Skandali me pagat/ Mjekët specializantë nuk paguhen, ministri Peleshi diferencon civilët nga ushtarakët, Komisioneri: të ndalet diskriminimi

172
Sigal

 

Mjekët specializantë civilë, të cilët e fitojnë të drejtën e studimit përmes kuotave të Ministrisë së Mbrojtjes nuk marrin asnjë lloj pagese për shërbimin që japin, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Pavarësisht përcaktimit me vendim qeverie, ky dikaster ka hartuar kontrata individuale, duke i përjashtuar nga e drejta për t’u paguar me 80% të pagës së mjekut të fushës në të cilën kryhet specializimi”.

Gjithçka është konstatuar nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, pas një ankese të depozituar nga një prej mjekëve specializantëve, që e konsideronte jonormale, faktin që një person, i cili ka përfunduar studimet e larta për mjekësi dhe shërben pranë një strukture spitalore, të mos paguhet.

Ndërkaq, pas hetimit të kryer nga Komisioneri, rezultoi se specializantët, që nuk vijnë nga radhët e Forcave të Armatosura, trajtohen në mënyrë të diferencuar dhe më pak të favorshme, në raport me studentët specializantë, të cilët po ashtu mbulohen me kuota nga MM, por vijnë nga radhët e FA, përfshi këtu personelin ushtarak dhe personelin civil, të cilët përfitojnë trajtim financiar gjatë ndjekjes së specializimit.

Gjithashtu, rezultoi se ndjekja e programit të studimit të specializimit afatgjatë në fushën e mjekësisë kryhet me kohë të plotë dhe me shkëputje nga puna dhe në këtë kontekst, është udhëruar shkëputja nga puna e  personelin ushtarak dhe civil nga radhët e FA, por gjithsesi për këtë kategori përfitimet financiare nuk janë penguar.

Nisur nga kjo situatë, sipas vendimit të siguruar nga scan, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka kërkuar rivendosjen në vend të së drejtës së cënuar, duke siguruar trajtim financiar për ankuesen, si dhe korrigjimin e modelit të kontratës të miratuar në korrik të vitit 2020, me qëllim eleminimin e diferencës në trajtimin financiar edhe të specializantëve të tjerë.