Droga “GHB” që nxit përdhunimin mbush bregdetin, dështon kontrolli policor

Dhjetëra shtetas të huaj kanë zbarkuar në bregdetin e Jugut me valixhet e mbushura me drogë duke çarë kufijtë shqiptar dhe kontrollin policor. Droga “GHB” me kombinim detergjentësh është më e rrezikshmja e më agresivja pasi përdoruesit kalojnë në gjëndje kome, arrest kardiak deri në vdekje. Flasin për “Telegraf”, toksikologu Alert Drishti dhe eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço: Kujdes, ky është shkatërrim i shoqërisë shqiptare

  • Droga “GHB” më e rrezikshme dhe dëmshme se Heroina.
  • GHB përdoret më së tepërmi nga të rinjtë.
  • Karamuço: GHB është drogë me kombinim detergjentesh.
  • Toksikologu Alert Drishti: Varësia e GHB është mjaft agresive.

 

NOA

Një grup të huajsh janë kapur duke shitur drogë në Dhërmi. Deri këtu duket si të gjitha operacionet që Policia e Shtetit kryen. Por spanjollët, argjentinasit, dhe brazilianët po ju shesin rinisë shqiptare një drogë mjaft të rrezikshme e quajtur ‘GHB. Flitet se është një drogë që nxit abuzimin seksual tek të rinjtë.

Gazeta “Telegraf” ka kontaktuar me ekspertë të cilët ngrenë alarmin  se “GHB” lë pasoja të rënda dhe të parikuperueshme në shëndet.

Eksperti i Kriminalistikës ka sqaruar se ‘GHB’ – GammaHydroxybutyrate, është një drogë me efekt kënaqësi deri në abuzim seksual, e cila mund të sjellë edhe vdekjen. Prodhimi i GHB është i thjeshtë dhe përbërja e saj janë kombinimi i disa detergjenteve. Turistët kanë mundur ta fusin drogën GHB përmes pikave tona kufitare dhe rrezikon ta kthejnë në trend.

“Kalon pastaj në gjendje kome, arrest kardiak e deri në vdekje. Janë lëndë depresante, në përzierje me alkoolin e dyfishojnë, trefishojnë efektin e tyre dhe kjo bën më të rëndë. Mund të prodhohen me disa lloj detergjentesh kimik që ne pastrojmë tualetet në shtëpitë tona dhe mësohet lehtë përgatitja e tyre edhe në disa faqe ku ka instruksione nga interneti, por janë të rrezikshme. Ka dështuar pra kontrolli kufitar dhe i është lënë në dorë vetëm oficerëve të policisë kriminale, sidomos të Vlorës, për të bërë survejimin dhe arrestimin e tyre. Ky trend që duket i përkohshëm mund të na kthehet në fenomen real, të qëndrueshëm edhe për përdorim vendas.”- u shpreh ErvinKaramuço.

Nga ana  mjekësore dhe biologjike Alert Drishti mjek Toksikolog pranë QSUNT ka sqaruar se dëmet që kjo përzierje substancash sjellin në organizmin e njeriut janë të parikuperueshme dhe me rrezikshmëri më të lartë se heroina.

“Është një drogë e dëmshme për shëndetin dhe nëse do duhej të krahasohej me heroinën jep dëmtime me të shpejta e më të rënda se ajo. Është futur në treg fillimisht për të tretur yndyrat dhe stimuluar muskujt. Bën pjesë në grupin e drogave depresante, nuk quhet opiat. Përdoret kryesisht si qetësues dhe ka rrezikshmëri për shëndetin të njëjtë me opiatet. Është e vërtetë se nxit oreksionin, por nuk ka veprimin kryesor këtë efekt. Opiate janë Heroina dhe gjithë grupi i tyre, Pra rrezikshmëria e kësaj droge është gati e njëjtë me rrezikun, që sjell përdorimi i Heroinës. Ajo jep eufori fillimisht dhe qetësuese më pas. Ndërkohë efektin kryesor e ka qetësues dhe frenues të trurit. Euforia dhe më pas qetësia shkakton shfrenim të sjelljeve të përdoruesit. Për këto efekte përdoret zakonisht nëpabe ose festa. Ka efekt mjaft të fortë varësie. Droga është në botë në qarkullim që nga 1980 në Shqipëri rasti i parë në kujtesën time është në 2010 të drogës GHB.është drogë e lirë, ka sqaruar mjeku Drishti.

Shqiptarët, në pjesën më të madhe të rasteve janë përdorues të kanabis sativa dhe kokainës.