Banorët e Krujës dhe Fushë-Krujës kanë dalë sërish në protestë pasditen e sotme, duke paralizuar në këtë mënyrë qarkullimin në aksin e ri rrugor Thumanë-Kashar.
Protesta qytetare, e dyta në radhë e këtyre përmasave është një kërkesë e hapur ndaj institucioneve përgjegjëse shqiptare për të krijuar një dalje dytësore që të kalojë në rrugën e vjetër.
Sipas banorëve, devijimi i rrugës së re ka bërë që bizneset e tyre të shkojnë drejt falimentit dhe kjo sipas tyre është një padrejtësi që po bëhet hapur në kurriz të tyre.
“Ne i bëjmë thirrje shtetit që të na hapë rrugën në hyrje-dalje se fëmijët tanë ushqehen nga këto biznese, të cilët kanë falimentuar si pasojë e divijimit të rrugës”- u shpreh një banor.
“Rruga e re Thumanë-Kashar ka bërë që shumë biznese tonat, të shkojnë drejt falimentimit. Ne nuk kemi akses në rrugën Thumanë-Kashar. Na kanë bllokuar hyrje-daljet në rrugë”,- tha një tjetër protestues.
Në vend kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilët po tentojnë që të largojnë nga rruga banorët për të zhbllokuar në këtë mënyrë trafikun kilometrik të krijuar prej disa orësh.
Megjithatë, të shumtë kanë qenë ato banorë, të cilët janë përplasur fizikisht me forcat policore, pasi nuk pranojnë që të largohen nga rruga.
Përpos kësaj, policia duket se po e manaxhon situatën, duke qenë se makinat kanë vijuar të lëvizin në drejtim të Tiranës.