Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur pasditen e së hënës në Portin e Durrësit, ku një jaht ka lëvizur nga vendi i ankorimit pa dijeninë e pronarit të tij.
Pronari i jahtit “Tamomar 2”, Dori Alikaj, ka njoftuar policinë pasditen e së hënës rreth orës 14:00, kur ka kuptuar se mjeti lundrues nuk ndodhej më në vendin ku ishte ankoruar disa ditë më parë.
Pas marrjes së informacionit, Alikaj ka lajmëruar menjëherë Kapitenerinë e Portit dhe Policinë Kufitare, ndërsa ka bërë kallëzim në komisariatin e Durrësit.
Reagimi i institucioneve ka qenë i menjëhershëm, dhe pas disa minutash, jahti është gjetur i ankoruar sërish në vendin fillestar, pasi personat që kishin marrë mjetin në mënyrë të paligjshme kishin tentuar të largoheshin nga zona e portit.
Policia ka shoqëruar tre persona për t’i marrë në pyetje dhe për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Ende nuk dihet sesi ata kanë arritur të nisin jahtin, pasi çelësat ndodheshin në posedim të kapitenit të jahtit, Memet Ayhan Ulus.
Hetimet janë në vijim, dhe autoritetet po përpiqen të zbardhin ngjarjen dhe të kuptojnë se si ka ndodhur ky incident.