Eksperti Shella: Hartat e reja gjyqësore, shkel të drejtat e njeriut

46
Sigal

Nga qyteti i Korçës përmes një deklarate për mediat eksperti Gerti Shella tha se harta e re gjyqësore, ka ngritur problematika me shkrirjen e gjykatave të Apelit. Shella tha se nëse në vitin 2016 një çështje civile themeli zgjidhej për 147 ditë, sot, me vetëm një gjykatë apeli në Tiranë, do të duhen 7 vite për një shqyrtim gjyqësor. Ai bën apel për rishikim të hartës së re gjyqësore pasi sipas tij, qytetarëve po u shkelet çështja më kryesore e të drejtave të njeriut. “Situata që paraqitet sa i takon kohës së marrjes drejtësi është përkeqësuar shumë duke filluar prej vitit 2016 që përkon me reformën. Në Gjykatën e Apelit Korçë në vitin 2016 një çështje civile themeli zgjidhej për 147 ditë, përpara se ajo të shkrihej një palë e merrte vendimin për 533 ditë. Në 6 -mujorin e parë (2023) ku tashmë të gjithë qytetarët korçarë marrin drejtësi në gjykatën e vetme të apelit në Tiranë kohëzgjatja e vlerësuar për shqyrtim gjyqësor është 7 vjet. Pra ka qenë më mirë para fillimit të reformës gjyqësore dhe më mirë edhe kur gjykata e Korçës ishte më keq dhe erdhi deri në shkrirjen e saj përfundimtare në një gjykatë të vetme të apelit. Apeli ynë është që të rikonsiderohet harta e re gjyqësore dhe munden të gjenden resurset, sepse shkaku i vetëm është mungesa e gjyqtarëve, të gjenden 3-4 gjyqtarë dhe të rikonsiderohen vendimet e marra në lidhje me hartën e re gjyqësore. Qytetarët e Korçës meritojnë të kenë gjykatën e tyre të apelit për shkak të traditës, por së pari për atë që është çështje e të drejtave të njeriut dhe marrja e drejtësisë brenda një afati të arsyeshëm. Rezulton që në vitin 2023, 78% e çështjeve në apel dolën tej afateve të arsyeshme. Kjo po kthehet në një çështje të shpejtë të shkeljes së të drejtave të njeriut. Marrja drejtësi brenda afatit të arsyeshëm është e parashikuar nga neni 6 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe Shqipëria është dënuar ne vitin 2021 për çështjen Bara dhe Kola për shkak të zvarritjes së proceseve gjyqësore tej një afati që nuk është kurrsesi i konkurrueshëm pra ka qenë 3 vite dhe jo 7 vite. 7 vite të të vijë radha për të hyrë çështja jote në një shqyrtim, por mund të jetë me një seancë, ama mund të jetë edhe me 12 seanca”, -u shpreh ai. Vonesa ka edhe në shërbimet agregate si shërbimi noterial, i cili po sjell pamundësi të palëve për të çelur një çështje trashëgimie, apo dhe çështje që kanë lidhje me kadastrën. “Vonesat janë shtuar edhe në shkallë të parë. Janë dyfishuar apo 3-fishuar vonesat. Vëmë re me keqardhje që shërbimet agregate sikundër është ai noterial po provokojnë vonesa tej të arsyeshmes duke krijuar pamundësi të palëve për të bërë të mundur çelje të trashëgimisë për të përfunduar çështje që kanë një ndërveprim me gjykatën apo me kadastrën. Situata ndaj vonesave po kthehet sistemike dhe ne duhet te bëjmë çmos që këto pengesa të kufizohen sa më shumë”, theksoi eksperti. Situata mbetet alarmante për qytetarët korçarë, të cilët do të duhet të ndjekin për një kohë shumë të gjatë një çështje në Apelin e Tiranës, ndërsa janë rritur edhe kostot e këtyre të fundit.