Dy të arrestuar për më pak se gjysmë grami kokainë

180
Sigal

Gjykata e Sarandës ka lënë në burg pak ditë më parë 41-vjeçarin Bledar Beduli dhe 42-vjeçarin Vasil Rraku, të arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Reklamat” për goditjen e shpërndarjes së narkotikeve.

Pas arrestimit të tyre policia nuk bëri publike sasinë e drogës së sekuestruar, por dosja e prokurorisë bën me dije se sasia e kapur është vetëm një dozë kokainë e cila sëbashku me ambalazhin rezultoi 0.4 gram. Pavarësisht kësaj, me kërkesë të Prokurorit Ilir Hoxha, Gjyqtari Fatmir Ndreu caktoi ndaj të dyshuarve masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Sipas Prokurorisë, ne 14 prill, pra tre ditë para kapjes në flagrancë, Prokurori kishte autorizuar lejimin e rregjistrimit të fshehte në vende publike të këtyre personave.

Rezulton se mbi autorizimin e prokurorit për lejimin e regjistrimit të fshehtë fotografik, filmik ose me video të personit në vende publike dt. 14.04.2022. personat nën hetim janë mbajtur nën mbikëqyrje dhe në dt. 17 prill 2022 inspektorët vëzhgues kanë mbajtur nën monitorim të vazhdueshëm subjektet e lartpërmendura duke ndërhyrë me qëllim kapjen e tyre. Ne fakt indiciet per hetimin e tyre duhet te datojne prej janarit te ketij viti, pasi ne dosjen hetimore vec te tjerash rezulton edhe nje “urdhër për ruajtjen e sekretit të hetimeve, i datës 26.01.2022”.

Më datë 17.04.2022, rreth orës 19:40, Oficerët e Policisë Gjyqësore në Komisariatin e Policisë Sarandë kanë konstatuar automjetet me targa “AA912 LT” dhe “AA508 JE”, të udhëtonin përgjatë rrugës së njohur me emrin “Rruga e pestë”, ku është konstatuar se drejtuesit e tyre, respektivisht shtetasit Denis Beduli alias Bledar Beduli dhe Vasil Rraku, janë takuar me njëri – tjetrin. Duke vlerësuar këtë të dhënë të konstatuar gjatë kryerjes së veprimit hetimor të vëzhgimit, Oficerët e Policisë Gjyqësore kanë ndërhyrë duke bërë ndalimin për kontroll të tyre, ku njerit prej te arrestuarve gjatë kontrollit fizik të ushtruar ne xhepin e majtë të tutave, i është gjetur 1 dozë e mbështjellë me letër ngjyrë të bardhë ku brenda saj ka material të ngurtë me ngjyrë të bardhë e dyshuar si lëndë narkotike kokainë.