Spiro Spiromilo është tradhëtar i Shqipërisë

2328
Sigal

Nga Gëzim Zilja

Grupe njerëzish të organizuar në shoqata ose organizata të “pavarura,” të nisur nga qëllime antishqiptare, arrijnë deri atje sa të kërkojnë rehabilitimin e figurave, të vulosura përjetësisht me damkën e tradhëtisë siç është rasti i ngritjes së bustit të antishqiptarit Thimio Loli, në Jug.

Nga disa burime të besueshme, një shoqatë me drejtor S. M. ka kohë që po punon për ngritjen në qendër të Himarës të bustit të ish-majorit grek, me origjinë shqiptare, Spiro Spiromilo, protagonist në ngjarjet e vititeve 1912-1914, për shpalljen e “autonomisë së Himarës” dhe më vonë bashkimin e saj “vullnetar” me Greqinë.

Po si është historia e këtij pinjolli himariot që tradhëtoi Shqipërinë dhe luftoi me armë e penë për bashkimin e Himarës me Greqinë?

Spiro Spiromiloja u lind në Himarë më 1864, por u rrit dhe arsimua në Greqi. Si major i forcave ushtarake, u dallua në veprimet tij për helenizimin e krahinës së Kosturit në krye të çetave nacionaliste greke. Në tetor të vitit 1912, përgatitet të zbarkojë në Himarë me mercenarë himariotë, banues në Greqi dhe 200 vullnetarë kretas.

Në dispozicion të tij krerët grekë vunë anijen luftarake “Acheloos” nga e cila vullnetarët zbarkuan më 18 nëntor, në Spille, dhjetë ditë para se Shqipëria të shpallte mëvetësinë. Këtë zbarkim të mbështetur nga qeveria greke, ai do të përpiqej ta shiste si një “revoltë” të popullit himariot, për pavarësi. Vet populli himariot do të thoshte për këtë veprim të Spiromilos:

“O Himarë e Toskërisë

Si u qeshe këtë radhë

Moj ti mëma e trimërisë

në çdo punë del e parë

Të gënjyen moraitë

priftërinjtë me dhaskalë

u qeshe si çiliminjtë

të prishën me propagandë

Shpejt himarioti Spiromilo, tashmë nën uniformën e oficerit grek, me shenjat e majorit në spalina, pushtoi Himarën, Kudhësin, Qeparonë, Dhërmiun, Pilurin, Vunoin dhe Palasën. Nuk e shpalli menjëherë Himarën tokë greke, por përdori një nga ato dredhitë, që po përdorin sot edhe pasardhësit e tij: shpalli “pavarësinë” e krahinës së Himarës dhe ngriti flamurin “himariot” me ngjyrën e atij grek dhe shtatë yje në mes, që simbolizonin shtatë fshatrat e bregdetit të Himarës.

Ja si e përshkruan populli himariot këtë veprim me një këngë të vitit 1914 ngritur nga patrioti vunjotas Nase Beni:

Ç’tu desh flamuri i rrospisë

kur e di që të bën varrë

mohon gjakn’ e kombësisë

të humb emrin shqipëtar

Me këtë veprim ai kundërshtoi haptazi Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, duke e konsideruar fillimisht Himarën, krahinë, as greke dhe as shqiptare, thjesht krahinë të pavarur e me flamurin e vet.

Ai kundërshtoi qëndrimin e fuqive të mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër për kufirin Jugor, duke mbështetur pretendimet greke jo vetëm për Himarën por edhe Gjirokastrën, Korçën e Përmetin. Veprimtaria e tij me armë, u shoqërua me shkrime të shumta nacionaliste në gazetën “Akropolis” ku kundërshtoheshin fuqitë e mëdha lidhur me caktimin e kufijëve të shtetit të sapoformuar shqiptar.

Spiro Milo vulosi qëndrimin e tij si tradhëtar i Shqipërisë më 24 shkurt 1914. Ai i vetëquajtur ndërkohë “prijës i Himarës” shpalli autonominë e Himarës nën kryesinë e tij. Tashmë flamuri i ngritur do të ishte ai grek me një shqiponjë me dy krerë në mes. Mediat greke të kohës i thurrën lavde kësaj lëvizjeje dhe vetë Spiromilon e cilësuan si “Shqiponja e Himarës.”

Por këtij veprimi do t’i dilte shpejt kallaji si çdo vepre tjetër që tradhëtarët kryejnë ndaj atdheut. Po atë vit në korrik, ai shpalli bashkimin e Himarës me Greqinë, veprim që u shoqërua me zëvendësimin e flamurit himariot me atë të shtetit grek. Edhe ky veprim u trumbetua nga ai vetë, si një dëshirë e popullit himariot në të shtatë fshatrat. Në vitin 1915 ai bëhet deputet në parlamentin grek i “zgjedhur” nga prefektura e Gjirokastrës.

U largua nga Himara kur në të hynë forcat italiane dhe u vendos në Athinë. Derisa vdiq nuk pushoi veprimtarinë e tij në dëm të Shqipërisë, për pavarësinë e Himarës dhe bashkimin e saj me Greqinë. Me rehabilitimin e figurës së Spiro Spiromilos, ekstremistët grekë rehabilitojnë njëkohësisht veprën dhe pikpamjet e tij. Dy janë tezat e rrezikshme e të fshehta të tyre, por jo aq sa të mos kuptohen. E para është që Himara ka qenë krahinë (jo greke si kanë thënë më parë ) e pavarur dhe është qeverisur përherë me ligjet e veta qysh para pushtimit turk dhe e dyta si e tillë ajo është e lirë të vendosë nëse do të qëndrojë e pavarur (të vetqeveriset) apo do të bashkohet “vullnetarisht” me Greqinë siç është dëshira e ekstremistëve grekë.

A do ta lejojë Bashkia e Himarës dhe qeveria shqiptare, mbajtjen e simpoziumit dhe ngritjen e bustit të kësaj figure të shëmtuar antishqipare në Himarë?

Me ato që kemi parë deri tani me bollëkun e ngritjes së varrezave të ushtarëve grek në Jug dhe lëshime të tjera “të vogla” çdo gjë mund të ndodhë. Natyrisht do të ishte një veprim i rëndë në dëm të çështjes kombëtare, që cënon mardhëniet midis popujve dhe është në kundërshtim me Kartën e OKB-së mbi të drejtat e kombeve. Për ta mbyllur po citoj disa vargje të një kënge himariote ngritur në vitin 1913.

Në të vërtetë është një vajtim i Sotire Boçit nga Piluri, për burrin dhe djalin e saj të vrarë nga “vullnetarët” e Spiro Spiromilos.

Spiro Milo mos arç kurrë

erdhe me di-tre çeturë(varka)

erdhe si ai me urë

Më vrave të zinë burrë

të zin’ burrë, të zin’ djalë

a u djekç në zjarr i gjallë!

Ç’dreq e pruri rrufjanë

qën i bushtrës putanë

ai që shiti vatanë.

Këtë shkrim e kisha përgatitur për gazete, por “corona” na mbylli brenda. Po botoj një përmbledhje të shkurtër aq sa lejon Fb-ja