Dëshmia e Dumanit: Paratë e drogës transportohen me autobusë, shoferët marrin 12% të shumës!

30
Sigal

Një ditë më parë, Antimafia italiane në bashkëpunim me SPAK-un goditën një organizatë me bazë në Durrës të trafikimit në sasi të mëdha të kokainës dhe heroinës drejt Italisë dhe vendeve të tjera të Europës. Në total u lëshuan 52 masa sigurie, ku 40 prej tyre janë për shtetas shqiptarë dhe 12 të tjera për shtetas italianë, teksa në krye të grupit dyshohet se qëndronte Xhevdet Troplini, i njohur si “Poja”, dhe dy bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë Elvis Doçi dhe Adi Çoba.Për goditjen e kësaj organizate, autoritetet italiane u bazuan në komunikimet e “Sky Eç”, si dhe në dëshmitë e tre të penduarve të drejtësisë, ku një prej tyre është Nuredin Dumani. Ky i fundit para hetuesve italianë ka treguar se trafikantët e drogës përdorin linjat e ndryshme të transportit ndërkombëtar për të lëvizur paratë e tyre, kryesisht, për t’i futur në Shqipëri, fitimet e realizuara jashtë vendit.

P.M. DOTT. CARDINALI: Për këto ngarkesa, si arrinin paratë te ata që shisnin drogën? I paguani më parë?
NUREDIN DUMANI: “Ishte shumë e thjeshtë. Pagesa e parave ishte shumë e thjeshtë dhe mund ta shpjegoj. Kur paratë lëvizin nga Italia në Shqipëri ose nga Shqipëria në Itali, për të mos rrezikuar, duhet të paguash agjencitë e udhëtimit, siç janë autobusët ose minibusët. Transporti mund të bëhet edhe personalisht, domethënë mund ta bëj unë duke blerë një makinë të shtrenjtë dhe atë makinë mund ta çoj me tokë ose me traget. Por kështu është e rrezikshme.

Sipas Dumani, shoferët e autobusëve, që marrin përsipër transportin e parave përfitojnë një përqindje mbi shumën që transportojnë. Më konkretisht, sipas tij, shoferët marrin 12% të shumës për t’i transportuar paratë nga Italia drejt Shqipërisë dhe 4 % për anasjelltas.

NUREDIN DUMANI: “…Me autobusin paguaje 10% ose 12% të shumës. Ndërsa nga Shqipëria për t’i çuar në Itali është rreth 3-4%, është më e lehtë.”
Në dosjen e zbardhur të autoriteteve italiane, Nuredin Dumani thotë se përmes kësaj mënyre grupet kriminale kanë kaluar shumë që shkonin deri në 500 mijë euro, për një rrugë. Zbërthimi i bisedave që drejtues dhe pjestarë të organizatave kriminale kryenin përmes telefonave të enkriptuar, ishin një ndihmesë dhe në hetimet e grupit të goditur së fundmi në bashkëpunim me palën italiane. Sipas të penduarit Dumani, telefonat e koduar gjendeshin lehtësisht në Tiranë.