Suplementi Pena Shqiptare/ Kosta Nake: Drama lindore e miqësisë perandorake

163
Sigal

(Ismail Kadare, “Sorkadhet e trembura”, Synops për një tjetër art, Vepra 20, f.517)

Fati i grave të ish-kampit socialist, që u martuan me burra të huaj është temë e njohur jo vetëm në letërsinë shqiptare, por edhe brenda Veprës së Kadaresë. E reja qëndron në gjininë letrare që ka zgjedhur ta bëjë këtë, një miksim i skenarit të filmit me dramën. Vendosja e fatit të Ljuba Marinovës në tri kohë: në fillim viteve ’60 kur dashuria e sjell nga Moska në Tiranë: në vitin 1968 kur ndodhej në burg dhe pas ndryshimit të sistemit politik, ka bërë që të përdoret thyerja kompozicionale me alternime të shpeshta të skenave të ngjarjes, me një shkrirje të kufijve mes ëndrrës dhe zgjëndrrës.

NOA

Ljuba është vajza ruse që, për shkak të moshës dhe mjedisit propogandistik, kthehet në një flutur që vjen nga dimri rus në një vend të ngrohtë, me portokalle dhe afër kufirit me Perëndimin. Vajza që humb shumë nga Moska për të marrë diçka nga Tirana, kthehet në një zog të lirë që gjen ngrohtësi jo vetëm nga mjedisi natyror, por edhe ai shoqëror. Por ajo vjen në Shqipëri në kohën më të papërshtatshme për të vjelë kokrrat në pemën e dashurisë, pasi fillon acarimi i marrëdhënieve mes dy shteteve, që zgjerohet si ftohje e Shqipërisë me gjithë kampin socialist. Ka vetëm dy zgjidhje, të dyja të dhimbshme: ndarja si çift me fëmijët që mbeten pa një krah ose ruajtja e familjes së vogël dhe ndarja pa kthim me familjen e madhe.

Bashkudhëtare në fatin e përzishëm të ndarjes ka dhe gra të tjera, si Nadja, Kristina, etj. që rritin përmasat e rolit represiv të shtetit. Po faqja e butë e dashurisë së pastër e të paqme të Ljubës mbështetet mbi faqen e ftohtë të aviatorit Arian Shkreli që për shkak të raportit të veçantë që ka me tokën poshtë tij, është dhe mbetet një atdhetar i palëkundur. Ai humb vendin e punës, sepse është martuar me një të huaj, nga ana tjetër është i gatshëm ta sakrifikojë dashurinë, t’i vërë zemrës një gur dhe ta lejojë Ljubën të kthehet në Bashkimin Sovjetik.

Ajo që po ndodh përcillet fillimisht midis grave përmes grimcave të dyshimit dhe shikimit të filxhanëve, pastaj vjen një ditë që dielli nuk mund të mbulohet me shoshë. “S’ka më flamuj sovjetikë. S’dëgjohen më këngë ruse.” (f.560)

Përmasat e dramave familjare bëhen tronditëse, sepse barra kryesore vihet mbi shpatullat e brishta të grave, e shprehur në fjalët e Nadja Gracovës, bashkëshortes së Rudianit: “Jemi të pambrojtura midis kthetrave të tyre… Do të na shqyejnë.” (f.562)

Që në titullin e figurshëm të veprës autori e ka bërë këtë veçim, por do ta rimarrë në fjalët që vendos në gojën e diplomatit të parë: “Kjo botë që ne e quajmë Lindje dhe me të drejtë quhet mbretëria e së keqes dhe e mërzisë, ka një thesar, që ende nuk njihet: gratë.” (f.552) Duke qenë student në Moskë, duke njohur vajzat ruse diplomati bëhet zëdhënës i Kadaresë dhe metafora e sorkadhes shpreh jo vetëm delikatesë, por edhe dhimbshuri për fatin e tyre tragjik.

Ndryshe nga romani “Dimri i vetmisë së madhe”, këtu tregohet represioni e shtetit ndaj të vetëve dhe shtetasve të huaj, duke krijuar një hapësirë që sa vjen e shtohet, madje ftohet për të hyrë në lojë edhe “Pallati i ëndrrave” me fjalët e shefit të kundërzbulimit: “Dyshoj se po fillon ajo që i trembem më shumë: zona e errët e paranojës.” (f.572)

Sofika e filxhanëve, dhe jo vetëm, futet në mekanizmin e egër të zbulimit të komploteve për vrasjen e udhëheqësit. Qytetarët e zakonshëm dhe ata të piramidës së lartë të shtetit përfundojnë në hetuesi, ulen në fron me peshën e fajësisë vetjake të paracaktuar, por duhet medoemos të tregojnë dhe bashkëpunëtorët. Në një mbledhje në ministri, një nëpunës i lartë thotë: “Autokritika e shokut ministër është e pamjaftueshme. Thellohu, shoku ministër. Lehtëso veten. Ndihmoje Partinë.” (f.580) Janë formulime të njohura tashmë që kanë dalë në dritë pas hapjes së pjesshme të arkivave.

Një karakter mjaft i realizuar, edhe pse në plan të dytë, është Blendi, vëllai i Arianit, që bëhet mik i vërtetë për Ljubën, me atë inskenimin e errësirës për të parë RAI-n dhe me deklaratën e rrezikshme: “Shqipëria do të bëhet vend perëndimor.” (f.532) Figura e tij merr një përndritje të re duke i dalë për zot Ljubës në çastin e arrestimit. “S’e prekni dot! Jam kunati i saj.” (f.581)

Tension të lartë dhe intesitet të veçantë, frymëmarrje të pezulllt kanë orët e largimit të Ljubës drejt aeroportit; as hipja në avion nuk mjafton për të shpëtuar nga hetuesia dhe burgu.

Natyra e kësaj zgjedhjeje e kufizon ndërhyrjen e autorit, por ai është romancier dhe, ashtu si në jetë dhe në krijimtari, i thyen trinat kufizuese për të bërë atë që e ndjen së brendshmi dhe s’mund ta mbajë vetëm për vete. Kur Ljuba paraqitet për të filluar punë në uzinë, ajo bëhet pre e “vështrimit dyshimtaro-kureshtaro-epshor të shefit të kuadrit.” (f.527) Ka një prezantim të pazakonshëm të një personazhi në sfond: “pusht Lefteri, horri i njohur i uzinës.” (f.529) Një ndalesë më të gjatë si autor bën te tabloja e gjahut: “Si një tufë sorkadhesh të kapura në një rrjetë-kurth, ato ia kaluan njëra-tjetrës panikun, ndërsa rendnin sa në një drejtim në tjetrin, për t’i shpëtuar rrethimit. Kështu provonin të gjenin një të çarë, një dalje nga ajo rrethojë, nëpër porta ambasadash të ndryshme: çeke, hungareze, polake, rumune, e sidomos sovjetike. Por pengesat ishin kudo… (f.562)

Prej vitit 2019 është shkruar për një film ruso-shqiptar që merrte shtysë nga ky skenar.

E vendosur në fund Veprës 20, e paraprirë nga dy refleksionet e gjata “Nga një dhjetor në tjetrin” dhe “Pesha e kryqit”, vepra ka fatin e madh të ketë një parathënie të gjatë nga vetë autori.