INTERVISTA/ Prof. Dr. Zamira Çavo: Rama t’i kërkojë falje shqiptarëve me qeverinë kukull që ka krijuar

440

Jakup B. GJOÇA

Unë personalisht nuk e mendoj dot Cakajn si ministër i Jashtëm, u binda përfundimisht që, jo vetëm nuk ka autoritetin e duhur për t’u imponuar në ide, por është dhe i paqartë në mendimet e tij

Prof. Dr. Zamira Çavo në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se Cakaj nuk ka aftësi as për zv.ministër dhe nuk ka as autoritetin e duhur për t’u imponuar në ide, është i paqartë në mendimet e tij, dhe nuk mund të jetë në gjendje të zotërojë në korridoret e nëndheshme të politikës botërore. Prof. Çavo, dialogun e kryeministrit Rama me studentët e cilëson si një vetëpëlqim të madh të vetes së tij, në batuta apo etiketime dhe për arsimin sot thotë me bindje se është në kaos institucional dhe përmbajtësor.

Prof. Çavo, a e konsideroni të përshtatshme kandidaturën e Cakajt si ministër i Jashtëm? A mund ta luajë rolin e kryediplomatit të Shqipërisë një anonim, pa përvojë diplomatike, në një periudhë kur Shqipëria ka përpara negociatat për anëtarësim me BE-në?

-Unë nuk e kam konsideruar si kandidaturë të gjetur z Cakaj as për postin e zv.ministrit. Jo se kam ndonjë gjë kundër figurës së tij, por sepse kurrë nuk mund të jetë drejtues i lartë në një dikaster sikundër është Ministria e Jashtme një individ pa përvojë në diplomaci. Të jesh ministër i Jashtëm do të thotë të përfaqësosh nivelin më të lartë të diplomacisë së vendit tënd duke u imponuar, duke pasur përvojë e duke pasur vizion të qartë të interesave të partnerëve dhe harmonizimin e tyre me interesat e vendit. Dyshoj që një individ me atë moshë e me atë përvojë do të jetë në gjendje të zotërojë korridoret e nëndheshme e të mbidheshme të politikës botërore. Konica dikur e konsideronte pikën më të rëndësishme për një shtet, Ministrinë e Jashtme dhe ishte i bindur se në politikën e jashtme duhen njerëz “të rrahur me vaj e me uthull”. E mendoni dot Cakajn në debate me ministrat e tjerë të jashtëm në BE apo dhe më gjerë? Unë personalisht nuk e mendoj dot dhe, sidomos, pasi ndoqa një intervistë të tij me Batonin u binda përfundimisht që, jo vetëm nuk ka autoritetin e duhur për t’u imponuar në ide, por është dhe i paqartë në mendimet e tij.

Kryeministri Rama, në deklaratë publike, i kërkoi falje Kosovës, për refuzimin që Presidenti i Shqipërisë i bëri kandidaturës së Cakajt, si ministër i Jashtëm. Kujt duhet t’i kërkojë falje kryeministri i Shqipërisë?

– Në radhë të parë kryeministri t’i kërkojë falje popullit të vet me qeveritë kukulla që ka krijuar. Unë them me bindje se, për herë të parë jam dakord me Presidentin për këtë mosdekretim. Uroj të tregohet burrë e të mos bjerë në pazare që i ka pasur zakon t’i bëjë me zotin Rama. I kërkoi falje Kosovës? Sërish një akt komik i kryeministrit për të shpërqendruar vëmendjen e opinionit publik! Kryeministri me ndryshimet në qeveri dëshmoi atë që ne e kemi thënë prej kohesh:

E para, se qeveria e krijuar prej tij në mandatin e dytë do ishte e pasuksesshme.

E dyta, se autoritarizmi i tij do vinte ne rritje. A e pyeti kryeministri asamblenë e partisë për ndryshimet që bëri? A e lejoi debatin? Dhe këtu nuk ka justifikim se “kryeministri e zgjedh vetë ekipin e tij”, sepse në demokraci veprojnë forumet partiake dhe jo dëshirat e personit. Dhe në fund do thosha se, një shtet drejtohet më mirë kur ka në krye një njeri të mirë dhe jo kur ka ligje të mira!

– Kryeministri Rama i quajti studentët që bojkotojnë mësimin në fakultete “pengmarrës”. Ka të drejtë?

– Nuk dua të komentoj fjalët e kryeministrit, pasi ngado që t’i shikosh dëshmojnë për një vetëpëlqim të madh të vetes së tij në batuta apo etiketime, por studentët duket se tashmë e kanë humbur rrugën e duhur dhe për rrjedhojë kanë humbur dhe betejën. Pa kuptuar ata u bënë pre e përçarjeve dhe e zënies nga kahe të ndryshme të politikës. Kështu do të ndodhte, sepse në një revoltë të tillë duhej detyrimisht një udhëheqje e pjekur me strategji e taktikë të përcaktuar. Lëvizjet spontane janë amorfe, nëse nuk shtrohen në platforma politike. Por ata nuk janë pengmarrës. Janë e ardhmja e vendit, do apo nuk do zoti Rama!

– Ju si e cilësoni patrullimin e Policisë së Shtetit në korridoret e fakulteteve? Po filmimin e policëve ndaj studentëve grevistë?

– Përpjekje foshnjarake për të imponuar frikën në një grup njerëzish që shquhet pikërisht për mungesën e frikës! Revolucionet i kanë bërë gjithnjë të rinjtë. Dhe e dini përse? Sepse nuk e njohin frikën!

– A fajësohen rektorët dhe dekanët për gjendjen së tanishme në të cilën i kanë katandisur ë universitetet publike?

– Personalisht mendoj se ata janë përgjegjës po aq sa Ministria e Arsimit për gjendjen ku është katandisur arsimi i lartë publik. Ata janë përgjegjës për cilësinë e dobët, për shpërdorimin e parave publike, për mungesën e kushteve. Në mendimin tim, që kur pranuan të shkojnë në Kryeministri e të zihen me njëri tjetrin për interesa personale, ata nuk meritojnë të quhen as akademikë e jo më drejtues të lartë të Universitetit! Në vend të ishin në pararojë të mendimit intelektual e të dëshmonin integritetin e tyre profesional e institucional vunë përpara interesat e tyre meskine. Ndaj janë,sigurisht, përgjegjës për situatën e krijuar.

– A mund të ketë ndryshim të gjendjes në Universitete, pa u shfuqizuar ligji “Për Arsimin e Lartë”?

Ligji i Arsimit të lartë nuk është ligj për kushtet e Shqipërisë dhe mbi të gjitha është një ligj që vendos administratën mbi akademizmin. Por unë kam frikë se edhe me aktet nënligjore që po nxjerr qeveria për arsimin dhe studentët po e shton edhe më tepër anarkinë në sistemin universitar. Nuk është vendi këtu për të treguar me fakte, se sa të gabuara e me nxitim janë miratuar akte që do konfuzojnë edhe më shumë arsimin. Arsimi sot, them me bindje, është në kaos institucional dhe përmbajtësor. Dyshoj fort që ministrja e re do ta marrë në dorë situatën.

– Me ngjarjet politiko-sociale që po ndodhin në Shqipëri, a mund të pretendojmë integrimin në BE?

Ka dy gjëra. E para, ka të bëjë me vetë BE-në, e cila sot është në ditë të vështirë. Vendet anëtare kanë problemet e tyre të brendshme. Po kështu interesat e tyre i detyrojnë të mbajnë qëndrime që jo rrallë shkojnë në drejtim të kundërt me interesat tona shqiptare. E dyta, është qeverisja jonë, është klasa jonë politike tërësisht e dështuar. Ne jemi përfaqësuar në BE gjithnjë me dy fytyra; njëra e pozitës që lavdëron situatën dhe tjetra e opozitës që e nxin atë. Kur nuk merremi dot vesh me njëri tjetrin, si do merremi vesh me të tjerët? Por ajo që më shqetëson gjithnjë e më shumë janë rrënjët e përbashkëta që ka kjo klasë politike. Këto rrënjë janë: Para, janë pasuri të paluajtshme, janë thesare që i mbajnë lidhur krerët e politikës (majtas e djathtas) me njëri tjetrin. Këto rrënjë nuk lejojnë dot as të krijohen forca të tjera politike, e as të veprohet me operativitet për ndryshme. Pa ua hequr nga duart këto pasuri, kjo klasë politike do e vrasë Shqipërinë e jo ta fusë në BE! Uroj shumë por besoj pak që SPAK-u me instrumentet e veta do fillojë ta bëjë këtë. Le të shpresojmë!