Terziu: Shteti po e çon moshën e tretë drejt vdekjes, por dhe atje nuk u siguron varre

    460
    Sigal

    Letër e hapur/ Shoqata e Pensionistëve: Ligji për Moshimin nuk është privilegj, por detyrim kushtetues

    Shoqata për Integrim e Pensionistëve të Shqipërisë

     Letër e hapur

    Drejtuar Z. Bujar Nishani, President i Republikës; Z. Ilir Meta, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë; Z. Edi Rama Kryeministër i Shqipërisë; Z. Erion Veliaj Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë; Z. Igli Totozani, Avokat i Popullit; Znj. Albana Vokshi Kryetare e Komisionit të Shëndetësisë dhe Çështjes Sociale; Z. Ilir Beqja Ministri i Shëndetësisë

     Ligji për Moshimin nuk është privilegj, por detyrim kushtetues (neni 59 gërma e,f)

     Mosha e tretë  në Shqipëri, e cila përbën 1/3 e popullsisë, ose e shprehur në shifra 572 000 pensionistë, është aktualisht ndër shtresat e shoqërisë shqiptare më të varfra, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë e më gjerë. Sot një pensionist në Shqipëri merr pension shtetëror 80-130 dollarë, ndërsa pensionisti i fshatit 55,44-80 dollarë. Pra këto janë të ardhurat për pensionistët fshat-qytet. Ndërsa më poshtë po ju paraqesim shpenzimet e tyre:

    Zërat e shpenzimeve

    qytet

    fshat

    Energji elektrike

    55 dollarë

    35 dollarë

    Ujë i pijshëm

    12 dollarë

    Medikamente të parimbursueshme

    45 dollarë

    Transport urban i detyruar

    12 dollarë

    45 dollarë

    Shumat

    124 dollarë

    80 dollarë

    Përveç sa më sipër, për të krijuar një panoramë të mjaftueshme të gjendjes së të moshuarve, mjafton t’i hedhim një vëzhgim listave pambarim të borxheve të këqija në markete, dyqane ushqimore, por dhe në farmacitë me kontratë në të gjithë Shqipërinë. Shohim një varfëri ekstreme, thjesht nga të ardhurat e një pensionisti të qytetit dhe shpenzimet e tij, ndërsa ngelet për ushqime, veshmbathje dhe nevoja të tjera vetëm 6 dollarë në muaj, ndërsa për fshatin, ai duhet të mbështetet në të ardhurat bujqësore. Për këtë mjerim, mund ta japin më mirë përgjigje drejtuesit e shtetit, të zgjedhur nga kjo shtresë që përdoret dhe mashtrohet nga varfëria e tejskajshme për çdo periudhë zgjedhore me premtime madhore dhe slogane, ndërsa në të vërtetë ato po mundohen t’i dërgojnë më shpejt në botën tjetër, ku dhe atje, fatkeqësisht, mungojnë sipërfaqet e varrezave dhe nuk po i pranojnë.

    Kjo është mosha, që për 47 vjet me radhë ka derdhur gjak e djersë, duke u konsumuar në punë fizike për ngritjen e fabrikave, uzinave, kombinateve, hidrocentraleve, hekurudhave, kantieret e ndërtimit, bujqësi, industri minerare, ushtri, arsim, shëndetësi, etj., pasi ne jemi të vetëdijshëm se në atë periudhë është punuar vetëm me forcën e krahut për mungesë teknologjie, që sot disponohet për kryerjen e çdo lloj punimi, nga më të rëndat e deri tek ato elektroniket dhe shkencore. Dhe për pasojë, sot mosha e tretë vuan nga një kompleks sëmundjesh nga disa diagnoza që as mjekësia më e përparuar nuk ka çfarë t’u bëjë, prandaj edhe shpenzimet për medikamentet mjekësore të parimbursueshme detyrohen t’i blejnë duke i reduktuar në ½ e tyre dhe këto duke i shënuar në blloqet e borxheve të këqija në farmaci.

    Duhet të theksojmë se këta pensionistë, gjatë gjithë viteve të tyre, kanë qenë dhe kontribuues të rregullt të skemës së Sigurimeve Shoqërore, prandaj dhe raporti kontribuues-përfitues ka qenë 5-1, por ky raport pas viteve ’93 u përmbys në të kundërtën e saj, në 1-5, gjë që krijoi dhe gropën e zezë në skemën e ISSH-së, e cila vazhdon të rëndojë në buxhetin e shtetit. Kjo dhe për vetë gabimet e  qeverisë së asaj kohe, që me mbylljen e ndërmarrjeve ekonomike e kooperativave bujqësore, siç edhe e kemi theksuar gjithmonë, që këta punonjës në vend të kalonin në ndihmë ekonomike sociale u kaluan në skemën e Sigurimeve Shoqërore, duke e rënduar padrejtësisht, duke krijuar edhe shumë probleme për financimin e  pensioneve.

    Shoqata për Integrim e Pensionistëve të Shqipërisë, duke njohur nga afër gjendjen e të moshuarve, si ato ekonomike, sociale dhe shëndetësore, ka reaguar shpesh nëpërmjet takimeve dhe korrespondencave sociale me të gjithë titullarët e institucioneve që kanë se çfarë të bëjnë për moshën e tretë. Gjithashtu, shoqata ka reaguar dhe nëpërmjet organeve mediatike të shkruara dhe vizive për moshën e tretë, të harruar tashmë nga institucionet shtetërore dhe  nga më të lartat e deri në ato vendore, të cilat as që merren me këto probleme, duke iu shmangur dhe quajtur si problemet e qeverisë dhe parlamentit dhe duke harruar se edhe këta janë votuar nga elektorati i kësaj moshe.

    Mosha e tretë dëshiron të heqë nga kalendari muajin Qershor, Shtator dhe Dhjetor, për arsye se në katoimuaj kemi rritje të tregut të zi nga 23 % në Qershor, 28 % në Shtator, 26 % në Dhjetor. Kur në mbarë botën për festat e fundvitit të gjithë ulin çmimet, në Shqipëri ndodh e kundrat. Duke krahasuar rritjen e çmimeve dhe atë të pensioneve me 4-5 % është krijuar një hendek mes të ardhurave dhe rritjes së çmimeve në tregun e zi. Besoj se nuk ka më nevojë për argumente të tjera, pasi këto janë të dokumentuara në instancat e institucionet shtetërore.

    Ne kemi mbështetur dhe inkurajuar qeveritë për lobingjet që kanë bërë dhe po bëjnë me shtete anëtare të Këshillit të Europës për statusin deri dje, ndërsa tani për anëtarësimin e Shqipërisë dhe në vazhdimësi do të jemi përkrah kësaj nisme, pasi Shqipëria është vend europian dhe Europa nuk duhet të hezitojë pranimin e saj, madje është shumë e vonuar në këtë drejtim. Por, edhe qeveria duhet të bëjë detyrat e saj, pasi ne i kërkojmë Europës anëtarësimin, por qeveria shqiptare ende nuk ia ka dhënë statusin 1/3 së popullsisë së saj. Megjithëse ne akoma nuk i kemi informuar zyrtarisht (edhe pse ata janë të mirinformuar për realitetin tonë), mendoj se në një të ardhme të afërt, nëse qeveria nuk miraton Ligjin e Moshimit, ne do të kontaktojmë të gjitha institucionet parlamentare europiane.

    Gjithashtu, ne përshëndesim edhe Ministrinë e Mirëqenies dhe Rinisë që ka 13 vjet që merret me qytetarët romë dhe shumë mirë bën, por ka harruar një projektligj për moshimin, i cili është hartuar nga një grup i deputetëve të LSI-së, ministrisë përkatëse dhe shoqatës së pensionistëve. Dhe, për fat të keq, ai ka qëndruar zyrave të kësaj ministrie, i pluhurosur, që vetëm një herë në 4 vjet shikon dritën e diellit, për një muaj të fushatës zgjedhore, pastaj e harrojnë. Kjo nuk është serioze për një dikaster si ky, kaq të rëndësishëm, i cili me gjithë ndërhyrjet e Presidentit të Republikës, Kryeministrit, Avokatit të Popullit, akoma kjo ministri nuk ka gjetur kohën dhe mundësinë prej 10 vjetësh që ta kalojë në qeveri e parlament.

    Ne shpresojmë se moshat e para dhe të dyta të arrijnë të shijojnë të ardhmen, ndërsa mosha e tretë nuk ka kohë për të pritur, as për të shijuar më. Prandaj, ju bëjmë thirrje dhe një herë që në prag të 70 vjetorit të Çlirimit të Atdheut dhe të këtij viti të moshimit, qeveria dhe parlamenti të kalojnë në urgjencë Ligjin për Moshimin.

    Veproni tani, se nesër do të jetë shumë vonë, mosha e tretë nuk mund të ketë më nevojë për Ju në botën tjetër, pasi atje ligjin e miraton një qeveri tjetër!

     Kryetari

    Osman Terziu