Detajet rrëqethëse nga atentati në Shkodër, mbi 30 plumba në drejtim të 19 vjeçarit

153
Sigal

Një atentat me armë zjarri ka tronditur Shkodrën mbrëmjen e sotme.

Viktima është Erion Xhenja, 19 vjeç, i cili është qëlluar me breshëri plumbash, ndërkohë që ishte duke parë një ndeshje futbolli në një lokal në Bulevardin “Bujar Bishanaku”.

Në vendngjarje janë gjetur mbi 30 gëzhoja, çka dëshmon brutalitetin e atentatit.

Dyshohet se ai është qëlluar nga persona në një motoçikletë, të cilët kanë zbrazur një breshëri plumbash në drejtim të tij.

Trupi i viktimës është identifikuar nga babai i tij.

NJOFTIMI

Rreth orës 20:10, në bulevardin “Bujar Bishanaku”, në lagjen “Naim Gjylbegu”, në një lokal, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi E. Xh., 19 vjeç, banues në Shkodër.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve, të cilët janë larguar me një motoçikletë.

Në lagjen “Guerrile” është gjetur nje motoçikletë duke u djegur dhe një armë zjarri pistoletë, që dyshohet se janë përdorur nga autorët.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

Shërbimet e Policisë Vendore dhe FNSH Shkodër vijojnë kontrollin e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorëve.