Francë, arrestohet shqiptari që vrau prostitutën 15 vite më pare në Itali

663
Erjon Sejdiraj, një 37-vjeçar shqiptar, është arrestuar në Francë, me kërkesë të policisë italiane dhe në bashkëpunim me Interpolin, pasi akuzohet për grabitjen, përdhunimin dhe vrasjen e një prostitute në Itali, 15 vite më parë. Ngjarja e rëndë është shënuar pikërisht në dhjetorin e 16 viteve më parë. Viktima, e cila u vra dhe u varros nga shqiptari në afërsi lumit “Po”, në Piacenza ishte prostitutë Ponce Ramirez nga Ekuadori.
Sipas mediave italiane, Sejdiraj pas kryerjes së vrasjes është larguar në drejtim të Belgjikës. Ka qenë një telefonatë që ai ka bërë me prindërit e tij që jetojnë në Itali, që policia të vihej në gjurmët e vendndodhjes. Sipas mediave vendase, policia bëri të mundur arrestimin e tij në Francë, ndërsa të dhënat për identitetin, krimin dhe dënimin që ishte dhënë nga gjykatat italiane për shqiptarin ishin të shpërndara në të gjitha policitë e botës.
Sipas informacioneve që janë botuar në mediat italiane mësohet se shqiptari, pasi kishte mundur të humbte gjurmët, pas krimit të rëndë, kishte nisur një jetë të re me gruan dhe tre fëmijët e tyre, ndërsa familja e tij jetonte në Itali. Vrasja e vajzës nga Ekuadori, në vitin 1999, është konsideruar si një prej krimeve më të rënda të ndodhura për një dekadë në Piacenza, ku për fatin e keq, personat që u akuzuan për këtë ngjarje ishin të gjithë shqiptarë.
Për krimin e kryer dhe për përfshirjen në grupe prostitucioni në Itali, shqiptari ishte dënuar me burg të përjetshëm në mungesë, transmeton Shekulli. Ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij, Robert Ziu dhe Fatmir Vangjeli ishin dënuar me 23 vite burg. Sipas mediave, Robert Ziu është arrestuar dhe ndodhet në burg ndërsa Fatmir Vangjelaj është ende në kërkim.
Sigal