Bilanc tragjik në Gjirokastër, tre të vdekur dhe 8 të plagosur

455
Sigal

Gjendje e frikshme në rrugët tona, policia, e paaftë të parandalojë aksidentet

Nuk ka ditë të mos përgjaken rrugët shqiptare. Dje si rezultat i shpejtësisë së madhe një makinë ku udhëtonin dy të rinj përplaset me autobusin e Unazës në kryqëzimin e rrugës së Porcelanit, ku si pasojë u plagosën rëndë dy të rinjtë që ishin në automjetin vogël, por rrezikuan seriozisht edhe jetën e 50-60 vetëve që ishin brenda në autobus; po si rezultat i shpejtësisë jashtë normave të lejuara në zonat e banuara, një mjeti tip “Audi”, me targa italiane, ka përplasur një familje të tërë babain, nënën dhe dy vajzat që morën plagë më të rënda. Para pak ditësh një makinë tmerron qytetarët, ku për shkak të shpejtësisë hyn brenda në dyqan. E ndërsa pritet përmirësim, numri aksidenteve në rrugë rritet. Policisë nuk i ka ngelur gjë vetëm të numërojë dhe të ndihmojë të plagosurit. Asnjë analizë, asnjë masë nuk merret, askush nuk ka frikë as nga gjobat e as nga ligjet, pasi çdo gjë rregullohet në vend, lekët nën dorë dhe…çdo gjë në rregull. Motorë të frikshëm kalojnë me shpejtësi marramendëse, dhe njerëzit pyesin: “A ka polici apo s’ka”. Polici ka dhe paguhet nga qytetarët që të na mbrojë e jo të numërojë kur vdesim apo gjymtohemi.

Aksidenti i Gjirokastrës

Një bilanc tepër tragjik ka regjistruar aksidenti i ndodhur mesditën e sotme në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë, me tre viktima ku krahas dy të parëve që gjetën vdekjen në momentin e përplasjes së mjeteve, më pas ka vdekur edhe një person i tretë. Ngjarja e rëndë ndodhi dje rreth orës 14.00 në vendin e quajtur Vanister, ku tre automjete, të cilat udhëtonin me shpejtësi janë përplasur furishëm me njëra-tjetrën. Burime zyrtare nga policia thanë se si rrjedhojë e përplasjes së një fugoni me pasagjerë dhe të dy makinave të tjera, gjetën vdekjen në vendngjarje një mjek i spitalit të Gjirokastrës, i identifikuar si Tahir Botri, e moshuara Sose Nikolla, 70 vjeç,  Shpëtim Çela 26 vjeç nga Korça.  Makinat e përfshira në aksident u identifikuan si një “Ford Focus” me targa TR 6415T, një fugon pasagjerësh me targa GJ253 A dhe një makinë “Reno Clio” me targa të Gjirokastrës 1349 Aksidenti nisi kur fugoni me pasagjerë i drejtuar nga Xh.Likaj u përplas me makinën “Forsd Focus” që drejtohej nga një femër e identifikuar si E.Bitri, ndërsa më pas u përplasën edhe makinën tip “Reno” e drejtuar nga L.Aliko. Tre prej të dëmtuarve janë nisur me helikopter drejt Spitalit Ushtarak për të marrë ndihmën e nevojshme, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie të cilat po punojnë për zbardhjen e këtij aksidenti tragjik.

Drogë dhe armë në shtëpi, prangosen babë e bir

Babë e bir kanë përfunduar në prangat e policisë, pasi akuzohen për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe për armëmbajtje pa leje. Sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se është finalizuar me sukses operacioni i koduar “Vodica”, si rezultat i të cilit u arrestuan, Enver dhe Ledio Sevaj, përkatësisht 52 dhe 21 vjeç, të dy lindur e banues në fshatin Vodicë të rrethit Vlorë. Arrestimi i dy personave, u bë pasi në kontrollin e ushtruar në banesën e tyre, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 5.820 kg lëndë narkotike e ngjashme me atë të llojit kanabis- sativa, 25 rrënjë lëndë bimë narkotike, të cilat ndodheshin në oborrin e banesës si dhe një armë zjarri, tip automatik mod 56 (kallashnikov) të cilën, këta shtetas e posedonin pa leje. Materialet procedurale në ngarkim të dy personave, i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” të kryera në bashkëpunim