Vangjush Saro: Përparësia – Kullat apo fëmijët?

284
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Mos bëni si të dashur me fëmijët këto ditë, vetëm këto ditë, ju zyrtarë me veshje të shtrenjta. (“Tash në “smoking”, tash në “bon-jour”/ ju, që dje s’kishit as dhe ushkuer…” Gj. Fishta) Ju përfaqësoni vanitetin. Jeni vërtet bosh dhe të pahir.

Kush është ai që do të shikojë keq e të flasë keq! Por nga t’ia mbajmë? Ta mbyllim gojën? Shtirja na pengon të pranojmë ku jemi dhe çfarë duhet të bëjmë për t’u qytetëruar dhe demokratizuar, qoftë edhe pak. Shtirja na largon nga fëmijët dhe nga ditë të tilla të shenjta. E meqë është rasti, po ju kujtoj… ju nuk i doni fëmijët. Dhe kjo është më e pakta që mund të them në këtë 1 Qershor; si prind, si ish-mësues, si shkrimtar që një pjesë të mirë të krijimtarisë së vet ua ka kushtuar atyre, më në fund edhe si gazetar që ka shkruar shpesh në këtë temë.

Sido që ta sjellim argumentin, vëmë re me trishtim se jeta e fëmijëve është e minuar dhe në rrezik. Ata kanë përpara pasqyrën e një vendi ku s’merr vesh i pari të dytin; të një vendi ku nuk ka rregulla; ku ligjet nuk zbatohen; ku banaliteti është i pranishëm orë e çast; ku njerëzit nuk e besojnë njëri-tjetrin dhe nuk kanë dëshirë për ta dëgjuar dhe respektuar njëri-tjetrin… Dhe e gjithë kjo (produkt specifikisht juaji) është kaq e rrezikshme, kaq stresuese. Fëmijët shohin në këtë pasqyrë si vidhet dhe si vritet; si shahet me libër shtëpie, në media e në… Kuvendin Popullor; si i jepet titulli “Mësuese e shkëlqyer” dikujt që s’ka punuar mësuese asfare; si shiten projektet dhe tenderat; si titullohen “Mjeshtër i madh” njerëz anonimë, madje edhe ndonjë ish-spiun tek-tuk. Pasqyrë janë gjithaq edhe tekstet shkollore, shumë prej të cilëve bien erë miqësi e mediokritet; e, sikur të mos mjaftonte kjo, tani shumë prej tyre qelben edhe në banalitete. (Është shkruar disa herë në këtë temë.) Për fat të keq, fiton tollovia, quhen specialistë e bëjnë vargje e prozë e marrin çmime shumë nga miqtë e miqve tuaj, duke krijuar në këtë vend një kakofoni të pashoqe dhe duke i kthyer artet dhe shkollën në një eksperimentore amatore.

“Na thoni, o kolltukofagë të “Rilindjes”, që jeni ende dhe kaq gjatë në pushtet, cila është përparësia juaj: Kullat apo Fëmijët?”

“Ju, qeveritarë bëni sikur rregulloni ndonjë kënd (dhjetë metra katrore) në ndonjë bllok ndërtesash, bëni sikur montoni atje ca lodra të falura dhe, nga ana tjetër, u vidhni fëmijve ajrin dhe të nesërmen”

Na thoni, o kolltukofagë të të gjitha llojeve e ngjyrave, por më së pari ju të “Rilindjes”, që jeni ende dhe kaq gjatë në pushtet, cila është përparësia juaj: Kullat apo Fëmijët? Doemos kullat, sepse atje bëhen fitimet tuaja, atje pastrohen paratë tuaja, atje fshihen pisllëqet tuaja, atje ndërtohen fasadat e “përparimit”… Ua, ç’fjalë e madhe! Një raport i hershëm i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, pasi pranon që disa shtete evropiane vuajnë nga ndotja – ajo kalon nivelet e lejuara të Bashkimit Evropian prej 50 µg/m³ në ditë – shton që në Tiranë ky limit tejkalohet në 102 ditë të vitit; (dhe vetëm në një nga katër zonat e monitoruara). Si ishte kjo? (“Shumë prej atyre që kryejnë akte të turpshme, mbajnë fjalime frymëzuese.” Demokriti)

Ju, qeveritarë e bashkiakë, bëni sikur rregulloni ndonjë kënd (dhjetë metra katrore) në ndonjë bllok ndërtesash, bëni sikur montoni atje ca lodra të falura dhe, nga ana tjetër, vidhni sy për sy: fushat e futbollit; ndërtesën ku duhej të ish QK e Fëmijëve; të vetmin term për fëmijë në kryeqytet që quhej “Shtatë xhuxhat”; u vidhni atyre ajrin dhe të nesërmen. (“Mbyllni sytë dhe shikoni.” Xh. Xhojs) Ju po ua vidhni qytetarëve e fëmijëve edhe të fundit zonë ende me pak ajër e gjelbërim, atë përqark Liqenit Artificial. Jeni thjesht simbol i abuzimit.

Na thoni ca shifra që të kenë të bëjnë me gjelbërimin për frymë; me parcelat ku fëmijët mund të kujdeseshin për lulet a bimë të tjera. Ekspertët thonë se një qyteti të jetueshëm i duhen të paktën 15 metra katorë gjelbërim për frymë; e shifrat tuaja flasin për 1, për 2… Na thoni diçka që të ketë lidhje me numrin e nxënësve për klasë; me gjëndjen e laboratorëve dhe bibliotekave. Sa për pak “çlodhje”, bisedoja para pak ditësh me një kolege, që jeton në një qytet të vogël; dhe pyetjes sime për bibliotekën, ajo iu përgjigj në mënyrën më të trishtë: “Ka disa vjet që nuk marrim libra artistikë…” (“Një shtëpi pa bibliotekë, është një shtëpi pa sedër.”  De Amiçiz)

Koha që shkon, ju bën gjithnjë e më me faj, zotërinj qeveritarë; sidomos ju me emrin e madh të “Rilindjes”. (Tani, më duket, po shikoni për “parrulla” të tjera dhe për gënjeshtra të tjera.) Është e padiskutueshme që në këtë ditë do të ketë ca sajdisje të vogla e ca deklarata të bukura, sa për të shkuar radhën. Do të shkojë diku Kryeministri të gjuajë ndonjë top dhe të duartrokitet nga fëmijët. Kjo ndodh tash një jetë. Por… jini kaq zbuluar. Mos bëni kot si të dashur me fëmijët këto ditë. Pa qejfmbetje, realisht ju nuk i doni ata. Ju përfaqësoni vanitetin. Jeni të pahir. Nuk di kur ndahemi nga ju dhe nga përvoja juaj antishtet.