Gazmend Leka: Si ilustrova “Tregimet e Moçme Shqiptare”

811
Sigal

Me këto ilustrime,  të cilat i dërgova në një ekspozitë, fitova Çmimin e Madh të Veprës më  të mirë të vitit

Gazmend Leka ilustruesi i “Tregimeve të Moçme Shqiptare” të Mitrush  Kutelit, tregon pas kaq vitesh në një video të bërë publike nga Qendra  Kombëtare e Librit dhe Leximit në kuadër të muajit të Letërsisë për  Fëmijë, kohët kur ilustronte këto rrëfime të dashura për të gjithë. Ja  çfarë tregon ai: Që nga fëminija, unë jam ushqyer me mite dhe
legjenda, sepse im atë shpeshherë kujdesej që të m’i afronte dhe të  joshesha ndaj tyre. Fillimisht fëmijët e fillojnë me figurën e  Skënderbeut, vazhdojnë me të gjitha figurat historike të cilat  bëheshin në librat e shkollës, te libri i këndimit, te libri i
leximit, e të tjera, por për herë të parë mbaj mend që kam rënë në  kontakt, – jo me shkrimet e Mitrush Kutelit, pasi kam qenë shumë i  vogël, dhe libri atëherë nuk ka pas dalë, – me një libër që quhej  “Trimat e Jutbinës”. E kam atë libër, por i është shqitur kopertina  dhe nuk e di kush është autori dhe ilustruesi i tij. Dhe unë
mahnitesha nga ky libër. Pastaj pashë librin e Agim Fajës, i cili  kishte ilustruar librin e Mitrush Kutelit, bëra një “paradhomë” me  librin “Balada popullore shqiptare” të Qemal Haxhihasanit, i cili ka  të bëjë me legjendat origjinale, dhe atë unë e ilustrova me goxha  ilustrime, dhe kjo ishte një nga magjitë e mëdha që mua më erdhi si
për fat, por edhe sepse gjatë gjithë jetës sime e kisha kërkuar, si me
thënë, pa dashje. U bë shtysë Brikena Çabej, pasi atëherë ka qenë  Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”. Brikena Çabej ishte redaktorja, dhe  më thërret një ditë dhe më tha, “Gazi, ngaqë ti je marrë shumë me  legjendat, je marrë shumë me Muzeun “Gjergj Kastrioti” në Krujë, je  shumë afër këtyre figurave, do të dëshiroja të bëje disa ilustrime për  librin e Mitrush Kutelit, “Tregime të Moçme Shqiptare”. Ajo donte të
bënte 5 a 6 ilustrime, jo shumë, por unë, kur e pashë librin, mendova  që këtë rast nuk duhet ta humbë dhe i thashë Brikenës: – “Brikena, a e  di si është puna? A ka mundësi t’i ilustrojmë të gjitha tregimet?  D.m.th. që çdo tregim të ketë edhe një ilustrim”. Ajo bisedoi në  redaksi, e të tjera, e të tjera, ranë dakord, dhe unë fillova punën
menjëherë. Unë, sigurisht, isha i përgatitur. Nuk isha përgatitur për
librin, por kisha në dosjet e mia goxha vizatime, dhe i kam bërë shumë
shpejt, i kam bërë gati për një muaj të gjitha ilustrimet, d.m.th.  gati-gati bëja një ilustrim në natë, ngaqë unë punoja më shumë natën,  pasi në mëngjes punoja dhe merresha me një tjetër gjë. Një ilustrim në  natë, por kur të vjen ai afshi i të krijuarit, pastaj ti nuk ndalon,  dhe pastaj unë mund të bëja edhe tri libra të tjerë si ky, d.m.th. aq
super-xhiro mora me librin. Nuk zgjodha t’i bëja me ngjyra, i thashë  Brikenës që është më mirë t’i bëjmë grafika, sepse momentin e  kontrastit e ka më të fuqishëm, plus që shtypi i asaj kohe, me ngjyra,  nuk është se do më jepte ndonjë vlerë shumë të madhe: do humbte shumë  në shtyp. Dhe grafikat pothuajse janë botuar si origjinali në
variantin e parë. Është shtypur në poligrafik dhe, kur mbaroi libri,
isha shumë i kënaqur. Libri u botua me gjithë parametrat e kohës, me  parametrat më të mirë. Pati një përkushtim nga të gjithë: retushierët,  teknikët, d.m.th. të gjithë bëmë një libër shumë të mirë. Pati shumë  bujë, pati jehonë, u shit menjëherë si libër, dhe me këto ilustrime,  të cilat i dërgova në një ekspozitë, fitova Çmimin e Madh të Veprës më
të Mirë të Vitit. Me një fjalë, u pagëzuan përfundimisht, por ajo që
ishte shumë e thellë për mua, ishte dëshira e madhe me të cilën unë
krijova një kordon ombelikal me Mitrushin. E doja shumë Mitrushin. Nuk  kishte shumë botime nga Mitrushi, por ishte një shkrimtar që edhe sot,  për mua, mbetet nga shkrimtarët më të mëdhenj, sidomos për fëmijët,  dhe sidomos me këtë libër, që mendoj se është një pasuri kombëtare  sot. Më bëri shumë përshtypje, ngaqë unë kisha lexuar këngët  origjinale të eposit, pse Mitrushi i quante këto “tregime”. Dhe ishte  shumë e vërtetë, d.m.th. kishte atë afshin e babagjyshit që i tregon  fëmijës shumë thjeshtë, d.m.th. kishte hequr atë gravitetin e rëndë të  vargut, të këngës, që ishte shumë i vështirë për fëmijët, dhe kishte  rënë në një tregim shumë të thjeshtë por me një shqipe të përsosur.  Atëherë unë kisha lexuar disa libra, p.sh. kisha lexuar Odisenë, që  ishte bërë shumë e thjeshtuar për fëmijët, dhe disa libra të tjerë të  fëminisë, por ishte shumë e çuditshme: ata ishin shumë tregimtarë të  thjeshtë për ta afruar tregimin, ndërsa Mitrushi i ka bërë sikur i ka  krijuar edhe vetë. Vërtet këtu është jehona e ngjarjes origjinale, por  duket sikur Mitrushi e ka bërë vetë të gjithën. Sigurisht që unë u  vura në një vështirësi shumë të madhe, në kuptimin që a do të arrija  dot unë që ta ilustroja maksimalisht, sepse nuk po bëja thjeshtë  pikturën time, por më duhej të kisha kujdes edhe mentalitetin e  njerëzve, përfytyrimet e njerëzve për Mujin, për Halilin, për dhitë,  për Bajlozin, d.m.th duhej ta merrje paksa në konsideratë se si t’i
përfytyroje, por rrugës unë sikur fillova dhe i lëshova pak frerët,  dhe krijova një proporcion shumë të madh të figurave, siç është  Bajlozi apo siç është Kuçedra apo shkëmbi që ngre Muji; dhe figurat e  Mujit, Vajzës së Diellit dhe Hënës dhe të disa personazheve, i bëra të  vogla për të arritur këtë lloj kontrasti. D.m.th. që e keqja vërtet
ishte një e keqe jashtëzakonisht e madhe, por një qelizë drite mund ta
shpërthente errësirën. U quajtën mistike, shumë veta, edhe pse i pëlqenin shumë, i quanin të  tilla. Por të thoje atëherë “mistike” nuk ishte kollaj, sepse
mistiçizmi në atë kohë gati-gati ishte një gjë e ndaluar, por,  megjithatë, ky libër kaloi. Gjithë jetën time thoja me vete, “Po tani,  me gjithë këto mundësi të reja që kemi, pse nuk e bëjmë edhe një herë  atë libër”. Dhe një ditë, rastësisht me Atalanta Paskon, të bijën e  Kutelit, po pinim një kafe dhe i thashë, “Atalantë, pse nuk e bëjmë
edhe një herë atë libër?”. “Po”, tha Atalanta, “edhe unë e kam menduar  ta bëjmë”. E bëmë me të gjitha parametrat, ruajta gjithë pamjen e  librit të parë, përveç kopertinës, d.m.th. ndryshova azhurin, por  titullin e shkrova në po të njëjtën mënyrë. Titujt që janë brenda në  libër janë po titujt e botimit të parë, ilustrimet janë po njësoj,
vetëm se tani janë të shtypura më mirë. Libri nuk ka ndryshuar fare,  d.m.th. edhe dy-kolonësh, formatimi i librit, mënyra se si vijnë  ilustrimet, është identik libri i parë, por që sot është bërë me një  lloj tjetër luksi. Plus kësaj, edhe duke shkuar në moshë, ajo çka është më e vërteta, më  e bukura, ashtu siç mund të kenë izraelitët Biblën e tyre, Testamentin  e Vjetër, apo arabët Kuranin, apo budistët, e të tjerë, ne kemi
baladat tona. Ne nuk po arrijmë dot që të kuptojmë se kemi baladat   tona me të njëjtën fuqi që kanë pasur ata. Ligjet e Moisiut gjen atje,  këtu ne kemi ligjet e Lekë Dukagjinit edhe disa ligje të tjera. Janë  gati-gati po njësoj. Ke disa përkitje të jashtëzakonshme, është e  njëjta gjë si strukturë. Dhe është shumë e çuditshme diçka që mund të
të bëj përshtypje këtu, që shqiptari i lutet diellit, i lutet hënës, i  lutet gurit, i lutet nimfave të pylli që janë zanat, i lutet qiellit,  i lutet lumit. Është një paganizëm i thellë, një paganizëm i vërtetë  dhe Zoti vetë nuk ka emër, siç mund të ketë në mitologjitë e botës.  Zoti ka emër në të gjitha mitologjitë; ne nuk kemi emër fare, ne themi
“O Zot”. Ke vënë një pikë qendrore, ke vënë një qenie të  jashtëzakonshme, por ti nuk tentuar t’i vësh një emër. Por e gjithë  struktura e saj, me të gjitha ligjet, të gjitha bëmat, më të gjithë  pështjellimin, është gati-gati identike me atë çfarë ndodh te
Testamenti i Vjetër, çfarë ndodh te Kurani, çfarë ndodh nëpër të  gjithë këta libra të mëdhenj e të vjetër. Nuk ka ndonjë shmangie shumë  të madhe dhe mund të them se ndoshta mund të vijë një ditë koha që ky  mund të jetë, si me thënë, Libri i Shqiptarit, Bibla, pasi bibël  d.m.th. libër, pavarësisht se ajo është veshur me atë lavdinë e vetë,
që është një gjë e frymëzuar nga Ai që vjen, që ka ardhur nga sipër.
Në fund të fundit, ato janë thjeshtë tregime, sigurisht që ka  hiperbola, mund të ketë metafora, por nga pikëpamja e thelbit, ato janë  thjeshtë ngjarje. Po ato ngjarje që mund t’i gjesh kollaj, jo tek  “Tregime të Moçme Shqiptare”, por në të gjithë mitologjinë tonë, duke  filluar nga legjendat më të vjetra, pasi ka legjenda akoma më të  vjetra se legjenda e Bunës, legjenda e sakrificës. Ke të bësh me  legjendën e krijimit, ke të bësh me disa legjenda, të cilat mendoj që  janë xhevahire po aq sa ç’mund të jenë xhevahire në mitologjitë e  tjera, në librat e tjerë, “të shenjtë” siç i quajnë ata. Ne s’kemi
arritur të themi që edhe ky libër është i shenjtë. Edhe ne kemi  korpusin tonë të shenjtë, mbi të cilin edhe mund të vëmë dorën e të  falemi. Mund të falen edhe Presidentët tanë, mund të falen edhe  Kryeministrat  tanë, mund të falet çdokush mbi atë.