Skandal me fondet e Ujësjellësit, shpenzohen 25 milionë dollarë në 12 vjet, Durrësi pa ujë

    457
    Sigal

    Ujësjellësi ka mbi 44 mijë konsumatorë, kurse faturat e kripura janë rreth 63 për qind e banorëve. Kërkohet hetim për fondet

     Në 12 vitet e fundit Durrësi ka përfituar plot 25 milionë dollarë në sektorin e ujit të pijshëm, por akoma ky qytet –port, vuan etjen e madhe verë dhe dimër. Burime nga Ujësjellësi i këtij qyteti thanë për “Telegraf” se, “në rrjetin e ujit të pijshëm, investimet nuk kanë munguar kurrë, madje qysh prej 20 vitesh, projektet e hartuara nuk e kishin llogaritur këtë qytet se do të pesëfishohej në numër popullsie, madje, nuk e kishin llogaritur as ecurinë e marrëdhënieve mes konsumatorit dhe Ujësjellësit- dhe strukturave të shtetit”. Duke ju referuar statistikave dhe investimeve, rezulton se nga viti 1995 deri në vitin 2003, Banka Botërore ka dhënë një investim prej 14.5 milionë dollarësh, i cili u përdor për rehabilitimin e rrjetit të furnizimit me ujë me qëllim edhe disiplinimin e rrjetit të shpërndarjes në qytetin bregdetar i cili asokohe numëronte mbi 110 mijë banorë. Investimi u krye gradualisht, duke mos kryer misionin e duhur. Realisht uji i pijshëm si element jetik, ka koston e tij, por kalimi i kompetencave për menaxhimin e tij nga qendra në bazë tek organet e pushtetit lokal, ka krijuar vështirësi të reja. Shumë bashki dhe komuna, nuk kanë gjetur gjuhën e mirëkuptimit me Ujësjellësin, duke krijuar probleme të reja veç atyre që janë të mbartura prej vitesh. Në vitin 2003, Ujësjellësi dhe furnizimi me ujë i Qarkut Durrës nisi të menaxhohet nga firma gjermane “Berlinvaser” mbi bazën e një kontrate 5-vjeçare të miratuar edhe nga BB-ja e cila lëvronte paratë për investim. Sipas burimeve zyrtare nga Ujësjellësi, “firma e huaj nuk e kreu misionin e saj duke mos kryer gamën e investimeve të premtuara dhe u largua pa u penalizuar e për pasojë Durrësi dhe rrethinat e tij me mbi 325 mijë banorë, vuante mungesën e ujit, por edhe sot kur ajo është larguar dhe me gjithë investimin kolosal të mbi 25 milionë dollarëve, durrsakët vuajnë për ujin e pijshëm’. Ujësjellësi ka aktualisht mbi 44 mijë konsumatorë, kurse faturat e kripura janë paguar vetëm nga rreth 63 për qind e banorëve. Uji i pijshëm i vjen Durrësit nga Fushë-Kuqja, pra mbi 45 km larg, duke përshkuar fshatra, qytete dhe zona të banuara të cilat natyrisht marrin ujë në forma të paligjshme duke e çarë dhe dëmtuar rrjetin kryesor. Qysh prej 33 vitesh, Durrësi furnizohet nga puset e ujit të Fushë-kuqes, por deri sot asnjëherë banorët e tij nuk kanë qenë të ngopur me ujë në banesat e tyre. Specialistët e Ujësjellësit shprehen se, “me urgjencë duhen investime të reja, hapja e puseve të reja, duke nisur nga ripërtëritja e rrjetit dhe tubacionit 33 vjeçar i cili po bllokohet çdo ditë nga ndryshku. Realisht për Durrësin, sikur të mos ishin ndërhyrjet në 4 bashki dhe 15 komuna gjatë rrugës nga Fushë-Kuqja deri tek Ura e Dajlanit, furnizimi do të ishte korrekt dhe mungesa e tij nuk do të ndjehej. Por edhe transparenca e investimeve ka qenë deri sot pothuajse zero. Rasti i investimeve që arrin në rreth 25 milionë dollarë në dekadën e fundit, dhe mungesa e ujit sidomos gjatë verës në pothuajse gjysmën e qytetit, mbetet rasti më skandaloz, i cili ja vlen të merret në konsideratë nga organet kompetente. Të paktën nga të dhënat e marra nga specialistët, mësohet se me 45 milionë dollarë në vitin 2001 u krye rehabilitimi i ujësjellësit në Milano, qytet që vetëm një lagje e ka me popullsi sa ka sot Durrësi. Faji mbetet si gjithmonë pa emër, pasojat i vuajnë taksapaguesit e thjeshtë, atyre që u kërkohet pagesa e faturave mujore, të cilët ujin e shijojnë një herë në 2-3 ditë gjatë verës së nxehtë dhe dimrit të ftohtë.

     ARTUR AJAZI