Shkrimi në gazetën austriake/ Meta: Për çfarë më duhen fotot? I kam bërë që kur isha 30 vjeç

170
Sigal

Presidenti Ilir Meta reagoi sërish në lidhje me një shkrim të një gazete austriake, ku akuzohet për një aferë 700 mijë eurosh për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit amerikan, Donald Trump.

“E kam parë atë shkrim pa emër për presidentin e një vendi, nuk ka rëndësi kush është ai. Nuk është gjë tjetër përveçse ripërtypje e disa mashtrimeve të bëra nga revista Father Xhons.

Ajo forcë politike, LSI ka bërë një pagesë transparente, të konfirmuara në institucionet amerikane të drejtësisë. Gjithçka tjetër është një dramë e madhe sepse duan t’i bëjnë të gjithë njësoj.

…Pse më duhej mua ajo foto? Unë këto foto i kam bërë që kur kam qenë 30 vjeç, me presidentin Clinton dhe personalitete që të merr malli t’i shohësh sot. Nuk paguaj asnjë euro, asnjë cent për një gjë të tillë.

Kemi njoftuar ambasadorin tonë në Vjenë dhe ambasadorin austriak në Tiranë. Po të mos isha President i Republikës, nuk do e bëja sepse shpifje të tilla i dëgjon dhe i sheh përditë. Do keni mundësinë që ta ndiqni këtë gjyq dhe etapat. Këtë po e bëj për dinjitetin e postit që përfaqësoj. Siç kemi fituar gjyqe me media të tjera, italiane, ta fitojmë edhe me këtë,” tha Meta.

Edhe kreu i shtetit tha se pronarët e inceneratorëve ndodhen në Vjenë, aty ku doli edhe artikulli kundër tij.