Vangjush Saro/Duke lexuar dhe ndjerë poezitë e Vangjush Zikos

    423
    Sigal

    Po rikthehem të shkruaj sërish për Vangjush Zikon, një personalitet kompleks i letrave shqipe: pedagog, përkthyes, dramaturg, poet. Duhet mjaft shpirt për t’i mbajtur gjithë këto tituj, pesha, emra, ndere. Vangjush Ziko është një ndër ata që arrijnë t’i mbajnë, sepse mbështetet mbi një gjë të vyer e të madhe, që jo gjithkush mund ta ketë; mbështet mbi një talent të sigurt. Disa krijues të paanë tregojnë se në vitet ‘60, kritikët flisnin – me njëlloj pathosi – për perspektivën e Vangjush Zikos dhe Dhori Qiriazit në lëmin e poezisë. Por në dekadat që erdhën, poetët nga Juglindja mbetën disi në hije, kur të tjerë bënë artin e tyre me më shumë bujë, mbase edhe duke ‘shërbyer’ më mirë. Dhe në këtë aludim, nuk ka asgjë për t’u trishtuar. Gjithkush ka metrin e vet sesi mat hapat, distancat, raportet, përfitimet. (Poetesha ruse Ahmatova thoshte: “Dikush shkon rrugës pa tërthore/një tjetër rrotull vjen…”) Ndoshta Dhori Qirjazi e Vangjush Ziko nuk performuan mirë.

    Ajo që mund të thuhet me siguri është se për Dhori Qirjazin mjedisi ka qenë pak inkurajues; për fat të keq. Kolonja, një krahinë që dikur kishte pasur aq shumë lavdi, u harrua, bashkë me ata pak intelektualë që kishte prodhuar. Vangjush Ziko, gjithsesi, jetoi në një qytet më të madh dhe jo thjesht “me tradita”, por edhe me një rrafsh kulturor të lexueshëm: qyteti i Spiro Kondës, Vangjush Mios dhe Kristo Konos; kishte atje një teatër, ku kishin dirigjuar Piro Mani dhe Mihal Luarasi, më pas Dhimtër Orgocka; shkruanin atje Sotir Andoni, Teodor Laço e Petraq Zoto, më pas Kostaq Duka e Skënder Rusi.

    Megjithatë, të më ndjejnë të gjithë bashkëqytetarët e mi, Korça është një emër që hera-herës pushtohet nga fanatikët…Mandej, njëlloj vetëkënaqësie dhe aristokratizmi fals e ka larguar atë gjithnjë nga dinamika të tjera, më korente. Mbase nuk mundej ndryshe; pavarësisht se edhe në Tiranë gjithçka ishte e kufizuar, këtu antenat ishin më të larta, shkëmbimet e pakta me botën, lejonin sadopak prishje kufijsh e thithje të një “temjani” tjetër. (Artistik.) Këto, gjithsesi – e them në mënyrën më të çiltër – janë përjetime e përfundime vetiake; që askujt nuk ia imponojmë dhe me të cilat askënd nuk do të duhej të lëndonim. E rëndësishme është të vlerësojmë se duke kapërcyer vitet, Vangjush Ziko diti të lexonte realitetin me mendjen e vet. Asnjëherë nuk e tërhoqi fraza e angazhuar. I qëndroi besnik rrafshit, ku ndjehej më mirë: lirikës.

    Një hop të dukshëm, të paimagjinueshëm, kam parë veçmas në ciklet e tij të shkruara në vitet e fundit; (nëse jo shumë vjersha janë shkruar dikur, por nuk mund të botoheshin). Këto cikle, të botuara në disa gazeta apo edhe në revistat e nderuara “Fjala e lirë” dhe “Zemra Shqiptare”, na kanë përsëritur si të thuash mësimin se gjaku nuk bëhet ujë. Që do të thotë se poeti mbetet poet; kur ai është një profesionist, e shpërfaq këtë në gjithë krijimtarinë e tij, me hope ose jo, duke prodhuar shumë publicitet për veten apo pak, mbase edhe aspak…Por gjithnjë i prirur të bëjë artin e vet. Ashtu si të pakët janë ata që e bëjnë lirikën: “Më hodhi dimri/ duke shkundur retë,/ kristalet e bardha/ mbi thinjët e mia./ Thinjë/ mbi thinjët që pata./ Me ëndrra rinie/ u gdhi nata.” (Thinjët e dimrit)

    Ashtu si kam shkruajtur edhe në një tjetër shënim, vjershat e tij vijnë si një këngë lirike e kënduar herët, e ndërprerë, por e kënduar sërish; nganjëherë ato të kujtojnë serenatat korçare, nganjëherë brenga të pathëna, përjetime që janë aq komplekse; gjithnjë dhe gjithçka në emër të një sinqeriteti karakteristik për poetët e mirë. Dhe ashtu si gjithë poetët e mirë, ai nuk e heq asnjëherë nga pamja flugerin e vendlindjes. Në fakt, ne jemi andej nga vijmë. Sado larg atyre rrugëve të shtruara me gurë – që për fat të keq, këto kohët e fundit, nuk më janë dukur aq të pastra e të dëlira si dikur – mendjen e kemi atje. Dhe shpesh na bëhet sikur mëngjesin tjetër do të zgjohemi në shtëpinë e vjetër. Dhe yjet janë ndryshe. Mbase edhe bora. “Pendë të buta mjelme/ më përkëdhelën një çast në shpirt/ dhe u tretën.” (Pendë të buta mjelme) Atje ka mbetur fëminia  dhe gjithë koha e shkuar në ëndërr apo në një realitet të dyfishtë; (në realitetin poetik dhe në atë të përpëlitjes së përditshme për të jetuar).