Miqësia shumë vjeçare midis Bullgarisë dhe Shqipërisë është e qëndrueshme

Në kuadër të Samitit të 30-të të Procesit të Bashkëpunimit për Evropën Juglindore (SEECP), Presidenti i Republikës së Bullgarisë, z. Rumen Radev, zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë. Në një intervistë për gazetarin Selim Hoxhaj, ai ndau pikëpamjet e tij mbi marrëdhëniet e ngushta mes Bullgarisë dhe Shqipërisë, integrimin evropian të Shqipërisë dhe rolin e pakicës bullgare në vendin tonë. Presidenti Radev theksoi se dialogu politik mes dy vendeve është aktiv dhe i qëndrueshëm, falë miqësisë së gjatë dhe vlerave të përbashkëta. Ai shprehu mbështetje të qartë për rrugën evropiane të Shqipërisë, duke e konsideruar atë një shembull për rajonin. Gjithashtu, Radev theksoi rëndësinë e krijimit të një qendre kulturore bullgare në Shqipëri dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicës bullgare. Intervista trajton edhe synimin e Bullgarisë për anëtarësim në eurozonë dhe rëndësinë e përfshirjes së qytetarëve në këtë proces.

Z.President, kjo është vizita juaj e tretë në Shqipëri. Kjo tregon nivelin e lartë politik të marrëdhënieve midis vendeve tona. Cili është qëllimi i kësaj vizite në Tiranë?

NOA

Rumen Radev: Keni të drejtë që midis dy vendeve tona ekziston një dialog aktiv, që tregon për marrëdhënie dypalëshe të shkëlqyera. Gjatë viteve të fundit janë realizuar disa vizita zyrtare në nivel presidentësh. Presidenti Bajram Begaj ishte së fundmi në Sofje, ku mori pjesë në Samitin e nivelit të lartë në kuadër të Procesit të Akabës (Aqaba Process), të cilin e bashkëpritëm me Mbretin e Jordanisë Abdullah II. Po zhvillohen edhe kontaktet ndërparlamentare dhe bashkëpunimi sektorial – muajt e fundit u realizuan takime mes ministrave të turizmit, energjisë dhe mbrojtjes.

Falë miqësisë shumëvjeçare midis Bullgarisë dhe Shqipërisë marrëdhëniet  politike janë të qëndrueshme, nuk kemi çështje të hapura. Aleanca jonë në kuadër të NATO-s dhe përparimi i Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE përbëjnë një kornizë të fortë për vizionin tonë të përbashkët për stabilitet dhe zhvillim në Evropë dhe në rajonin tonë, në bazë të synimeve të përbashkëta.

Qëllimi im është të vazhdojmë dialogun aktiv në nivelin më të lartë, të thellojmë bashkëpunimin përmes nismave konkrete në ekonomi, energji, arsim, turizëm dhe siguri, si dhe të mbështesim përpjekjet e Shqipërisë në rrugën e saj evropiane.

Qëllimi i kësaj vizite lidhet para së gjithash me pjesëmarrjen time në Samitin e 30-të të Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore (SEECP), i cili mbahet në Tiranë. Kjo është një pikë kyçe, pasi Bullgaria do të marrë presidencën nga Shqipëria më 1 korrik të këtij viti. SEECP, si platforma kryesore politike për bashkëpunim rajonal që përfshin të gjithë pjesëmarrësit e rajonit, u iniciua në vitin 1996 pikërisht në Sofje, ndaj është simbolike që Bullgaria do të jetë në krye të kësaj nisme në periudhën kur shënohet 30-vjetori i saj.

Gjithashtu, gjatë kësaj vizite pata mundësinë të takohem me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, me të cilin ndajmë të njëjtin mendim se marrëdhëniet midis shteteve tona janë të shkëlqyera dhe bazohen në respekt të ndërsjellë, besim dhe vlera të përbashkëta. Besoj se përmes veprimeve të përbashkëta mund të zhvillojmë potencialin e plotë të partneritetit tonë në të mirë të shtetasve të të dy vendeve.

Shqipëria po punon për hapjen e kapitujve të fundit të negociatave me Bashkimin Evropian këtë muaj, me synimin që deri në vitin 2027 të përmbushen të gjitha kriteret, pra mbyllen kapitujt, dhe në vitin 2030 anëtarësohet me të drejta të plota në BE. Cili është mendimi juaj, z. President – a është i arritshëm ky objektiv?

Jam i impresionuar nga përkushtimi i institucioneve shqiptare dhe shoqërisë ndaj integrimit evropian. Bullgaria ka qenë gjithmonë një mbështetëse e vendosur dhe e qëndrueshme e rrugës suaj evropiane. Pikërisht Bullgaria ishte shteti i parë që mbështeti të ashtuquajturin “decoupling” – ndarjen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë nga ai i Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim që të mos pengohej përparimi juaj për arsye që nuk varen nga pala shqiptare. Kjo tregoi qartë se Bullgaria insiston që Shqipëria të vlerësohet vetëm mbi bazën e meritave të saj.

E ndjek me vëmendje përparimin e të gjitha vendeve kandidate nga rajoni dhe duhet të theksoj se përparimi i Shqipërisë është i jashtëzakonshëm. Shembulli juaj tregon se me vendosmëri, ambicie dhe mbështetjen e gjithë shoqërisë mund të arrihen rezultate reale.

Shpejtësia, të cilën Shqipëria i vendos vetes për zbatimin e reformave dhe përgatitjen për anëtarësim varet plotësisht nga përpjekjet tuaja. Përfundimi i procesit të negociatave dhe qëllimi përfundimtar – anëtarësimi i plotë – janë plotësisht në duart tuaja. Jam i bindur se nëse vazhdoni me këtë ritëm me këtë vullnet politik, qëllimi juaj është i arritshëm. Bashkimi Evropian do të jetë më i fortë dhe më i qëndrueshëm pas anëtarësimi të  Shqipërisë dhe Bullgaria do të mbetet një partnere e besueshme në këtë rrugë.

Në Shqipëri jeton një pakicë kombëtare bullgare që u njoh nga Parlamenti Shqiptar në vitin 2017. Si mendoni, cili është kontributi i institucioneve bullgare në mbështetjen e këtij komuniteti në fushën e kulturës, trashëgimisë dhe shkëmbimeve reciproke me vendin e origjinës, Bullgarinë?

Pakica bullgare në Shqipëri është një urë e natyrshme miqësie mes popujve tanë dhe një faktor kyç për bashkëpunim edhe më të ngushtë midis Bullgarisë dhe Shqipërisë. Ne vlerësojmë përpjekjet e autoriteteve shqiptare për garantimin e të drejtave të saj, si dhe hapat pozitivë në njohjen e saj në vitin 2017. Pala bullgare vazhdon të mbështesë këtë minoritet përmes një sërë iniciativash kulturore, arsimore dhe sociale – që nga krijimi dhe zhvillimi i shkollave të së dielës, ku mësohet gjuha bullgare, deri te organizimi i eventeve kulturore të përbashkëta, trajnimeve dhe programeve të shkëmbimit.

Veçanërisht e rëndësishme për ne është garantimi i të drejtës për të studiuar gjuhën amtare bullgare – si në shkolla, ashtu edhe në formën e aktiviteteve jashtëshkollore, pasi kjo është një mjet thelbësor për ruajtjen e identitetit dhe kulturës. Bullgaria do të vazhdojë të ndjekë nga afër të drejtat e pakicës kombëtare bullgare në Shqipëri dhe do të punojë për zgjerimin e mundësive për bashkëpunim kulturor dhe arsimor me institucionet shqiptare, në mënyrë që pakica jonë të mbetet e gjallë, aktive dhe plotësisht e integruar në jetën shoqërore të vendit.

Disa shtete fqinje tashmë kanë hapur qendra kulturore – për shembull Maqedonia e Veriut, edhe pse është një vend më i vogël se Bullgaria e ka një qendër të tillë. A nuk është e mundur që të krijohet një qendër kulturore edhe për pakicën bullgare këtu në Shqipëri?

Çështja e krijimit të një Instituti Kulturor Bullgar në Tiranë është jashtëzakonisht aktuale dhe ideja jo vetëm që është shumë e mirë, por gjithashtu e mbështetur si nga shteti bullgar, ashtu edhe nga komuniteti bullgar në Shqipëri. Për këtë çështje është duke u punuar në mënyrë aktive prej disa vitesh, dhe ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për rëndësinë e një institucioni të tillë për mbështetjen e pakicës kombëtare bullgare dhe për forcimin e shkëmbimeve kulturore midis dy vendeve.

Krijimi i një qendre të tillë kulturore është diçka që kërkon një koordinim të ndërlikuar ndërinstitucional, i cili përfshin bashkëpunim ndërmjet institucioneve të ndryshme në Bullgari dhe autoriteteve shqiptare. Jam i bindur se, sapo të kapërcehen pengesat administrative dhe teknike, kjo qendër do të bëhet realitet dhe do të japë një shtysë të re në bashkëpunimin tonë, do të ndihmojë në ruajtjen e identitetit kulturor dhe do të ofrojë më shumë mundësi për zhvillim dhe vizibilitet për komunitetin bullgar në Shqipëri. Bullgaria do të vazhdojë të punojë në mënyrë të qëndrueshme për realizimin e këtij qëllimi.

Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane vlerësojnë arritjet ekonomike të Bullgarisë si një kriter për pranimin e euros nga data 1 janar 2026, duke u bërë Bullgaria vendi i 21 në zonën euro. Në Bullgari po zhvillohen protesta kunder Euro-s. Cili është mendimi juaj z.President?

Hyrja e euros është një qëllim strategjik për Bullgarinë që pritet të sjellë stabilitet ekonomik afatgjatë, mundësi më të mira për investime dhe integrim më të ngushtë me partnerët tanë evropianë. Ne e vlerësojmë shumë vlerësimin pozitiv të Komisionit Evropian dhe Bankës Qendrore Evropiane për përparimin tonë për anëtarësim në eurozonë.

Megjithatë, nuk duhet të nënvlerësojmë shqetësimet e qytetarëve bullgarë – veçanërisht për sa i përket inflacionit, ndryshimit të çmimeve dhe sigurisë ekonomike. Është e rëndësishme që ky proces të jetë transparent, të ketë një debat të gjerë publik dhe mbi të gjitha përgatitje reale institucionale për këtë tranzicion, ku çdo hap të bazohet në konsensusin shoqëror. Jam i bindur se besimi i qytetarëve është çelësi për suksesin e kësaj reforme.

Unë besoj në fuqinë e demokracisë. Shoqëria bullgare ka të drejtën të jetë e informuar dhe të marrë pjesë drejtpërdrejt në këtë vendimmarrje. Prandaj e mbështes zhvillimin e një debati të gjerë dhe, kur është e nevojshme, edhe e një referendumi për të garantuar legjitimitetin e çdo vendimi. Vetëm me një vullnet të qartë publik mund të garantojmë që hyrja e euros do të jetë një proces i qëndrueshëm në interes të të gjithë qytetarëve bullgarë.

Ju faleminderit!