Çau çelësin e derës dhe e ndezi me program kompjuterik, kush është grabitësi i “Range Rover” në Rinas

115
Sigal

Personi që shihni në këtë foto është Bledi Haka, person me precedent penalë, i cili akuzohet për vjedhjen e një makine luksoze në Rinas. Pak ditë më parë, ai hyri brenda rrethimit të aeroportit dhe u drejtua tek parkingu me mision vjedhjen e një makine.

I riu, që mban në krah një çantë marsup futet në parking dhe pikas një automjet “Range Rover” në pronësi të një biznesmeni nga Elbasani, i cili ishte larguar jashtë vendit. Autori arrin të çajë pjesën e çelësit të makinës dhe futet brenda. 42-vjeçari ndezi makinën dhe u largua, por u kujdes që të ndezë një pajisje bllokues GPS-i, e cila e bëri të vështirë gjurmimin e policisë. Makina u gjet më vonë pas vëzhgimit të kamerave të sigurisë, në të gjithë itinerarin që kishte kryer hajduti, i cili e parkoi në garazhin e një pallati në zonën e Astirit. Hetuesit dyshojnë se makina do të përdorej në vijim nga Haka për ngjarje kriminale.

Atë ditë u shpall në kërkim pronari i garazhit Ernis Morinaj, i cili dyshohet bashkëpunëtor, por policia ende nuk ka arritur ta lokalizojë. Ai dhe Bledi Haka nuk rezultojnë të kenë dalë jashtë territorit të Shqipërisë, referuar sistemit TIMS. Burime të policisë bëjnë me dije se javët e fundit rezultojnë të vjedhura edhe dy makina të tjera “Range Rover” në territorin e Komisariatit të Vorës. Bledi Haka rezulton me precedent të theksuar kriminalë të mëparshëm. Në maj ai 2020 u arrestua bashkë me një person tjetër pasi policia i gjeti armë me vete. Një vit më herët në 2019-ën iu gjetën armë dhe para në makinë, ndërsa në 2012-ën Bledi Haka mbeti i plagosur në ambientet e një lokali në Tiranë, pas një sherri masiv mes disa personave për shkak të një borxhi bastesh.

Përdorimi i makinave të vjedhura në ngjarje kriminale është kthyer në një fenomen shqetësues pasi në shumicën e rasteve vonon zbardhjen e ngjarjeve kriminale por shpesh pamundëson edhe zbulimin e tyre.