Dhuna ndaj avokatit Kujtim Cakrani është një akt jashtëzakonisht i rëndë dhe i papranueshëm, i cili duhet të dënohet pa asnjë ekuivok dhe të ndëshkohet sipas ligjit.
Avokati është një nga shtyllat themelore të drejtësisë dhe e drejta për mbrojtje është një nga parimet bazë të shtetit të së drejtës.
Fatkeqësisht, prej vitesh figura e avokatit është bullizuar, është trajtuar me përçmim dhe shpesh është portretizuar si një figurë e urryer, kur në të vërtetë avokati është fjala dhe zëri i çdo qytetari, veçanërisht atëherë kur qytetari ndodhet i vetëm përballë pushtetit të shtetit, policisë, prokurorisë dhe gjykatës.
Ajo që e bën edhe më të rëndë këtë ngjarje është fakti se ky akt dhune mban tipare të qarta të një atentati mafioz, një mesazh frikësimi jo vetëm ndaj një avokati konkret, por ndaj gjithë komunitetit të avokatëve dhe vetë drejtësisë. Sulmi ndaj një avokati është sulm ndaj shtetit të së drejtës dhe ndaj sigurisë juridike të çdo qytetari.
Akoma më shqetësuese është heshtja e Policisë së Shtetit. Kanë kaluar rreth 7 orë nga dhunimi i avokatit Kujtim Cakrani dhe deri në këtë moment nuk ka asnjë reagim zyrtar, asnjë deklaratë, asnjë informacion për autorët apo për veprimet hetimore.
Kjo heshtje ushqen dyshime të forta dhe krijon bindjen se kemi të bëjmë me një mosveprim të qëllimshëm, i cili minon besimin e qytetarëve tek institucionet e rendit dhe drejtësisë.
Policia e Shtetit ka detyrimin ligjor dhe moral të reagojë menjëherë, të zbardhë ngjarjen, të identifikojë autorët dhe t’i vërë ata përpara drejtësisë. Çdo vonesë apo heshtje në raste të tilla është bashkëfajësi morale dhe sinjal i rrezikshëm se dhuna dhe frikësimi mund të kalojnë pa pasoja.
Drejtësia nuk mund të funksionojë pa avokatë të lirë, të sigurt dhe të mbrojtur nga ligji. Çdo sulm ndaj tyre është sulm ndaj demokracisë dhe lirive themelore. Ky rast kërkon reagim të menjëhershëm, transparencë dhe përgjegjësi. Heshtja nuk është opsion.



















