Antikanabis, Guardia di Finanza këtë vit 30% më shumë fluturime

482
Këtë vit Guardia di Finanza në Itali ka planifikuar që të zhvillojë 30% më shumë fluturime në Shqipëri për monitorimin nga ajri të parcelave me kanabist.

Deklarata u bë nga komandanti i Repartit të 3 të Guardia di Finanza-s Kolonel Joselito Minuto gjatë një takimi që pati me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako.

Joselito Minuto: “Duke u bazuar në përvojën, ne jemi gati menjëherë të jemi operativë. Kemi llogaritur që këtë vit të kryhen 30% më shumë fluturime se vitin e kaluar. Falë teknologjisë së avancuar kemi reduktuar kohën në maksimum përsa i përket përpunimit të të dhënave”.

Në fokus të këtij takimi ishte koordimi për misionin e fluturimeve që do të monitorojnë territorin shqiptar, në kuadër të zbatimit të protokollit per identifikimin e kultivimit të kanabisit në Shqipëri.

Çako falenderoi Qeverinë dhe Policinë Italiane, misionin e UCI Albania të Interforzës dhe të Guardia di Finanza-s si edhe Universitetin e Dytë të Napolit, Qendra BENECON për kontributin dhe ndihmën në punën e Policisë Shqiptare.

Haki Çako: “Jemi përsëri në zbatim dhe në vazhdim të protokolleve dhe të akt-marrëveshjeve për mbështetjen dhe ndihmesën ndaj Policisë shqiptare, në monitorimin e kultivimit të kanabisit. Një mision i cili ka vlera të jashtëzakonshme në luftën që kemi bërë në vazhdimësi. Lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit është caktuar si një nga strategjitë kombëtare nga shteti shqiptar. Dhe e veçanta e kësaj strategjie është përfshirja e të gjithë institucioneve të shtetit shqiptar në luftë kundër kultivimit. Përfshirja në një sërë objektivash, konsiston në identifikimin e faktorëve dhe identifikimin e zonave të luftës kundër kultivimit, por edhe të goditjes kombëtare të grupeve kriminale të organizatave që merren me trafikimin. Tashmë puna e Policisë ka filluar në fillim të vitit me kontrollin e shumë zonave të cilat kanë qenë në risk për mbajtje, përpunim dhe kultivim”

Zv/drejtori i Shërbimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë Italiane Kolonel Sandro De Angelis, shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin dhe nënvizoi vullnetin e Policisë shqiptare për të bashkërenduar veprimtarinë kundër kultivimit të kanabisit.

Sandro De Angelis: “Është një moment themelor për Shqipërinë përsa i përket luftës kundër kultivimit të kanabisit. Nga fjalët tuaja unë perceptova dëshirën dhe vullnetin për të koordinuar sa më mirë të gjithë veprimtarinë përsa i përket luftës kundër kultivimit të kanabisit. Ne jemi shumë të kënaqur dhe krenarë që bashkëpunojmë. E dimë shumë mirë që përsa i përket luftës së kultivimit të kanabisit, ky aksion nga ana e Policisë Shqiptare ka filluar më herët. Ne jemi shumë të lumtur që të japim ndihmën tonë, mbështetjen dhe gjithçka ndjejmë të nevojshme në këtë nismë. Një përgëzim më tepër për Policinë e Shtetit, të cilën e shohim që është e angazhuar dhe është në bashkëpunim me Prokurorinë”

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako priti një delegacion të Policisë Italiane, me përbërje nga Shërbimi i Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë Italiane, Guardia di Finanza-s, Qendra e Ekselencës BENECON e Universiteti i Dytë i Napolit.
Sigal