Intervista/ Prof. Dr. Zamira Çavo: Demokracia nuk ka nevojë për ushtarë, por për qytetarë!

306

I gjithë sistemi ynë politik e social, është ndërtuar të prodhojë ushtarë!

Sigal

Intervistoi: Biora Vojka

Kanë sjellë në Parlament ushtarë të bindur të partive të tyre! Ndaj parlamenti shqiptar është turpi i kombit! Deputet ushtarë, që jo për shkak të formimit të tij apo diplomës së tij, por për shkak të të qënit ushtar, zbaton urdhërat edhe nëse nuk është dakord me to!

Ka dy arsye që arsimi është në këtë gjendje

E para është vetë sistemi që nuk kërkon qytetarë, por ushtarë, kërkon njerëz, që dinë të zbatojnë urdhërat, por jo të fantazojnë e të kenë ide të guximshme. E dyta janë burimet njerëzore. Sot brezi i pedagogëve të përgjegjshëm e të përkushtuar po shteron fatkeqësisht pa pasardhës. Sot në Universitete rekrutohen individë të kallëpit “One man show” që as duan t’ja dinë për studentin dhe dijet e tij, pasi as vetë nuk i zotërojnë ato. Dhe këta do bëjnë dhe kërkimin shkencor!

Varfëria dhe mjerimi po shpopullon vendin. Qytetarët po ikin familjarisht jashtë vendit duke marrë edhe fëmijët me vete. Kjo situatë dramatike është reflektuar në fillimin e vitit të ri shkollor, ku 58 mijë nxënës kanë lënë bosh bankat e shkollës, si kurrë më parë. Prof. Dr. Zamira Çavo, për gazetën “Telegraf”, analizon për problematikat e shumta të shoqërisë shqiptare. Si edukimi dhe shkollat kanë mbetur peng i qeverive pa vullnet dhe me zyrtarë demagogë ministrie, të cilëve u janë bashkangjitur dhe qindra e mijëra punonjës e arsimtarë militantë të partisë në pushtet. Arsimi është parë si hambar votash apo si burim drejtuesish politikë në fushata elektorale nga një palë zgjedhje në tjetrën.

Ja intervista e plotë për “Telegraf” e Prof. Dr. Zamira Çavo

Nëse marrim parasysh raportet e auditit dhe ato ndërkombëtare, duket sikur një grup njerëzish kanë uzurpuar shumëçka nga pasuria kombëtare. Pse krimi nuk ka frikë nga shteti?

Së pari më duhet të them se sistemi që kemi kërkuar me aq ngulm në këto 30 vite i tillë është: Favorizon një pakicë dhe e përqëndron pasurinë në duart e tyre. Në këtë këndvështrim as vendi ynë nuk bën përjashtim. Por ne kemi një “veçori” që nuk e kanë vendet e tjera të perëndimit: Vazhdojmë të mbetemi të varfër si popull! Dhe kur them të varfër nuk e kam fjalën thjesht për pasuri. Kjo po e po. Por e kam fjalën të varfër në ide, të varfër në trashëgimi politike, të varfër në kulturë…Pra ai grupi i njerëzve që ka uzurpuar gjithçka në këtë vend, e qëna ka bërë pothuaj emigrantë në shtëpitë tona, është grupi i atyre që favorizojnë këdo që është në pushtet! Dëgjoj të thuhet se” x resort e ka y, i cili është fans i thekur i PD-së në një kohë që pushtetin e kanë socialistët”! Shëmbull tipik i asaj që thashë më sipër: pasuria nuk njeh as të djathtë e as të majtë këtu tek ne! Miliarderët shqiptarë janë ata që financojnë dhe financohen nga politika! Eshtë një rreth vicioz, i cili nuk çahet dot nëse nuk vepron Drejtësia! Ndaj demokracinë  si sistem nuk e kanë pëlqyer mendjet e ndritura të historisë, madje as themeluesit e Kushtetutës Amerikane, të cilën synojmë ta kemi si “model”. Demokracia ha vetveten, mashtron dhe në fund të fundit shndërrohet në diktaturë edhe kur merr vendime me shumicë të thjeshtë, pale kur nuk pyet fare as për shumicën” – thotë për Telegraf Çavo

Ju thoni pse krimi nuk ka frikë nga shteti?  Nëse shteti do të vepronte si Republikë ku të gjitha pushtete të ishin të ndara e të punonin sinkron, nuk do të ndodhte kjo. Por në Shqipërinë tonë të dashur, të mësuar jo me institucione, por me individë, kjo nuk ndodh dhe nuk ka për të ndodhur! Shkaku jemi NE, që duartrokasim individin që na mashtron, na zhvat, na dhunon. Ne, që rikthejmë gjithnjë të kaluarën e trishtë e që harrojmë çfarë kemi hequr! Ne… sepse na pëlqen diktatura e “njëshit” jemi mësuar në histori me diktaturë! Dhe pasi i vemi nga pas Berishës, apo Metës, Ramës apo Bashës kërkojmë të funksionojë Drejtësia, të cilën e sjellin vërdallë po këta individë!

Po, kështu do të mbetemi: Të varfër e të dhunuar përderisa shpëtimin e kërkojmë pikërisht nga ata që na varfërojnë e na dhunojnë!

Pse nuk dënohet, zaptimi i hapësirave publike dhe individë, të cilët me taksat e qytetarëve shpërdorojnë fondet publike dhe vendosin për fatin e popullit?

Shikoni: nuk ka vend që nuk prodhon pasuri, pra nuk ka popull që destinohet të jetojë në varfëri! I gjithë problemi është i menaxhimit të punëve! Pra i politikës.

Duke qenë se ata që drejtojnë në emrin tonë, në 30 vite demokraci janë kujdesur vetëm për pronat e pasuritë e tyre ( dikur kam thënë se investimi më i mirë për t’u bërë milioner është politika), sigurisht as iu bie mëndja për publiken. Publikja është malli pa zot, është lopa që milet në mënyrë barbare. Me pronën publike bëhen nderet e zgjedhjeve, fitohen mbështetje ndërkombëtare, realizohen qëllimet personale etj etj. Dhe ju kërkoni të lëshohen hapësirat publike të zëna nga privati? Ka ndodhur. Majde i kemi bërë parqe të mbjella me pemë e pastaj? Pastaj ia kemi dhënë investitorit strategjik ose jo, për të ndërtuar !!!! Të gjesh  një politikan të lartë që nuk ka futur duart në pronat publike është po aq e vështirë sa të të bjerë llotaria!

Falsifikimi i diplomave, a do prodhojë në të ardhmen drejtues militantë, që na kthehen në vendimmarrës legjitim të së ardhmes së popullit?

Nuk ka nevojë për falsifikim diplomash, sepse diplomat nuk kanë asnjë rol në politikë! Duket e çuditshme, por kështu është! Çdo njeri mund të merret me politikë, mjafton të mos jetë i sëmurë mendërisht. Ama ka diçka tjetër në këtë mes, zgjedhja e përfaqësuesve tanë në Parlament! Nëse në 100 vite jetë të shtetit shqiptar do të hiqja vitet e mbretërisë dhe vitet e parlamentarizmit të 20-tës, të gjitha kohërat e tjera kanë sjellë në Parlament ushtarë të bindur të partive të tyre! Ndaj parlamenti shqiptar është turpi i kombit! Deputet ushtar, që jo për shkak të formimit të tij apo diplomës së tij, por për shkak të të qënit ushtar, zbaton urdhërat edhe nëse nuk është dakord me to! Dhe për të rënë në sy të kryetarëve të tyre jashtëqisin nga goja helmin e injektuar nga “njëshat” kundër “njëshave” të krahut të kundërt!

Nuk kam pritur në asnjë çast që Parlamenti shqiptar të votonte ligje që do t’i shërbenin popullit! Dhe kjo është një prag vetëvrasje e demokracisë sonë !

Si do ta përkufizonit sot shoqërinë shqiptare dhe shtetin shqiptar?

Fare thjeshtë: Një shoqëri e papërgjegjshme, dembele,” e pamësuar me ndëshkime,, e pa kulturë dhe e pa perspektivë! E di. Do thoni se asnjeherë më parë nuk kam qenë kaq dukshëm negative. Por them se plagët duhen ditur për t’u shëruar. Jemi shndërruar në një shoqëri që duke bërë indiferentin i kemi lënë hapësira të keqes të bëhet zotëruese. E dini që nuk na bën më përshtypje as dhuna, as antivlera as lakuriqësia, as mashtrimi e as vdekja!

Po ju them disa grimca: Një bashki më duket ajo e Mirditës i jep titullin “Nder i qytetit” një modeleje. Të mos flasim për dekoratat e lëshuara pa doreza fare nga Presidenca ndër vite. Ose të marrim emrat e shkollave.Vendosim emra pa asnjë kriter, por vetëm për faktin se është “miku” i dikujt që është në pushtet. E dini që ka emra shkollash në rrethe që kanë vetëm një meritë: Janë babai apo daja i x apo y?

I shikoni programet televizive? Po filmat në orët e pasdites? Të gjitha janë të orjentuara dukshëm nga antivlera! Atëhere çfarë duhet të presim?

Dhe të mos harrojmë se kjo gjëndje i shkon për shtat politikës, e cila është mjaft konforte kur të gjithë merren me seksin, lluksin apo divorcet e “VIP”-ave që nuk kanë asnjë vlerë as sociale e as kulturore! Shoqëria merret me këto ndërsa Politika vazhdon qetësisht të realizojë ” misonet” e grupimeve klanore të saja!

A ia doli Kongresi i Arsimit të hedh hije mbi dështimin e arsimit dhe largimin e ‘trurit’? A është strategji efikase, një ndër deklaratat e Ministres Kushi ku u shpreh se: Kemi përgatitur bursa arsimi që të rinjtë të mos largohen. Për çfarë kanë nevojë të rinjtë, që të qëndrojnë në vendin e tyre?

Ja erdhëm tek thembra e Akilit të shoqërisë sonë. Arsimi! Të them të drejtën u habita kur dëgjova se do mbahej një Kongres Arsimi. Pastaj kuptova që ishte një shfaqje tjetër për të zhurmuar hallet e mëdha që ka shkolla. Për një gjë jam e sigurtë: nuk ka të bëjë emri Kongres (gjë që dëshmon për mungesën e profesionalizmit të atyre që e kanë propozuar), por  përmbajtja e tij që nuk tha e nuk prodhoi asgjë! Asnjë analizë, asnjë vendim për të ardhmen, asnjë strategji. Si gjithnjë: Fjalë dhe vetëm fjalë. Ndërkohë universitetet janë shndërruar si gjimnaze ( ndoshta pak më cilësore) që prodhojnë vetëm diploma,  doktoratura, e tash së fundmi dhe tituj profesorësh pa hesap, por pa asnjë ndikim në jetën e vendit. Sistemi arsimor ka degraduar cilësisht dhe askush  nuk përpiqet të ulet seriozisht për të diskutuar dhe vlerësuar  cilësinë e tij.

Ka dy arsye që arsimi është në këtë gjendje: E para është vetë sistemi që nuk kërkon qytetarë, por ushtarë, kërkon njerëz që dinë të zbatojnë urdhërat, por jo të fantazojnë e të kenë ide të guximshme. E dyta janë burimet njerëzore. Sot brezi i pedagogëve të përgjegjshëm e të përkushtuar po shteron fatkeqësisht pa pasardhës. Sot në Universitete rekrutohen individë të kallëpit “One man shoë” që as duan t’ja dinë për studentin dhe dijet e tij, pasi as vetë nuk i zotërojnë ato. Dhe këta do bëjnë dhe kërkimin shkencor!!!!!

Por fakti që arsimi është në gjendje të mjerueshme është dhe nënvlerësimi që i është bërë mësuesit, pedagogut nga opinioni e që është rrjedhojë e mosvlerësimit që politika i ka bërë arsimit.

Ndaj shkolla shqiptare nuk arrin të prodhojë as qytetarë e as njerëz të lirë me ide. Arsimi shqiptar tkurr dijen dhe ushqen militantizmin duke i shtyrë të rinjtë të marrin një diplomë për të gjetur një vend pune në Administratën publike. E për ta bërë këtë duhet të jenë pranë“partive” politike” që kur i propozojnë për administratë as ia kanë idenë se çfarë përfaqësojnë diplomat apo dijet e tyre.

Kështu prindërit që vërtetë mendojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre i drejtojnë jashtë vendit për studime. Ata që shkëlqejnë në studime nuk kthehen më. Të tjerët kthehen dhe”përshtaten” me situatën.

Ndaj të rinjtë shqiptarë rendin pas partive për të “kapur” një vend në administratë! Dhe prandaj Administrata Publike është në gjendje të mjerueshme me drejtues me dije infantile, por arrogancë galaktike. Ata dinë të bëjnë “share” çdo publikim që bën ai që kanë më sipër në shkallë hierarkike, por nuk ia kanë idenë punës, shtetit apo ligjit me të cilin veprojnë! Ndaj ata shndërrohen në militantë që përdoren gjerësisht nga krahët e politikës. Nuk është faji i tyre. Eshtë faji i sistemit tonë!

Ndaj asnjë bursë nuk mund t’i mbajë të rinjtë e talentuar në Shqipëri!

Dhe do më lejoni edhe dy fjalë për median. Vazhdoj të këmbëngul që media shqiptare është përgjegjëse po aq sa politika për këtë katrahurë ku ndodhet vendi. Le të fillojë media me forume problematikash ku të diskutojnë profesionistë dhe jo opinionistë, ku të flitet për arsimin, por edhe për pronën, për vlerat, por edhe për lirinë e mendimit, për  ekonominë, por edhe për turizmin. Të edukojmë njerëzit me problemin dhe jo me helmin e hedhur kudo e ndaj kujtdo në këtë vend duke e zhytur veten në honin e idiotësive dhe urrjetjes e duke i bërë “nderin” më të madh oligarkëve të politikës!