“Shtëpi bari” në Spanjë, arrestohen 10 shqiptarët

417
Sigal

Agjentët e Policisë Kombëtare kanë arrestuar në qytetin e Elches, Spanjë dhjetë persona, me kombësi shqiptare, të moshës 19 deri në 32 vjeç, të gjithë anëtarë të një organizate kriminale të dedikuar për kultivimin dhe shitjen e marijuanës në shkallë të gjerë, e cila vepronte në të gjithë provincën e Alicante.

“Pas disa muajsh hetime, policia ka arrestuar 10 persona. Është një grup i strukturuar në mënyrë perfekte që kishte disa shtëpi dhe ndërtesa industriale të shpërndara në qytete të ndryshme që i përdornin për të kultivuar lëndë narkotike,” informon policia.

Agjentët kryen kontrolle në gjashtë prona ku u sekuestruan më shumë se 2000 bimë marihuanë në gjendje të avancuar rritjeje dhe lulëzimi, një numër i madh sythash të thara të përgatitura për shpërndarje, para cash, rreth 4330 euro dhe materiale të ndryshme që lidhen me kultivimin.

Plantacionet ndodheshin brenda këtyre ndërtesave dhe kishin një sistem elektrik të sofistikuar të përbërë nga disa transformatorë dhe sisteme drite që favorizonin rritjen e bimëve.

I gjithë furnizimi me energji bëhej në mënyrë ilegale.

Të arrestuarit akuzohen për vepra të ndryshme penale si “krime kundër shëndetit publik”, “pjesë e një grupi kriminal” dhe “mashtrim me energjinë elektrike”.