht i politizuar, përsa kohë që u konfirmuan si kandidatura fituese, njerëz që kanë shërbyer në funksione politike. “Këshilli i Lartë i Drejtësisë tregoi me vendimin e sotëm se është i paaftë dhe inefiçent, në një kohë që prej dy vitesh nuk arrin të përmbylli procesin e riorganizimit të gjykatave, dhe nuk arrin as të zbatojë dekretin e Presidentit të Republikës, nr. 7818 datë 16.11.2012 “Për caktimin e numrit të gjyqtarëve për çdo Gjykatë të Shkallës së Parë dhe të Apelit”. Pasojë e kësaj mungese efiçence është fakti se në Gjykatën e Lushnjës prej më shumë se 200 ditësh, vijon një situatë absurde dhe e paligjshme, ky gjyqtarët nuk paguhen për detyrën që kryejnë. Rasti në Gjykatën e Lushnjës përbën një situatë të papranueshme dhe është tregues i qartë i mungesës së aftësisë dhe vullnetit të KLD-së, e cila mund të përbëjë një premisë të rrezikshme për veprime korruptive”. thuhen ne njoftimin e MD-se. Në kushtet e moskryerjes së detyrave funksionale, si dhe në vijimin e shkeljeve të ligjit nga ana e këtij këshilli, Ministria e Drejtësisë inkurajoi Komisionin e Ligjeve dhe Kuvendin që të ndërhyjë në mënyrë të menjëhershme për të ndaluar shkeljet flagrante të ligjit nga ky institucion. Menjëherë, mbas kësaj ka reaguar KLD-ja nëpërmjet një njoftimi për shtyp, në të cilin thuhet se: “Përkundrejt pretendimeve të Ministrit të Drejtësisë se KLD ka shkelur ligjin, gjejmë rastin të informojmë opinionin publik se vendimmarrja e sotme apo dhe ajo e datës 11 Prill 2014, me anë të së cilës janë shpallur vendet vakant, janë kryer në respektim të plotë të Kushtetutës e cila i ka atribuuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë të drejtën e patjetërsueshme të propozimit për emërim apo edhe të transferimit të gjyqtarëve nëpër gjykata. I gjithë kuadri ligjor në fuqi në zbatim të Kushtetutës, i ka dhënë Këshillit dhe jo Ministrit të Drejtësisë autoritetin e duhur për të qenë administruesi i sistemit gjyqësor dhe njëkohësisht i kontrollit të tij përsa i përket gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit”.

Ja deklarata e plotë e KLD-së

“Këshilli i Lartë i Drejtësisë në mbledhjen e datës 30 Qershor 2014, kishte në rendin e ditës shqyrtimin e kandidaturave për plotësimin e 4 (katër) vendeve në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, vende të shpallura vakant me vendimin nr. 41, datë 11.04.2014 të Këshillit. Si çdo herë, procedura e ndjekur në përzgjedhjen e tyre, ka qenë totalisht konform ligjit “Për organizimin dhe funksionimit të pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, konform të gjitha standardeve të përcaktuara nga Këshilli, si dhe në një proces votimi të hapur për të gjithë kandidatët që plotësojnë kriteret ligjore për emërim në këtë gjykatë. Përkundrejt pretendimeve të Ministrit të Drejtësisë se KLD ka shkelur ligjin, gjejmë rastin të informojmë opinionin publik se vendimmarrja e sotme apo dhe ajo e datës 11 Prill 2014, me anë të së cilës janë shpallur vendet vakant, janë kryer në respektim të plotë të Kushtetutës, e cila i ka atribuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë të drejtën e patjetërsueshme të propozimit për emërim apo edhe të transferimit të gjyqtarëve nëpër gjykata. I gjithë kuadri ligjor në fuqi në zbatim të Kushtetutës, i ka dhënë Këshillit dhe jo Ministrit të Drejtësisë autoritetin e duhur për të qenë administruesi i sistemit gjyqësor dhe njëkohësisht i kontrollit të tij përsa i përket gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit. Përkundrazi, Ministri i Drejtësisë në veprimtarinë e tij, nuk ka respektuar detyrimet për të propozuar shpalljen e vendeve vakant, jo vetëm në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, por dhe në të gjithë gjykatat e vendit, duke shtyrë gjykatat drejt një anormaliteti në funksionimin e tyre. Nëse Ministri do kishte shqetësim mirëfunksionimin e pushtetit gjyqësor, do të kishte vepruar prej kohësh në caktimin e ndihmesave ligjorë në gjykatat administrative. Megjithëse Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në mënyrë të përsëritur, i ka bërë atij thirrje që të ushtrojë kompetencat ligjore të parashikuara në nenin 6 të ligjit nr.49/2012, asnjë veprim nuk është ndërmarrë. Emërimi sa më shpejt i ndihmesave ligjorë në gjykatat administrative, do të ndihmojë ndjeshëm trupat gjyqësore gjatë ushtrimit të veprimtarisë e tyre, do të shërbejë në balancimin e ngarkesës së punës në gjykata. Këto janë detyrime që Ministri i Drejtësisë duhet të plotësojë jo si një nder apo favor ndaj gjykatave, por si një detyrim ndaj ligjeve të vendit. Nëse Ministri do kishte shqetësim mirëfunksionimin e pushtetit gjyqësor, ekskluziviteti që ai ka në fillimin procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve nuk duhet të bazohet në standarde të dyfishta, me qëllim në fakt për të goditur vetë KLD. Përkundrazi kjo kompetencë duhet ushtruar nga Ministri me transparencë, objektivitet dhe larg çdo lloj dyshimi të arsyeshëm për afera të çdo natyre. Deklarimet e Ministrit të Drejtësisë, bërë publike sot në media, se KLD ka shkelur hapur ligjin, apo thirrjet e tij për “ndihmë” drejtuar Komisionit Parlamentar të Ligjore vërteton edhe një herë se qëllimi i tij nuk është përmirësimi i sistemit gjyqësor, por vendosja e tij në kontroll. Këto tentativa në rastin më të mirë mund të konsiderohen padijeni ndaj ligjit dhe interpretimit të tij dhe në rastin më të keq janë gjetja e një preteksti për të realizuar një skenar ndërhyrje qëllim plotë në veprimtarinë e pushtetit gjyqësor nga pushteti ekzekutiv. Këto tentativa janë revansh i pastër politik ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndaj sistemit të drejtësisë, për të përfituar nënshtrimin e gjyqtarëve.

 Në mbledhjen e sotme nuk ka ndodhur asgjë nga e gjithë ajo antiligjshmëri që pretendon Ministri i Drejtësisë. Sot, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka bërë detyrën, duke plotësuar Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në mënyrë që ajo të funksionojë me një trupë të plotë gjyqësore, çka do të ketë veçse pasoja pozitive në shpejtësinë dhe në cilësinë e punës të asaj gjykate. Këshilli është dhe do të jetë gjithmonë i hapur për të bashkëpunuar me të gjithë faktorët politikë ose jo, në përmirësimin e sistemit të drejtësisë si një domosdoshmëri që e kërkon koha, që e kërkojnë partnerët tanë ndërkombëtarë dhe mbi të gjitha nevojat e qytetarëve.