Arma e terroristit Amri në Berlin, i ishte shitur një shqiptari. Si përfundoi në duart e tij

529
Pistoleta që i ishte gjetur Anis Amri, autorit të sulmit terrorist në Berlin ku humbën jetën 11 persona, ka një lidhje me Zvicrën dhe përmes saj, edhe me Kosovën. Siç shkruan gazeta “SonntagsZeitung”, pistoleta e vogël e markës “Erma EP 552” që ishte prodhim i një fabrike të Thüringenit, Gjermani, ishte blerë nga një zviceran, kontrabandist armësh, (Roger Zweifel, emër i shifruar) transmeton albinfo.ch.
Kjo kishte ndodhur në vitin 1992, shkruan gazeta duke e cituar kontrabandistin në fjalë, të cilin e interviston me emër fiktiv.

Ky person më vonë ishte dënuar në Zvicër pikërisht për tregti me armë por sigurisht jo për “pistoletën e grave” siç e quan ai me nënçmim armën e përmendur. “Arma….” sipas përshkrimit, “mund të vrasë njeriun vetëm nga afërsia e drejtpërdrejtë dhe vetëm nëse ai që qëllon, është shenjëtar i mirë”.

Por këtu rrëfimi i tij fillon të bëhet më interesant. Ai këtë armë ia kishte shitur një shqiptari të Kosovës, një luftëtari të UÇK-së, i cili luftonte për “kauzën e vet” dhe ishte i pasionuar pas armëve.

“Unë në fakt nuk i kam dashur “jugot” (siç identifikoheshin shtetasit e ish-Jugosllavisë) fare, por J. P. ishte një djalë i mirë dhe i pasionuar pas armëve.

Me të isha njohur në ndërtim”. Ky sipas zviceranit, kishte blerë te ai një numër armësh “Erma”. “Dhe, sikur ai vetëm të dëshironte, mund t’i siguroja edhe tanke”, thotë Zweifel.

Gazeta ka gjetur edhe kosovarin me emrin Jetmir P., i cili pas luftës kishte shkruar të jetonte në SHBA. Ai ka pranuar se ka blerë armë në Zvicër nga personi i përmendur dhe ato i ka shpërndarë pastaj në Kosovë, për luftë, përcjell albinfo.ch.

Dhe, Jetmiri habitet kur dëgjon që arma e tij ishte përdorur në një sulm terrorist. Ai atë armë ua kishte dërguar të afërmve në Kosovë. Dhe si ka rënë ajo në duar të terroristit islamik, është ende e paqartë.
Sigal